SOT

Bagëti mes bjeshkëve në “katunin e moçëm”

Është e zakonshme të hasësh në gjarpinj duke përshkuar rrugën që të shpie te fshati më i madh i Shalës së Bajgorës.

Fshati Vllahi në Shalë të Bajgorës ka mbi 300 banor.

Që në hyrje të fshatit mund të nuhatet veprimtaria parësore që familjet e këtij fshati e ushtrojnë çdo ditë.

Ka disa muaj prej se jetën po e bën si fermere.

Kjo është Shpresa Istrefi e cila kujdeset për fermën me 200 krerë dhi, por puna me to thotë se nuk po i sjell ende fitime.

“Ka katër muaj prejse e kemi hapur këtë fermë. Për herë të parë po punojmë me to. Në ora 7 në mëngjes i nisi për kullosa deri në ora 12, pastaj prapë deri në mbrëmje. Kohë e shkurtër sa merremi me to, por na kanë ngordhur 100 krerë dhi. Shkaqet nuk i dimë saktësisht, por mendojmë se mund të jetë mungesa e ushqimit”, shprehet fermerja.

Mëngjeset e gjejnë në bjeshkët e Vllahisë së Mitrovicës, e aty qëndron deri në orët e vona të mbrëmjes.

Për Muharrem Kurtin, jeta si bari i ka vështirësitë e veta, megjithatë thotë se mbetet përvojë e veçantë.

ditë si bari është kënaqësi. Gjithë ditën ne jemi në bjeshkë për t’i kullotë dhitë e shumë pak kohë kalojmë në shtëpi. Më parë kemi mbajt krerë lopësh dhe ka qenë më e lehtë, por jo edhe me dhi”, thekson Kurti.

Banorët e njohin si “Katuni i Moçëm”, por për ekzistencën e saktë të këtij fshati thonë se nuk e dinë saktësisht.

Janë mbi 600 eksponate të vjetra të mbledhura e ekspozuara në mini-muzen që e ka krijuar ish banori për të dokumentuar traditat e mënyrën e të jetuarit dikur në atë anë.

“Në këtë muze gjenden eksponate të kohës së gurit, hekurit, mesjetës dhe kohës sonë. Fshati Vllahi për kah trashëgimia kulturore është tejet i pasur. Këto eksponate që i shihni këtu i kam gjetur, i kam blerë e edhe mi kanë bërë dhuratë”, shprehet ish-banori Shasivar Begu.

Nga 30 familje sa janë në këtë fshat, pjesa më e madhe e vendasve merren edhe me bujqësi.

“Jeta këtu është shumë e mirë. Ne banorët jetojmë me blegtori e më pak me bujqësi.Tokat nuk po punohen pasi që shumë banorë janë shpërngulur”, thotë banori Besnik Kurti.

Jetesës në këtë fshat, gjallëri i japin fëmijët, lojërat e të cilëve, lehtësisht kthejnë në kujtesë kohën e dikurshme.