Të rrallë janë qytetarët që kujdesen për masat mbrojtëse pas heqjes së kufizimeve. Kjo vërehet qartë në shesh e kafene të kryeqytetit. Por të pyetur thjesht “a është koronavirusi punë e madhe”, ata përgjigjen në mënyra të ndryshme.
Sidoqoftë, koha e mbylljes ka ndikuar në psikologjinë e njerëzve.
Saimir Xharra, studiues i psikologjisë dhe vullnetarë në qendrën e thirrjeve falas për ndihmë psikologjike, thotë se mbyllja ka pasur ndikim edhe në mënyrën se si shumë njerëz marrin informacione të reja, raporton KOHA.
Ai i veçon teoritë e pabaza konspirative se ka njerëz që paguhen për t’u deklaruar si të infektuar me COVID-19.
Ndërkaq për infektologun Valbon Krasniqi, i cili e ka parë Infektiven të stërmbushur këto kohë, vlen apeli i njëjtë për vetëdijesim të qytetarëve për zbatimin e masave mbrojtëse.
Krasniqi, duke treguar numrat e ditës së mërkurë, shton se përdorimi i qendrës së mjekësisë sportive ka qenë domosdoshmëri për pranimin e pacientëve të rinj.
Për herë të fundit për rrezikun e mbingarkesës, alarm ka dhënë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike më 19 qershor.
IKShPK ua ka kujtuar qytetarëve se duhet të vendosin maska, t’i lajnë duart më gjatë se zakonisht dhe të mbajnë distancë fizike.
Ndërsa sipas Universitetit Johns Hopkins, në nivel global deri tash janë konfirmuar mbi 9 milionë e 400 të infektuar, 4 milionë 750 mijë të shëruar dhe afërsisht 483 mijë të vdekur. Përderisa shpesh qytetarët nuk mbrohen nga virusi, nuk ka ndonjë dëshmi se sëmundja COVID-19 është dobësuar ose zhdukur.