SOT

Pjetërshani vazhdon traditën e zbukurimit unik

Kisha Katolike në Pjetërshan të Gjakovës edhe sivjet ka vazhduar atë që tashmë është bërë traditë – ndezjen e dritave të Krishtlindjeve.

Prej mbrëmjes së parë të dhjetorit, ka vite që fshati shndërrohet në atraksion, kur jo pak qytetarë ia mësyjnë pikërisht për shkak të zbukurimeve për festat e fundvitit.

Pos Famullisë së Shën Josefit, bartës të këtij organizimi janë edhe banorët e fshatit.

Ceremonisë solemne të ndezjes së dritave të Krishtlindjeve i ka paraprirë mesha e shenjtë me të cilën është përmbyllur viti kushtuar Shën Josefit.

Monsinjor dom Lush Gjergji ka falënderuar të rinjtë që çdo vit i bashkohen kësaj nisme për zbukurimin e kishës e të fshatit.

Sipas tij, festat janë një mundësi për të rikujtuar mesazhin e bashkimit e të dhurimit të mirësisë e të paqes.

Banorët edhe këtë vit pritën për të parë nga afër ceremoninë e ndezjes së dritave.

Pjetërshani me zbukurimin e veçantë, jo rrallë ka sjellë në Kosovë edhe mediat botërore.