Krenar Doli me librin “Tradita e muzikës sufiste në Kosovë” e mban të freskët gjallërinë e këtyre ritualeve dhe simboleve të rëndësishme. Ngërthen dhe përfaqëson ato që mund të quhen ideale, transcendentale. Një mënyrë për të siguruar këtë arritje të vazhdueshme është që ta përfaqësojë atë nga derdhja e shpirtit në veprën muzikore, simboli i së cilës është ngulitur në çdo vend të hapësirës, gjallërinë e së cilës e mbajnë ritet e një tradite estetike të institucionalizuar
Fillimisht dua të shpreh konsideratën për punën dhe mundin e studiuesit Krenar Doli për librin e tij të ri që me të vërtetë paraqet një studim të posaçëm në lëmin e muzikës fetare në trevat tona. Në të njëjtën kohë ky libër do të plotësojë një mungesë të madhe në lëmin e muzikës fetare. Ky punim është me mjaft interes të madh, sepse ka rëndësi të madhe për trevat shqiptare, ngase dalin në dukje vlerat dhe thesaret e traditës sufiste në Kosovë.
Krenar Doli me librin “Tradita e muzikës sufiste në Kosovë” e mban të freskët gjallërinë e këtyre ritualeve dhe simboleve të rëndësishme. Ngërthen dhe përfaqëson ato që mund të quhen ideale, transcendentale. Një mënyrë për të siguruar këtë arritje të vazhdueshme është që ta përfaqësojë atë nga derdhja e shpirtit në veprën muzikore, simboli i së cilës është ngulitur në çdo vend të hapësirës, gjallërinë e së cilës e mbajnë ritet e një tradite estetike të institucionalizuar. Ai përkujton se si ritualet artistike e transmetojnë kuptimin e një çështjeje jetësore.
Ky material në aspektin etnomuzikor trajton një problematikë të rëndësishme e cila lidhet me përgjithësime të domosdoshme mbi historinë e muzikës fetare dhe tradicionale shqiptare. Besojmë se ky punim do të jetë një lidhshmëri për brezat e ardhshëm, një njohje më të qartë mbi atë se çka është bërë dhe çka bëhet sot nëpër teqetë që ekzistojnë në Kosovë.
Në kapitullin e parë flitet për ardhjen e fesë islame në Kosovë dhe për periudhën osmane. Përpos kësaj, flet edhe për përhapjen dhe zhvillimin e institucioneve fetare në Kosovë. Po ashtu, flitet edhe për letërsinë e divanit dhe muzikën sufiste në Kosovë.
Në kapitullin e dytë në mënyrë të qartë flitet për format muzikore që interpretohen në xhami dhe në teqe. Ndër format muzikore që interpretohen në xhami gjenden mevludi, salati dhe nënllojet e tij, tekbiri, temxhidi dhe ezani. Ndërsa në format e muzikës së teqesë gjendet duraku, nefesi, nevbeja, savti, salati kemalije dhe duraku. Po ashtu, autori cek se ekzistojnë edhe forma të përbashkëta që interpretohen edhe në xhami, edhe në teqe, si ilahitë, kasidet, shuglet dhe natet. Autori jep shembuj nga praktika e këtyre formave në Kosovë duke i melogramuar ata, gjë që qet në dukje një thesar të gjerë të muzikës sufiste.
Në kapitullin e tretë jepet informacion për tarikatet dhe teqetë e tyre në Kosovë, ku shohim se në Kosovë janë aktive tarikati Halveti, Kadiri, Sadi, Rifai, Bektashi, Melami, Sinani, Nakshibendi dhe Shazeli.
Në kapitullin e katërt autori na jep shembuj nga ilahitë që këndohen në teqetë e këtyre tarikateve. Me këta shembuj ne i shohim ngjashmëritë dhe dallimet në mes tarikateve në ritet dhe muzikën e tyre.
Ndërsa në kapitullin e pestë jepet informacion për makamet dhe ciklet ritmike në muzikën sufiste. Nocioni makam dallon nga nocioni i modit, sepse makami nuk formohet vetëm nga shkalla por ngërthen në vete edhe definimin e luajtjes (sejir) brenda tij. Autori na jep shembuj nga mekamet e ndryshme që praktikohen në territorin e Kosovës. Mekamet që u përdorën më shumë në territorin e Kosovës janë Hixhaz, Ushshak, Segah dhe Nihavend. Por përpos këtyre mekameve u cekën edhe mekame të tjera si Saba, Hysejni dhe Buselik. Sa u përket cikleve ritmike, në territorin e Kosovës më shumë u përdor ritmi Nim Sofjan, Sofjan, Devr-i Hindi dhe Dyjek. Megjithëkëtë, hasim edhe në ritme si Semai, Mysemmen, Aksaku i Raksit dhe Aksak Semai.
Si përfundim mund të themi se ky material në tërësi mbetet një kontribut i çmuar për etnomuzikologjinë tonë në përgjithësi. Besojmë se ky punim do të mbetet një dokument i rëndësishëm për kulturën kombëtare shqiptare, si dhe në atë ndërkombëtare.
Autori është ligjërues në Universitetin e Trakisë në Edirne
Struktura e studimit “Tradita e muzikës sufiste në Kosovë”
Studimi monografik “Tradita e muzikës sufiste në Kosovë” është strukturuar mbi bazën e pesë krerëve, duke mos llogaritur këtu hyrjen, fjalorthin, literaturën e shfrytëzuar dhe indeksin e emrave. Secili prej krerëve paraqet njësi më vete, sepse në kuadër të çdonjërit prej tyre merren në shqyrtim aspekte dhe çështje të caktuara, por të gjitha këto qëndrojnë në funksion të tërësisë përmbajtjesore të punimit.
Kreu i parë përmban sfondin historik, mbi të cilin është zhvilluar kultura shqiptare gjatë sundimit osman. Gjithashtu vihet në dukje roli i fisnikërisë vendëse në themelimin e institucioneve kulturore arsimore e fetare, siç janë: shkollat fillore (mejtepet), shkollat e mesme dhe të larta (medresetë), bibliotekat, si dhe funksioni arsimor e edukativ i xhamive dhe i teqeve.
Në kreun e dytë janë trajtuar e analizuar format muzikore që interpretohen në mjediset e xhamive, si dhe format muzikore që interpretohen në mjediset e teqeve, të ndara sipas karakteristikave të veçanta të interpretimit si në xhami ashtu dhe në teqe. Gjithashtu janë analizuar edhe format e përbashkëta që i hasim si në mjediset e xhamive ashtu edhe të teqeve. Të gjitha këto forma muzikore, që i përmendëm më lart, janë transkriptuar dhe janë sistemuar sipas shkallëve përkatëse muzikore.
Tek kreu i tretë bëhet fjalë për të gjitha tarikatet që sot në mënyrë aktive veprojnë në Kosovë. Aty ofrohen të dhëna të shkurtra për sfondin historik të 9 (nëntë) tarikateve aktive që sot janë në Kosovë. Gjithashtu ofrohen të dhëna të konsiderueshme sa i përket muzikës që interpretohet, ruhet dhe kultivohet nga këto tarikate gjatë praktikimit të ritualit të ziqrit.
Në kreun e katërt paraqiten të transkriptuara disa nga ilahitë kryesore, ndër më të njohurat që sot interpretohen në teqetë e nëntë tarikateve që aktualisht veprojnë në Kosovë. Përveç ilahive që interpretohen në gjuhën turke, në këtë studim monografik janë transkriptuar edhe një numër i konsiderueshëm i ilahive origjinale në gjuhën shqipe. Të gjithë shembujt e përzgjedhur të formave muzikore janë analizuar dhe secila prej tyre është paraqitur me të dhënat përkatëse, makamin (shkallën muzikore) ku interpretohet, ciklin ritmik, emrin e autorit të tekstit, si dhe emrin e kompozitorit nëse ka të tillë.
Në kreun e pestë dhe të fundit jemi ndalur tek strukturat më të zakonshme tonale dhe ritmike që i kemi hasur gjatë mbledhjes, sistemimit dhe analizës së formave muzikore fetare. Konkretisht jemi ndalur te makamet (shkallët muzikore) dhe ciklet ritmike (usulet) kryesore që janë përdorur në shembujt që i kemi përzgjedhur për realizimin e këtij studimi monografik.
Në pjesën përfundimtare të monografisë paraqiten përfundimi në gjuhën shqipe dhe angleze, fjalorthi me fjalët që përdoren rrallë, për të vijuar me literaturën shkencore të botuar dhe të pabotuar, si dhe indeksi i emrave.
Folegjenda: “Tradita e muzikës sufiste në Kosovë” në aspektin etnomuzikor trajton një problematikë të rëndësishme e cila lidhet me përgjithësime të domosdoshme mbi historinë e muzikës fetare dhe tradicionale shqiptare