SOT

Interesimi dhe dobitë e sportit të gjimnastikës

Përvetësimi i aftësive të ndryshme fizike, dobia në shëndetin mendor e nxitja e shpirtit luftarak janë ato që e karakterizojnë sportin e gjimnastikës.

Së fundmi interesimi për këtë sport është shtuar dukshëm në Kosovë e veçanërisht nga vajzat e moshave 4 deri në 8 vjeç.

60 gjimnastë të moshave të ndryshme kanë zgjedhur klubin e gjimnastikës ‘’Fushë Kosova’’ për të kanalizuar talentin e tyre për këtë sport.

Sipas trajneres Shera Aliqkaj – Qerimi, kjo vjen si rezultat i punës që bëhet me të rinjtë e qytetit dhe dobive që e karakterizojnë gjimnastikën.

Ndonëse si sport është mjaft kërkues, Qerimi thotë se përkushtimi i gjimnastëve për të dalë sa më mirë e bën punën më të lehtë për ta.

Kjo punë, sipas saj, është shpërblyer me pjesëmarrje në gara ballkanike e ku edhe renditja ka qenë e kënaqshme duke marrë parasysh kushtet për stërvitjeve.

Njëra prej gjimnasteve që po tregon vazhdimisht suksese e ngritje në karrierë është 13- vjeçarja Elena Mangjolli, e zgjedhur si “Shpresa e vitit’’ në Komunën e Fushë- Kosovës e përfaqësuese në gara jashtë vendit.

Karrierën ajo e ka nisur që e vogël, derisa thotë se njohuritë e pakta për këtë sport dhe rreziku që e karakterizon e kanë shtyrë që të merret me gjimnastikë.

Për të arritur majat trajnerja Aliqkaj-Qerimi thotë se gjimnastika duhet nisur që herët ashtu që trupi të mësohet me ritmin e shpejtë të sportit.

Derisa shpjegon edhe disiplinat dhe kategoritë që klubi i kushton më shumë vëmendje.

Për çdo vit klubi i gjimnastikës ‘’Fushë Kosova’’ përgatit dy deri në tre gjimnastë kualitativë për gara, ku synim kryesor mbetet fitimi i medaljeve olimpike.