SOT

Kërkesa të mëdha për pemë të Vitit të Ri

Dekorimet për festa tashmë kanë nisur.

Pema e fundvitit është simboli që njofton se jemi afër festave. Ato që së fundmi po tërheqin më shumë interesim, sipas Fahrije Limanit, janë pemët natyrale.

“Kjo është periudha kur klientët vijnë dhe zgjedhin bredhin natyral, meqë një bredh në ambientin e brendshëm e ka ngrohtësinë e saj, po ashtu edhe aroma është shumë e mirë. Kohëve të fundit bredhat natyral janë ndër më të kërkuarit”, thotë Limani, raporton KOHA.

Bredhi natyral kërkon më shumë kohë për ta rritur shtatin, megjithatë për në hapësirat e brendshme preferohen shtatshkurtrat.

“Bredhi në kopsht nuk është dru që rritet shpejtë, por shkon gradualisht duke u rritur dhe këta janë të përshtatshëm për ambientet e brendshme të shtëpisë”, shton ajo.

Pos pemës, karakteristikë tjetër e festave të fundvitit është lulja e veçantë e Krishtlindjes, që ndryshe njihet si Poinsettias, e cila ngjyrën e saj të bukur e sjell vetëm në muajt e fundit të vitit.

“Emri i saj vjen nga ajo që në periudhën e festave merr ngjyrën e kuqe dhe të zjarrtë, ndërsa gjatë tërë vitit është e gjelbër”, tregon Limani.

Me pemën e Vitit të Ri mund të kombinohet bukur edhe lulja Poinsettias.

“Poinsettias mund të kombinohet me vazo të ndryshme. Edhe pema e vitit të ri mund të dekorohet nëse i vendosim përreth saj lulen e krishtlindjes”, shton Limani.

Kjo lule ka shumë karakteristika të cilat e bëjnë unike. Për ta kuptuar se zhvillimi i saj po shkon në mënyrë të duhur, gjethet duhet të arrijnë rritjen nga 6-8 cm., ndërsa gjatësia e trupit mund të arrijë deri në 4 metra.

Dashurinë ndaj luleve e ka trashëguar edhe një nga mbesat e familjes Limani, Erëza, të cilës i pëlqen më së shumti pjesa e dekorimit.

“Pasionin e dashurinë ndaj luleve e kam trashëguar njëjtë sikurse familja ime. Unë vazhdimisht kam vizituar lulishten dhe i kam parë familjarët se si punojnë me to, por unë merrem më shumë me pjesën e dekorit”, pohon ajo.

Që tavolina e natës së Krishtlindjes dhe ajo e Vitit të Ri të duken më bukur të stolisura, mjafton kombinimi i detajeve që simbolizojnë këto festa.

“Për dekorin e tryezës mund t’i përdorni të gjitha detajet e festës që i keni. Nëse nuk mund ta punoni vetë një të tillë, Agrocoop është këtu për të ju ndihmuar”, shton ajo.

“Agrocoop” është shtëpia ku mund të gjeni llojllojshmëri të luleve të secilit sezon.