SOT

Boksieri kosovar që e fitoi titullin kampion në Holandë

Entuziaste e me plot energji ishin paraqitjet e tij në ring.

Është ky boksieri Sahit Kadriaj, i cili e nisi dhe e zhvilloi karrierën në Holandë.

Me t’u kthyer në Kosovë, Kadriaj kishte pauzuar për një kohë, derisa tani ka rinisur përgatitjet për duelet e radhës.

“Me profesion jam boksier, ushtroj prej një kohë të gjatë. Këtu jemi në fitnesin ku ushtroj rregullisht e ku si zakonisht e filloj me nxemje, para stërvitjeve tjera që më duhen”, tregon boksieri.

Boksieri nga Fushë-Kosova karrierën e tij si boksier e shihte vetëm jashtë vendit, pasi siç thotë ai në Kosovë nuk ishte e mjaftueshme përkrahja ndaj sportistëve.

“Qysh herët si fëmijë e kam pasur pasion. Në Kosovë, kam ushtruar, por me pajisje më primitive, deri në moshën 20-vjeçare mu dha mundësia të shkoj në Holandë atje ku e fillova këtë sport”, shprehet Kadriaj.

Kadriaj në Holandë fitoi disa tituj. Mes tyre edhe titullin Kampion i Holandës.

“Për një kohë të shkurtër që u kyça në boks, mora tre titujt e parë në tri provinca në Holandë , derisa në fund e arrita edhe titullin kampion i Holandës”, thotë boksieri kosovar.

Stërvitjet intensive dhe regjimi në ushqim është i domosdoshëm shprehet boksieri.

Në mes shumë suksesesh, që nga fillimi i karrierës si boksier amator, Kadriaj përmend momente kur ishte në prag të dorëzimit, por këtij të fundit nuk iu nënshtrua.

“Më ka ndodhur kur e kam filluar meçin, kam udhëhequr mirë raundin e parë, në të dytin kam pasur pak dështim, sepse e mendoja kundërshtarin më të fortë se unë, por trajneri me ka nxitur duke më thënë që fitorja është e jotja. Jam kthyer me fjalët e tij dhe e kam përfunduar meçin me fitore”, tregon Sahit Kadriaj.

Synimet e boksierit nga Kosova synojnë edhe tituj të tjerë në sportin që e ka zgjedhur që herët, por të gjitha ato shpreson t’i realizojë larg vendlindjes.