Afro 5 kilometra larg qytetit të Shtimes është fshati Mollopolc. Me ajër të pastër e natyrë të bukur, kështu përshkruhet fshati i fundit i Shtimes, e i cili kufizohet me malet e bukura të Jezercit.
Kryetari i fshatit, Demokrat Mujota, tregon se banorët e këtij fshati bazë për përfitime financiare i kanë bujqësinë e blegtorinë.
Ai thotë se banorët e këtij fshati janë të zotë për punë, e me krenari përmend faktin se personalitete të njohura në Kosovë, janë me origjinë nga Mollopolci.
Sipas Mujotës, fshati njihet edhe për mikpritjen e madhe që banorët u bënë ushtarëve të UÇK-së gjatë periudhës së luftës.
Fshati ka infrastrukturë të re kryesisht, por po ashtu ruan edhe themelet e shtëpisë së vjetër e cila u ka mbijetuar 150 vjetëve të kaluar.
E nga 4 mullinj me ujë sa ishin dikur, tashmë vetëm njëri prej tyre është funksional.
Periudha e pandemisë ishte koha që vuri në punë më së shumti mullirin e Roshajve.