SOT

Pensionisti gjakovar krijon art nga reciklimi i letrës

Asnjë letër në shtëpinë e tij nuk shkon dëm.

Ish-mësuesi Ali Muhaxhiri nga Gjakova, letrat që nuk i nevojiten për lexim, i shfrytëzon në një mënyrë tjetër.

Qëkur doli në pension, Muhaxhirri përmes riciklimit të letrës po krijon art.

“Me profesion kam qenë mësimdhënësi i ciklit të ulët dhe tani jam në pension. Hobi kam punimet nga letra të cilat janë pëlqyer nga të tjerët dhe me kanë dhënë shtysë për të vazhduar edhe më tutje. Si kureshtje së pari kam bërë diçka të vogël me letër, kam punuar edhe me skulptura dhe piktura, më vonë kur dola në pension fillova të humbi kohën e lirë duke punuar me këto punime të letrës”, thotë Muhaxhiri.

Ai tregon se çdo letër që shihte në rrugë e merrte dhe më pas e përpunonte.

“Mbeturinat e letrës si revista, gazeta apo fletushkë që e kam gjet në rrugë i kam marr, nga to kam filluar të punoj. Koha e përfundimit varet nga punimi, por punoj duke pushuar”, thotë ai.

Përmes gazetave e revistave të ndryshme, ai bën thurjen e çantave e koshave të ndryshëm, të cilët i përdor në shtëpi.

“E marr gazetën dhe pres në pjesë të barabartë, pastaj i bëj në formë të fyshtëve e që më pas i ngjyrosi. Në fund bëhet thurja e koshit dhe me ndihmën e ngjitësit forcohet materiali”, shton ai.

Edhe figura të cilat tashmë shfrytëzohen si dekor shtëpie janë po të njëjtat të punuara nga letra. Sipas tij, puna e dorës e bërë duke ricikluar letra nuk vlerësohet aspak në Kosovë.

“Në përgjithësi mendoj se pak vlerësohen punimet e dorës e këto letra, kurse në shtete tjera është ndryshe”, pohon ai.

Mosha ka bërë që ai tani të mos merret intensivisht me këtë punë, porse në kohën e lirë ende vazhdon të krijojë për nipat e mbesat e tij.

“Kam 9 vjet që punoj kështu por për shkak të shikimit të dobët e kam ndërprerë në mënyrë që mos t’i dëmtoj më shumë. Nipat dhe mbesat që kërkojnë punime si zogj e flutura, ju punoj dhe i gëzoj”, shton në fund Muhaxhiri.

Riciklimi i letrës është një praktikë e cila për qëllim ka reduktimin e sasisë së mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit.