SOT

Kaçaniku me ujëvara që pritet t’i sjellin turistë

Në qendër të Kaçanikut nis e shtrihet një shteg i ri i ecjes, që vazhdon mes lagjeve e ngjitet lart në malet që rrethojnë qytetin.

Shtegu prej 13 kilometrash, që përshkohet me rreth 3 orë ecje mesatare, jep një pamje magjepsëse.

Pavarësisht motit të ftohtë, 20 anëtarë të Shoqatës për Mbrojtjen e Mjedisit “Gjethi” kanë punuar në pastrimin dhe vendosjen e shenjave të ndryshme që e tregojnë rrugën për në destionacionin e fundit, që janë ujëvarat e Koblishtës.

Tashmë ato kanë edhe platformë e ulëse për shkak të projektit më të ri të realizuar nga “Gjethi” me mbështetje të Komunës së Kaçanikut.

Qëllimi i projektit të “Gjethit” sipas anëtarit Sami Stagova, ishte nxitja e turizmit dhe promovimi i natyrës.

Vizitorë, sipas tij, ka çdo fundjavë, sidomos dashamirë të ecjes në male.

Ujëvara tjetër, siç njihet Ujëvara 2, është edhe më e gjatë se e para dhe është edhe më e dashur për koordinatorin Remzi Reka.

Pastrimi i vendit nga degët e shumta ka qenë i vështirë, mirëpo ai është i kënaqur me rezultatin, ndërkaq shton se "Gjethi" ka plane edhe për vitin e ardhshëm.

Ndryshe, uji që rrjedh nga dy ujëvarat, bëhet pjesë e lumit Morava e Binçës, që bën pjesë në pellgun e Detit të Zi.