SOT

Fëmijët e pasionuar pas veshjeve tradicionale në festa

Është vetëm 5-vjeçe, mirëpo e pasionuar pas veshjes kombëtare. 28 Nëntori për Rida Polisin është një nga ditët më të dashura.

Asaj i pëlqen që veshja e saj të përkojë me Ditën e Flamurit, andaj edhe emocionet që përjeton në këtë ditë janë lehtësisht të qarta, transmeton KOHA.

Tashmë e veshur në rrobat tradicionale, ajo është gati të shkojë në shkollë dhe të fillojë programin festiv në klasën e saj.

Rida thotë se i pëlqen t’i shohë të gjithë shokët e shoqet e saja të veshur në këto rroba të veçanta.

Në festën e flamurit të gjithë fëmijët janë të sinkronizuar nën hijen e ngjyrave kuqezi.

Vëmendjen që ia kanë kushtuar kësaj feste është më se e dukshme, secili nga ta i veshur me detaje kombëtare.

Mësimdhënësja e klasës përgatitore të shkollës “Mitrush Kuteli” në Matiqan thotë se të gjithë nxënësit kanë njohuri për ditën e veçantë të kombit.

Për dëshirën e Ridës, që në këtë festë t’i ketë veshjet kombëtare, tregon edhe e ëma e saj, Dritë Slivova-Polisi.

Se të gjitha moshat, përfshirë edhe fëmijët, që i pëlqejnë këto veshje, tregon edhe rrobaqepësja nga fshati Poklek i Drenasit, Mirvete Haxhiu, e cila në lokalin e saj bën qepjen e tyre.

Festa e sivjetme e Nëntorit, duke qenë se po festohet në kohë pandemie, Mirvetja ka punuar edhe maskat e veçanta.

Interesimi për veshjet tradicionale kombëtare më së shumti rritet gjatë festave, e sidomos në festën e flamurit kombëtar.