Betim Bregovina ka lindur gati plotësisht i verbër.
Jeton në fshatin Mazgit të Komunës së Obiliqit, e natyrën përreth e shfrytëzon për të shkrepur fotografi.
Me përkushtim e shkrep aparatin drejt druve në oborrin e tij, objekteve të tjera, e jo rrallëherë edhe kur merr rrugë të gjata për në vende të tjera.
Të fotografojë ka filluar vite më parë, kur e mori për herë të parë kamerën e cila në atë kohë ishte me film.
Fakti se Bregovina ka mungesë të shikimit ka bërë që të tjerët të mendojnë se është thuajse e pamundur që ai ta zhvillojë këtë veprimtari.
E për të arritur diçka të paarritshme është njëra ndër arsyet pse ai nuk është ndalur së shkrepuri fotografi.
Fotografitë që Bregovina i shkrep në fokus kanë natyrën, copëza nga përditshmëria, e të preferuarat që dëshiron t’i realizojë janë ato në lëvizje.
Mënyrë kjo më e vështirë e fotografimit, mirëpo që e përmbush më së shumti.
E aparatin e merr me vete sa herë që viziton një vend të ri.
E në vitin 2022 e realizoi ëndrrën me të cilën e ka nisur këtë rrugëtim.
Ekspozita “Fotografia nga syri i verbër” është e para e tij personale ku u paraqitën 35 fotografi, më të veçantat ndër mijëra të tjera që i ka shkrepur ndër vite.
Kjo e ka shtyrë që të vazhdojë të fotografojë edhe përtej natyrës e atyre abstrakte.
Më e rëndësishmja për të mbetet që kjo arritje e tij të jetë inspirim edhe për të tjerë persona me nevoja të veçanta.