Shtojca për Kulturë

Turbo-folku i luftës në Serbi

“Për çka ju duhet buka? Sa Ramazane mendoni se do të keni?”

“Myslimanë të degjeneruar”

“Do të kryejmë një masakër, do të masakrojmë shqiptarët, do të vrasim vehabistët, kushdo që reziston do të ngulet në hu”

Këto nuk janë citate nga skenat e torturave të filmave apo mitingje skajshmërisht raciste, por tekste të përkthyera nga këngët popullore në Serbi. Tekste të tilla nuk janë ato që njerëzit, veçanërisht ata në Shtetet e Bashkuara, normalisht kanë ndërmend kur bëhet fjalë për pop-hite. Këto tekste barbare janë një pasqyrim fatkeq i së kaluarës së afërt. Luftërat brutale jugosllave të viteve 1990 jo vetëm që krijuan vendet si Kroacia, Bosnjë e Hercegovina dhe Sllovenia, por gjithashtu çuan në një rritje të popullaritetit të muzikës së luftës të quajtur turbo-folk. Të tri grupet në luftë kishin versionet e tyre të këngëve turbo-folk, por ajo më e spikatura mbetet në Serbi. Për të kuptuar plotësisht tekstet e këtyre këngëve dhe popullaritetin e tyre, është e rëndësishme të njihet historia e Ballkanit dhe implikimet për marrëdhëniet e sotme.

Rrënjët e Luftërave Jugosllave qëndrojnë në ndarjet e ashpra midis grupeve të ndryshme etnike që përbënin Republikën Socialiste të Jugosllavisë.

Diversiteti i Ballkanit

Gjatë ekzistencës prej vitit 1918 deri në vitin 1991, Jugosllavia kishte një popullsi që përbëhej nga disa grupe të ndryshme etnike, ndër të cilat, më të mëdhatë ishin serbët, kroatët dhe boshnjakët. Grupet e tjera përfshijnë sllovenët dhe shqiptarët. Këto grupe njihen kolektivisht si sllavë të jugut (duke përjashtuar shqiptarët) dhe kanë prejardhje të përbashkët.

Megjithatë, historia e perandorive evropiane i dha secilit prej këtyre grupeve një identitet të veçantë. Në shekullin e 11-të, i ashtuquajturi krishterim evropian u nda në dysh, ku Perëndimi ishte katolik-romak dhe Lindja ishte ortodokse. Perandoria më e fuqishme në Perëndim, Perandoria e Shenjtë Romake, dhe ajo më e fuqishmja në Lindje, Perandoria Bizantine, dominonin çështjet evropiane dhe zotëronin toka të gjera. Këto dy perandori kufizoheshin me njëra-tjetrën në Ballkan dhe kështu sllavët e jugut u ndanë. Ata në perëndim, nën kontrollin e Hapsburgëve, ishin katolikë, ndërsa ata në lindje, nën sundimin bizantin, adoptuan ortodoksinë lindore. Si rezultat, kroatët dhe serbët u formuan si grupe të veçanta etnike. Bosnja, duke qenë mes Kroacisë dhe Serbisë, zinte një hapësirë unike. E vendosur në mes të Ballkanit, ishte relativisht e vështirë për t’u qasur dhe si pasojë e kësaj u formua një kishë e veçantë boshnjake në vend të ndikimit të jashtëm. Krishterimi boshnjak ishte më pak i devotshëm dhe kur Perandoria Osmane mori pushtetin në 1453, shumica e boshnjakëve u konvertuan në Islam.

Nën rregullat otomane, kishte një arsye të madhe për t’u konvertuar në islam, meqenëse myslimanët mund t’i shmangeshin pagesës së taksës, kishin më shumë privilegje në shoqëri dhe gjithashtu ishin të lejuar të mbanin pozita të larta në Qeveri. Ishin krijuar tri grupe etnike, që buron nga një prejardhje dhe gjuhë e përbashkët. Gjuha serbe, kroate dhe boshnjake janë gjuhët më të mëdha të folura nga sllavët e jugut sot dhe që të gjitha ndajnë një paraardhës të përbashkët të quajtur gjuha serbo-kroate.

Për këtë arsye, që të tri gjuhët janë të kuptueshme ndërmjet vete, por gjithashtu kanë disa dallime. Secila gjuhë është injektuar nga fjalët dialektore dhe lokale, ndërsa shkronjat me të cilat shkruhet secila prej tyre dëshmon historitë e sundimit perandorak. Kroatët dhe boshnjakët, që të dy, përdorin shkronjat latine (ndikimi katolik), ndërsa serbët përdorin alfabetin cirilik (përdorur nga Kisha Ortodoksët e Lindjes). Sot, kroatët janë katolikë, serbët ortodoksë dhe boshnjakët myslimanë. Megjithatë, këto grupe sot nuk kanë rënë në mënyrë perfekte në shtetet e tyre etnike, posaçërisht në Bosnjë, ku ka një popullsi të konsiderueshme të kroatëve dhe serbëve.

Diferenca në mes sllavëve të jugut është krijuar si rezultat i ndikimit perandorak dhe ndjenjat nacionale që u dominuan në Evropën e viteve të fundit të shekullit 19. Në një rajon me kaq shumë grupe të ndryshme etnike, kjo u bë arsyeja e destabilizimit. Ishte fisheku i një nacionalisti serb që ndezi Luftën e Parë Botërore dhe në Luftën e Dytë Botërore, dhjetëra mijëra serbë, hebrenj dhe ciganë u vranë nga aleatët e regjimit kroat fashist, ustashët, që mori frymëzim nga ideologjia naziste e epërsisë racore.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ndjenjat e tilla nacionaliste u shtypën nga regjimi komunist i Josep Broz Titos. Tito predikoi një mesazh të një identiteti të përbashkët jugosllav, ku grupet e ndryshme etnike bashkëjetojnë në paqe, me thënien e famshme “Askush nuk e vuri në dyshim ‘se kush është serb, kush është kroat, kush është mysliman’ ne të gjithë ishim një popull, kështu ishte atëherë, dhe unë mendoj se kështu është edhe sot”.

Sidoqoftë, edhe nën flamurin e njëjtë jugosllav, ndarja etnike dhe urrejtja mbetën duke u zier dalëngadalë deri sa përfundimisht vloi.

Rënia e Jugosllavisë

Kanë kaluar gati 30 vjet që nga përfundimi i Luftës brutale Ballkanike që copëtoi kombin dikur të fuqishëm të Jugosllavisë. Gjatë këtij konflikti, më të madhin në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, fqinjët ishin përballur me fqinjët bazuar në përkatësinë etnike dhe religjionin. Pas vdekjes së Titos, pasardhësit u treguan të paaftë për të dalë nga nacionalizmit etnik që kishte filluar të shfaqej. Shumë etnitete, përfshirë sllovenët, kroatët dhe boshnjakët, vendosën të shkëputeshin nga Qeveria Jugosllave në Beograd, e dominuar nga serbët.

Në vitin 1990, Sllovenia u shkëput për t'u bërë një republikë e pavarur, e shoqëruar shumë shpejt edhe nga Kroacia dhe Bosnja. Pavarësia e Sllovenisë ishte relativisht pa gjak, por Kroacia dhe Bosnja nuk ishin në gjendje të ndaheshin paqësisht nga Jugosllavia. Në luftën që pasoi, mbi 100,000 njerëz vdiqën dhe spastrimi etnik u krye nga të gjitha palët, veçanërisht nga serbët e Bosnjës, të cilët përbëheshin kryesisht nga anëtarë të Ushtrisë Jugosllave (JNA). Fuqia ushtarake e zotëruar nga JNA-ja i lejoi ata të pushtonin zona të gjera të territorit boshnjak dhe të vinin nën rrethim kryeqytetin e Sarajevës.

OKB-ja u përpoq dhe dështoi të ndalonte gjakderdhjen, sepse shumë nga paqeruajtësit e OKB-së u zunë peng nga forcat serbe të Bosnjës. Ky dështim i OKB-së arriti kulmin me masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, ku paqeruajtësit holandezë nuk ishin në gjendje të ndalonin forcat serbe të Bosnjës që të masakronin 7200 burra dhe djem boshnjakë. Vetëm pas kërcënimit për ndërhyrje nga NATO-ja, serbët e Bosnjës ranë dakord për një armëpushim, duke nënshkruar Marrëveshjen e Dejtonit në dhjetor 1995. Pas kësaj, trupat e SHBA-së dhe NATO-s shumë shpejt hynë në Bosnjë për të ruajtur dhe vëzhguar paqen e tensionuar. Serbët gjithashtu pushtuan rajonin autonom të Kosovës, të përbërë nga popullsia etnike shqiptare, dhe kryen spastrim etnik, duke i detyruar shqiptarët të shpërnguleshin dhe duke i zëvendësuar ata me serbë. Përsëri, kjo përfundoi vetëm me ndërhyrjen e SHBA-së dhe NATO-s.

Në vitet që pasuan, ka mbijetuar një paqe e brishtë, por urrejtja dhe ndarja etnike mbeten ende. Racizmi është i përhapur dhe kroatët, boshnjakët dhe serbët rrallë vëllazërohen jashtë grupeve të tyre përkatëse. Bosnja dhe Hercegovina është e ndarë në dy pjesë, njëra është Federata e Bosnjë e Hercegovinës (me shumicë myslimane boshnjake) dhe tjetra është Republika Srpska (e drejtuar nga serbët e Bosnjës). Edhe në shkolla, fëmijët e grupeve të ndryshme etnike ndjekin mësimet në objekte të ndryshme, duke mësuar me plan-programe të ndryshme të historisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për Luftërat Jugosllave të viteve 1990. Analistët thonë se Marrëveshja e Dejtonit thjesht e ndaloi dhunën etnike dhe ajo lehtë mund të ndizet përsëri. Nacionalizmi intensiv dhe urrejtja etnike e Luftërave Jugosllave mund të shihet ende në muzikën popullore, veçanërisht në Serbi.

Turbo-Folk dhe trashëgimia e luftës në Serbi

Përderisa shumë në Perëndim i shohin serbët si përgjegjës për shumicën e shkatërrimeve dhe mizorive të Luftërave Jugosllave, serbët e shohin veten si viktima dhe kurbane. Në vend të kësaj, ata akuzojnë Perëndimin dhe NATO-n për injorimin e padrejtë të krimeve të kryera kundër serbëve nga grupet e tjera etnike, si dhe për kryerjen e veprimeve agresive kundër Serbisë. Ata i shohin veprimet serbe gjatë luftës thjesht si përpjekje për të mbrojtur kombin e tyre kundër agresionit të jashtëm. Për t’i përshtatur dhe për t’i dhënë të drejtë portretizimit që ata i bëjnë kombit të tyre në histori, shumë serbë i portretizojnë ushtarët e tyre si luftëtarë heroikë dhe trima dhe politikanët e tyre si të guximshëm, që ngrihen kundër Perëndimit të fuqishëm. Portretizime të tilla mund të mos jenë plotësisht të sakta, por ato përfaqësojnë një formë të vlefshmërisë kombëtare. Ky qëndrim ka jehonë në muzikën e epokës.

Shumë nga këngët më të njohura dhe më të famshme serbe kanë natyrë nacionaliste dhe rreth luftës, duke përfshirë “Oj Alija Alijo” dhe “Kosovo je Srbija”. Videot muzikore që shoqërojnë këto këngë janë të mbushura me trupa serbe që japin përshëndetje nacionaliste serbe me tre gishta, duke bërë shenjën e kryqit dhe duke u përfshirë në stërvitje dhe/ose luftime. Si të tilla, trupat serbe janë mbrojtëse të besimit dhe të popullit të tyre. Muzikantë dhe grupe të njohura si Roki Vuloviq dhe Ultra Klan Terorista (Klani Ultra Terrorist) lavdërojnë haptazi përpjekjet e luftës serbe dhe madje promovojnë dhunën etnike dhe militarizmin.

Udhëheqësit serbë që janë etiketuar nga Perëndimi si kriminelë lufte, si ish-presidenti Sllobodan Millosheviq dhe gjenerali Ratko Mlladiq, lavdërohen si heronj nga shumë serbë. Në kuptimin nacionalist, ata i shohin këto figura si njerëz që kanë vepruar për interesat më të mira të kombit serb, duke kërkuar të rimarrin tokat që me të drejtë i përkisnin popullit serb dhe ata u persekutuan padrejtësisht nga Perëndimi. Është e rëndësishme të theksohet se jo të gjithë serbët janë përkrahës apo edhe apologjetë të luftës apo udhëheqësve të saj, por megjithatë një pjesë e konsiderueshme e popullsisë i nderon veprimet e figurave të tilla, si Millosheviq dhe Mlladiq.

Një këngë popullore e përdorur për të tallur ndjekjen penale për krime lufte të serbëve nga Perëndimi është “Babai im është një kriminel lufte”. I vendosur në një melodi tradicionale dhe paqësore serbe, teksti thotë se “mund të provosh ta dënosh, por askush nuk ka guximin për ta çuar në gjyq”, duke u krenuar me emrin që shumë të tillë ia kanë dhënë Serbisë. Në njëfarë mënyre, kjo tenton të bashkojë të gjithë serbët nën një flamur nacionalist, duke e pikturuar konfliktin etnik si “ne kundër tyre”. Nacionalizmi i derdhur këtu përdoret për të rishkruar historinë.

Ndoshta më e famshmja nga këto këngë turbo-folk luftarake është kënga "Serbia e fortë" ose “Karaxhiq, udhëhiq serbët e tu” në titullin origjinal. Titulli i referohet Radovan Karaxhiqit, një oficer ushtarak serb të Bosnjës, i cili në vitin 2016 u dënua për gjenocid kundër myslimanëve boshnjakë. Teksti i kësaj kënge shpall se “e gjithë toka serbe është sulmuar” dhe i etiketon kroatët si “fashistë” (referencë për regjimin ustash të Luftës së Dytë Botërore) dhe boshnjakët si “turq”, duke paralajmëruar të dy grupet që të “kenë frikë” nga luftëtarët serbët. Në videoklip, kënga luhet nga dy ushtarë të kamufluar, të cilët më vonë u dënuan për krime lufte. Kjo këngë njihet edhe nga “Remove Kebab” (referencë islamofobike për gjenocidin kundër boshnjakëve) dhe “Zoti është serb”. Ka qarkullua gjerësisht në internet si “meme” gjatë dekadës së fundit, veçanërisht në mes ekstremistëve të djathtë. Sulmuesi i Xhamisë Christchurch të vitit 2019 luajti ”Serbia Strong” para se të kryente vrasjen e 49 myslimanëve. Dhuna dhe urrejtja e përjetësuar nga këto këngë nuk janë të kufizuara në Ballkan.

E ardhmja e Ballkanit dhe e turbo-folkut

Ndoshta aspekti më shqetësues i kësaj muzike lufte turbo-folk lidhet me popullaritetit e vazhdueshëm në Serbi. Liderët e luftës dhe ushtarë, ashtu sikurse edhe ndjenja nacionaliste, mbeten jashtëzakonisht të njohur, duke përjetësuar përçarje dhe urrejtje të përhapur. Më shumë se gjithçka tjetër, kjo muzikë dhe popullariteti i saj dëshmojnë destabilitetin e vazhdueshëm në Ballkan dhe rrugën e gjatë deri te një paqe e qëndrueshme. Pajtimi racor do të jetë esencial për rajonin, por tani për tani, kjo mbetet vetëm një iluzion. Ende ka shpresë, derisa konflikti i vitit 1990 është duke mbetur në të kaluarën dhe një brez i ri po vjen në këtë kohë në Ballkan, një brez i cili gjithnjë e më shumë po refuzon urrejtjen e liderëve të së kaluarës. Me këtë brez të rinjsh, ndoshta edhe turbulenca e turbo-folkut të luftës do të lihet në të kaluarën.

Marrë nga “Harvard International Review”. Përktheu Mirjetë Sadiku