Një insekt për ta kujtuar pandeminë e koronavirusit edhe për shumë kohë pasi të marrë fund.
“Potamophylax coronavirus” është insekti i zbuluar nga profesori i shkencave në degën e biologjisë, Halil Ibrahimi. Është emërtuar kështu për shkak të kohës kur është zbuluar.
Profesori Ibrahimi, në një intervistë në programin e mëngjesit “Sot” në KTV, ka thënë se ai është zbuluar në zonën burimore të Lumbardhit dhe se jeton vetëm edhe në Bjeshkët e Nemuna.
Ibrahimi ka treguar se në bazë të studimeve që ka kryer, ky insekt është i veçantë, jeton vetëm në Kosovë, madje vetëm në zonën e Bjeshkëve të Nemuna.
“Qëllimi i këtij emërtimi është që përmes një emri ta tërheqim vëmendjen e të tjerëve që s’kanë interes as profesional e as tjetër. Emri është vënë për shkak të periudhës kur është zbuluar. Zakonisht kur bëhen emërtimet bëhen sipas kohës, vendit apo ngjarjeve”, ka thënë Ibrahimi.
Ky insekt, sipas Ibrahimit, jeton një vit në ujë, më pas për disa javë fluturon dhe me kaq përfundon cikli i tij.
Si zbulim është pranuar edhe nga njohës të fushës në botë.
“Punimi i përshkrimit të këtij lloji të ri është publikuar në revistën prestigjioze Biodiversity Data Journal, e cila boton lloje të reja për shkencën”, ka thënë Ibrahimi. “Simbolikisht, emri i llojit, potencon edhe një pandemi tjetër që është duke ndodhur në lumenjtë e Kosovës, e në veçanti në Lumbardhin e Deçanit, si rezultat i ndotjes, degradimit dhe keqmenaxhimit të hidrocentraleve”.
Ai tregon se “vula” e veçantisë së këtij insekti i është vënë pas një studimi të gjatë të insekteve të ngjashme në Ballkan. U është bërë ADN-ja dhe është konstatuar se pos pjesës morfologjike, dallon edhe në materialin gjenetik.
“Është lloj endemik, jeton vetëm në Kosovë, ka shtrirje shumë të ngusht, nuk fluturon shumë, aftësinë e zhvendosjes e ka shumë të vogël, në Kosovë jeton vetëm në Bjeshkët e Nemuna dhe në zonën burimire të Deçanit, për këtë edhe e bën më të veçantë”, ka thënë Ibrahimi.