SOT

Noti, sport me shumë dobi për shëndetin

Ndër sportet më të dobishme për shëndet është noti. Që nga problemet fizike e deri tek ato psikologjike e sociale mund të mënjanohen me anë të notit.

Notarja, Rita Zeqiri, tregon nga ana profesionale që pa marrë parasysh moshën, ushtrimi i notit sjell benefite.

Skolioza, është shtrembërim i boshtit kurrizor, me anë të notit shërohet tërësisht nëse ushtrimet fillojnë para moshës së pjekurisë.

Krahas këtyre, edhe fobia ndaj ujit është e shprehur te grupmoshat e ndryshme, por Zeqiri thotë se është lehtë e mënjanueshme me anë të ushtrimeve.

Edhe pse është i preferuar për këdo që ka probleme shëndetësore, mosha 3-vjeçare është idealja për të filluar ushtrimet në sportin e notit.

Kur fillon praktikimi i notit në përditshmëri, shfaqet edhe talenti dhe dëshira për pjesëmarrje në gara.

Zeqiri si përfaqësuese e Kosovës në Lojërat Olimpike Verore, merret me ata që kanë potencial për t’u zhvilluar tutje në sportin e notit.

Sipas saj, talenti e ushtrimet shkojnë dorë për dorë kur është fjala të arrihet sukses.

Ndër të tjera, noti ndihmon edhe në ruajtjen e shëndetit të zemrës, mushkërive dhe mirëmbajtjen e peshës.