SOT

“Rruga e kovaçëve” me vetëm 2 farkëtarë

Dikur ky vend njihej si “Rruga e Kovaçëve”, ku kishte gjithsej 8 farkëtarë që ushtronin këtë zeje.

Tani kjo rrugë ka ndryshuar dhe kanë mbetur vetëm dy të fundit që po e mbajnë ende të gjallë këtë zeje në Prishtinë.

78-vjeçari Gani Berisha është njëri nga ta. Edhe pse në moshë të shtyrë vazhdon me shumë vullnet të punojë këtë punë gjatë gjithë ditës.

Këtë zeje, të cilën e kishte mësuar qysh në vogëli nga daja i tij, ai mendon ta vazhdojë ende në një hapësirë të ngushtë dhe që gjendet në bodrum.

Për shkak të moshës, ai tani nuk i bën më të gjitha punët që i ka bërë më parë. Sëpata është ajo që e punon më së shpeshti, e cila i merr deri në 20 minuta kohë për ta përgatitur.

Këtë zanat ia ka trashëguar edhe djalit të tij, mirëpo i njëjti nuk e ka për synim ta vazhdojë këtë traditë.

Farkëtari tjetër është Agron Uka, i cili këtë zanat e ushtron që kur ishte në klasë të 8, e të cilin e kishte trashëguar nga babai.

Megjithëse ka dashuri të madhe për këtë punë, po t’i vinte mundësia Uka tani do merrej me tjetër gjë, pasi me këtë punë më nuk po ia arrin t’i mbajë katër fëmijët e tij.

Ai kujton ditën e pazarit që në të kaluarën bëhej ditëve të marta.

Uka thotë se në të kaluarën Komuna e Prishtinës u kishte premtuar nga një rrogë fikse vetëm të mos shuhej kjo zeje, mirëpo nuk ka pasur asgjë konkrete për realizimin e premtimit.