Variantet e COVID-19, Delta dhe Omicron, janë më dominueset në botë.
Ato nuk po i kursejnë as fëmijët.
Omicroni ka rritur numrin e fëmijëve të prekur në botë e edhe në Kosovë.
Mbi 1 mijë raste janë konfirmuar gjatë javës te personat e mitur në nivel vendi.
Në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, sipas drejtoreshës Violeta Grajqevci-Uka, të premten të shtrirë ishin vetëm 2 fëmijë me COVID-19.
“Momentalisht i kemi dy fëmijë të hospitalizuar. Simptomat janë subjektive me kokëdhimbje, temperaturë, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, vjellje, diare etj. Moshat janë të ndryshme, prej 2 muajsh deri në 17-vjeç. Sa i përket trajtimit është simptomatik. Antipiretok, vitaminoterapi, lëngje më shumë. E në rast të simptomave më të rënda, atëherë duhet të lajmërohen në Klinikën e Pediatrisë”, ka shtuar Grajqevci-Uka, raporton emisioni “SOT” i KTV-së.
Duke pasur parasysh faktin se vaksina kundër virusit ende nuk është e lejuar për aplikim te fëmijët e moshës 5-vjeç, prindërit duhet t’i njohin disa nga simptomat e Omicronit tek fëmijët.
Ethe, kollë, frymëmarrje e shkurtër, lodhje, humbje e shijes ose e nuhatjes, dhimbje fyti e dhimbje koke, janë disa nga shenjat që prindërit duhet t’i vërejnë te fëmijët, thekson William Schaffner, specialist i sëmundjeve infektive.