SOT

Të verbrit probleme qarkullimi në kryeqytet

Kalimi i rrugës prej një ane në anën tjetër për të riun e verbër Halil Kurmehaj po është mjaft e vështirë. Kjo edhe pse ai po i respekton rregullat në komunikacion, duke kaluar në vendkalimin për këmbësorë, ku ndër të tjerash ka edhe semaforë. Por, për Kurtmehajn, problem është mosfunksionimi i tingullit akustik.

Është vetë Komuna e Prishtinës ajo që hoqi nga përdorimi këtë nyje semaforike.

“Është shumë e vështirë, duke pasur parasysh faktin se s’kemi infrastrukturën e nevojshme për kalim, siç e patë mungojnë pjerrinat në rrugë, shiriti për të verbër e që në rastin tim është e pamundur me kalu vetë këtë rrugë, për shkak se mund të pësosh me fatalitet. Pothuajse 98% kam përcjellës në çdo rrugë, përfshirë miq të mi, familjarë, bashkëpunëtorë të ndryshëm.”

Institucionet janë fajtore, pasi që po e pamundësojnë lirinë e personave të verbër në komunikacion, thotë Kurmehaj.

Halil Kurmehaj është vetëm një nga shumë personat e këtij komuniteti që nuk ndihet i sigurt në komunikacion, për shkak i mungesës së sinjalizuesve akustikë.

“Sa i përket qytetit të Prishtinës, ne kemi bërë kërkesa dhe ankesa të mjaftueshme në Komunë, natyrisht kërkesat kanë qenë nëpërmjet telefonit dhe postës elektronike. Unë kam parashtruar ankesa edhe si person fizik, edhe në emër të subjektit që quhet Shoqata Iniciativa e pavarur e të verbërve, por nuk kemi marrë një përgjigje, përveç përgjigjeve verbale”.

Mungesa e sinjalizimit të duhur ka kufizuar lëvizjen e të verbërve nëpër rrugë publike. Kështu është shprehur Rifat Krasniqi, njohës i komunikacionit rrugor.

“Mungesa e sinjalizuesit ndriçues, bashkë me të edhe akustika, janë sfida në vete për të gjithë personat me aftësi të kufizuar, në këtë rast të verbër. Rasti te “Qafa”, ku sot nuk punojnë semaforët dhe nuk kemi akustikë, është një sfidë mjaft e madhe për qarkullimin e këtyre personave. Ajo që duhet të bëhet është që të ndërmerren hapa konkretë në realizimin dhe plotësimin e kushteve të qarkullimit të personave me aftësi të kufizuar, në këtë rast personave të verbër”.

Sinteza vokale është alfa edhe omega për nevojat e këtij komiteti. Kështu e përshkruan gjendjen faktike të personave të verbër Mexhit Foniqi nga Shoqata e personave të verbër.

“Është një rrezik i pashmangshëm meqenëse personat e verbër nuk e kanë guximin të dalin vetë në qytet, për faktin se mungon infrastruktura rrugore e përshtatshme për personat e verbër. Fillimisht mungon fusha taktile, e cila është një parakusht për me ardhë deri te semafori që ta orientojë të verbrin”.

“Prej institucioneve përkatëse kërkojmë që ta kthejnë kokën pak edhe nga aftësia e kufizuar, se aftësi e kufizuar llogaritet diku deri në 10% e popullatës e përgjithshme të Kosovës, ai është një numër jashtëzakonisht i madh edhe ata duan me qenë të barabartë si të gjithë të tjerët.”

Nga 20 nyje semaforike pajisur me akustikë, në kryeqytet të verbrit po ballafaqohen me mosfunksionalizimin e këtyre të fundit.

Për këtë gjë, Enver Kadriu, inxhinier për transport dhe trafik në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, arsyetohet duke thënë po punojnë në shtigje për të verbrit.

Por, në realitet, problemi qëndron edhe te tenderi për mirëmbajtjen e semaforëve, i cili është shpallur në muajin mars, por që ende nuk ka operatorë ekonomikë.

“Presim shumë shpejt edhe lidhjen e kontratës për sinjalizim horizontal dhe vertikal, e në kuadër të asaj kontrate në bashkëpunim me Shoqatën e të verbërve, kërkesat që i kanë ata, brenda mundësive me ua realizu”.

Ndërprerja e disa semaforëve në kryeqytet ka ndodhur nga KEDS-i, për shkak të punimeve të rrjetit energjetik nëntokësor, të cilat e kanë dëmtuar sinjalizuesin ndriçues, si dhe për shkak të vjedhjes së baterive të semaforëve nga persona të paidentifikuar ende, ka shpjeguar tutje Kadriu.

Derisa në KEDS nuk kanë dashur të prononcohen, në KMDLNJ kanë thënë se po shkelet Ligji për persona të verbër, i cili ndër të tjerash thotë se: Personat e verbër në shërbime publike kanë përparësi në zgjidhjen e kërkesave. Sipas nevojës, ata duhet ta tregojnë librezën që dëshmon statusin e tyre.

“Ligji Nr. 04 /L – 092 “Për Persona të Verbër”, qartë rregullon statusin ligjor të personave të verbër në Republikën e Kosovës. Neni 15, paragrafi 1, thotë se: “Institucionet përgjegjëse për miratimin e infrastrukturës dhe rregullimin e territorit nuk miratojnë asnjë projekt për rrugë dhe mjedise publike në qoftë se në to nuk janë marrë parasysh përshtatjet e nevojshme dhe të mundshme për personat e verbër, ndërkaq paragrafi 2 thotë se: “Personat e verbër në shërbime publike kanë përparësi në zgjidhjen e kërkesave. Sipas nevojës ata duhet ta tregojnë librezën që dëshmon statusin e tyre. Gjithashtu, sipas këtij ligji: “Operatorët privatë dhe publikë duhet t’i përcaktojnë vendet për të verbrit dhe të vendosin sinjale përkatëse. Këto vende janë të liruara nga detyrimi fiskal i përcaktuar me udhëzim nga MT.

Ndërkaq, neni 23 i këtij Ligji thotë se: “Çdo institucion i cili nuk i respekton dispozitat e këtij ligji ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi”.