SOT

Sinjalistika që (ç’)rregullon trafikun

Mungesa e shenjave sinjalizuese shpesh vlerësohet si shkak për aksidente në komunikacion.

Ekspertët e komunikacionit thonë se shpesh mungojnë shenjat në trafik, e në shumë raste, edhe kur janë ato, krijojnë huti, pasi janë të vendosura gabimisht. Kjo edhe shkakton ngarkesë në trafik, por edhe aksidente, sipas tyre.

Për këtë problematikë, KOHA ka kërkuar sqarime nga personat përgjegjës të Komunës së Prishtinës, por deri në publikimin e kësaj kronike, nuk ka marrë përgjigje.

Ekspertët thonë se shenjat janë aty për të rregulluar trafikun, jo për të kundërtën.

Rifat Krasniqi, njohës i komunikacionit, ka shumë vërejtje për shenjat dhe vendosjen e tyre jo në përputhje me standardet e kërkuara.

“Në vendin tonë ka mungesë të sinjalizimit në shumë pjesë të rrugëve, në shumë vende kemi sinjalizim të vendosur në mënyrë jo të rregullt me lëshime teknike, të cilat më pastaj po shkaktojnë edhe aksidente vdekjeprurëse. Në këtë semafor kemi rregullin e qarkullimit me atë të sinjalizimit ndriçues, ku kthimi majtas edhe lëvizja drejt e shiritave e kanë fazën e njëjtë të qarkullimit”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, sinjalizuesit ndriçues duhet të mirëmbahen në mënyrë që të zvogëlohen aksidentet në vend.

e sinjalizimit has në shumë vështirësi për arsye se mos-sinjalizimi i rrugës njëkahore shkakton tollovi. Sinjalizuesi ndriçues duhet të shikohet në bazë të parametrave dhe sasisë të kapacitetit të qarkullimit që gjendet në atë pjesë të rrugës. Sinjalizimi te ne duhet të mirëmbahet që ta kenë pamjen sa më të qartë”, shtoi ai.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë se vetëdijesimi i qytetarëve në trafik është jetik për të shmangur aksidentet. E kur qytetarët nuk janë të përgjegjshëm vetë, Policia thotë se duhet ta bëjë këtë përmes gjobave.

“Një prej objektivave parësore për Policinë e Kosovës është edhe ofrimi i sigurisë rrugore për pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, andaj sipas planifikimeve operacionale, parashihen aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik. Veç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës në vazhdimësi apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që t’i respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor, si dhe t'iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike. Policia e Kosovës, për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për drejtuesit e automjeteve, të cilët bëjnë shkelje të ligjeve e rregullave të trafikut, nuk do të bëjë asnjë tolerim dhe do të ndërmarrë masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Sipas raportit policor, në periudhën janar-qershor të këtij viti u shqiptuan 218.832 gjoba trafiku, ndërsa përgjatë kësaj periudhe në 47 aksidente kanë vdekur 56 persona.