Që e vogël Albulena Kafexhiut i pëlqente gatimi i ëmbëlsirave me zbukurime e dekore të veçanta.
Kohën e karantinës ajo e shfrytëzoi që këtë dëshirë për gatim ta kthejë edhe në punë.
“Me ëmbëlsira jam marrë qysh kur kam qene më e vogël. Përveç shijës jam marrë gjithmonë edhe me dekore, më ka pëlqy, në fakt në atë kohë nuk kam pasë me i bo me marcipan, me fondant mirëpo i kam dekoru me gjëra që i kam pasë në shtëpi”, ka deklaruar Albulena Kafexhiu.
Secili e ka një recetë familjare të ëmbëlsirave, që përgatitet në festa e gëzime.
Kafexhiu punën e saj e filloi me ato receta që i dinte, duke vazhduar që të bënte edhe ndryshime në to e duke i përshtatur përbërës të tjerë.
Ëmbëlsirat që ajo i shet janë të personalizuara në bazë të kërkesave.
Kjo ka bërë që thuajse me secilën porosi të lindë një ide e re për shijen e dekorin e ëmbëlsirës.
Brenda 5 muajve Albulena ka arritur që t’i përgatisë afër 200 ëmbëlsira, secila për shijen e një klienti tjetër.
Përveç promovimit të punës së saj në rrjetet sociale edhe klientët e kënaqur i kanë ndihmuar në shtimin e porosive.
Rastet kur porositë i dërgon vetë ajo janë kur ëmbëlsira është befasi nga ndonjë familjar për të dashurit e tyre.
Për të është kënaqësi kur është pjesë e përvojave të mira për të tjerët.
Gatimi i ëmbëlsirave tashmë është puna e përditshme e saj, së cilës i përkushtohet shumë.