Përderisa po vjen në vend-stacionin fillestar po ngjall interesim të madh të qytetarëve.
Aty po e presin prindër e fëmijë, të cilët janë entuziast për xhiron që do ta bëjnë për herë të parë me trenin i cili është risi në qytetin e Mitrovicës.
Nga sheshi e deri te liqeni akumulues është destinacioni i tij dhe kushton vetëm 50 centë për një relacion.
Përveçse për ta parë Mitrovicën gjatë rrugëtimit, qytetarë të shumë po e shfrytëzojnë atë edhe si mundësi për të shkuar te liqeni, pasi nuk ka ndonjë linjë tjetër transporti.
E një atraksion i tillë, mitrovicasit thonë se iu ka munguar shumë atyre.
Fillimi i operimit të trenit me rrota ka qenë iniciativë e Komunës së Mitrovicës, përderisa thonë se nuk kanë shpenzuar asgjë nga buxheti për sjelljen e tij këtu.
Ideja e këtij treni ka qenë edhe vitin e kaluar, por pandemia ka bërë që fillimi i tij të nisë këtë vit.
E gjatë rrugës po e merr vëmendjen e të gjithëve, të cilët po e përshëndesin me duar.
Treni, i cili është bërë i famshëm në Mitrovicë, është sjellë nga Zvicra tre vjet më parë.
Pronari i tij, Ilir Kamberi, tregon se për dy vjet me radhë i njëjti tren ka funksionuar në qytetin e Skenderajt, ndërsa pas kërkesës nga kryetari i Mitrovicës ai ka ardhur këtu. Por ai ka hezituar të tregojë se sa ka kushtuar ky tren.
Ndërsa synimi i tij është që çdo vit të shkojë në qytete të ndryshme, në mënyrë që t'i gëzojë fëmijët sadopak.
Operimi i tij është çdo dy orë dhe do të jetë funksional vetëm gjatë sezonit veror.