SOT

Adaptimi i fëmijëve në parafillor

Viti 2020 është i veçantë, sidomos për klasat parafillore. Pesëvjeçarët e gjashtëvjeçarët ndeshen me një ambient më ndryshe kësaj here. Këtu kërkohet edhe përmes shenjave mbajtja e distancës. Drejtori i shkollës model “Qamil Batalli” në kryeqytet, Liridon Maliqi, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet për ta filluar mësimin. Për këtë është përkujdesur edhe një task-forcë e veçantë për parandalimin e virusit.

Kujdes, sipas tij, ka edhe në përdorimin dhe shpërndarjen e dezinfektuesve. Po ashtu ka kujdes në hyrje-dalje.

Ndërsa edukatorja Albulena Sahiti thotë se ky fillim duket më i lehtë sesa që e kanë pritur edukatorët.

Sipas Sahitit, ky është vit që kanë ndryshuar lojërat e zakonshme, ku fëmijët shkëmbejnë lodra dhe kapen përdore nëpër rrathë.

Ky vit ka ndikuar edhe në psikologjinë e fëmijëve dhe të të rriturve, andaj edhe psikologja e shkollës Albana Desku këshillon për kujdes të veçantë, sidomos në informacionet që u jepen fëmijëve.

Në këtë situatë, gjetja e lojërave të reja dhe rikthimi te disa lojëra të vjetra, që i karakterizon distanca, duket se do të jenë risi për fëmijët që vijojnë mësimin parafillor për këtë vit.