SOT

Një jetë me shtiza e punime dore

Tërë jetën e saj e kujton me shtiza e grep në dorë. Shpresa Emini, kjo zonjë nga qyteti i Gjilanit, e ka shumë përzemër punën e dorës.

Madje, kur flet për punimet e saj nuk mund si mos ta vëresh pasionin e lumturinë që ia dhuron ky aktivitet.

Me kohën kanë ndërruar edhe zakonet, e atë të pajës për nuset, 58-vjeçarja e kujton me punimet e saj që ishin pjesë e shumë fillimeve të mira.

Edhe kohën e çajit e kafesë me shoqet gjithnjë e kaloi duke thurur e duke ndarë ide me to, që qoftë edhe punimi më i thjeshtë ta përmbajë në vete dashurinë e asaj që e krijoi, transmeton Koha.

Punimet e saj Shpresa Emini gjithnjë i bëri si dhurata për të afërmit. E pas shumë kohësh mbesa e saj ia dha idenë që të fillojë edhe t’i shesë te të tjerët. Përveç kësaj, puna me grep u bë edhe burim shërimi për të.

Pasi që publikut iu dha mundësia t’i shohë punimet e saj në rrjetet sociale, edhe kërkesat e pëlqimet ishin të shumta. Kjo ia rriti dashurinë e vullnetin për të thurur.

Sezoni i çantave që zonja e kërrabëzave dhe grepit i thur tashmë ka kaluar, por interesimi i madh e bën që të vazhdojë t’i shesë. E për stinën e dimrit e ka në plan që të punojë kapele e shalle me stilet unike që ajo i sjell.

E Shpresa mendon që thurja me shtiza e grep duhet të përcillet si zanat, e të mos shuhet.

Ajo është e vendosur që ta vazhdojë punën, duke kërkuar gjithnjë modele të reja për t'i gërshetuar me ato tradicionalet.