Poezitë në veprën me të re të Halil Matoshit janë një rrugëtim i thellë drejt personales dhe reflektimeve mbi jetën dhe ndikimin thelbësor të kohës së tij të kaluar në burg. Nëpërmjet vargut ai gjen lirinë, çlirohet, vë në lojë fatin dhe bëhet zot i vetvetes
Foajeu i teatrit “Oda” në Prishtinë nuk qe vendi i fjalës së folur por, mbi të gjitha, i fjalës së shkruar. Drama nuk zhvillohet në skenë, por nëpërmjet vargjeve. E, poezia e Halil Matoshit ka fuqinë të krijojnë dramë, skena, gjendje e emocion. Dëshmia e radhës: “The Lil’s poem”. Libri me poezi të shtrira në 162 faqe është vepra më e re e Matoshit dhe promovimi i saj të premten mbrëma bëri bashkë një ansambël dashamirësish të lirikës, poetë kolegë e mbështetës të etur për të zbuluar thellësitë e poezisë.
“The Lil’s poem” është një rrugëtim i thellë drejt personales e reflektimeve të gazetarit e poetit mbi jetën dhe ndikimin thelbësor të kohës së tij të kaluar në burg. Matoshi, i cili jo rrallë shprehet edhe në pikturë, njërën nga to zgjodhi dhe për ballinë të librit. “Kujtesa e ujit” është piktura, e cila paraqet kohën e autorit në kampin e përqendrimit në Zabela të Pozharevcit, si një preambulë në kushtetutën e Halilit, në kushtetutën ku liria e shprehjes vërtitej gjithandej duke kërkuar vendin e saj.
“Kemi të bëjmë me një autor të sprovuar, me një autor të arrirë, të kultivuar e unik që ka stil lehtë të identifikueshëm, me poezi e vargje të pangatërrueshme me të tjerët dhe me një vepër që s’mund ta lërë indiferent lexuesin”, ka thënë në fjalën hyrëse Donika Dabishevci, poete, redaktore e “The Lil’s poem”. Ajo ka theksuar se në këtë libër, njëjtë si në shtatë librat e tjerë të Halilit, fryma filozofike ndërthuret me delikatesën e brendshme lirike te poezitë brenda këtij libri, të gdhendura si referenca personale.
Nerimane Kamberi, poete dhe studiuese e letërsisë, e pranishme në panelin e diskutimit, ka komentuar një poezi me po të njëjtin emër si vetë libri, “The Lil’s poem”, duke e ripërjetuar pranverën e vitit 1999, kur edhe e mori lajmin mbi fatin e trishtë të Halilit.
“Poezia e Halilit ka një fuqi të të kthejë në një kohë të pakohë me një titull kaq të thjeshtë, poezia e tij është ritmike, gjeometrike e filozofike, na bën të rikujtojmë se dikur Halili kishte studiuar filozofinë e bashkë me Kierkegaardin dëshironte të kthehej melankolia”, ka thënë Kamberi.
Përmes diskutimit mbi këtë përmbledhje poezish, kuptohet që ato flasin për luftën, por jo vetëm për të. Aty ka dhe reflektime të vona të autorit. Poeti fut në valle personazhe të shumta, të vegjël e të mëdhenj, të rëndësishëm e më pak të rëndësishëm, duke i çuar ata në rrugëtimin e tij nga kohët e kaluara në “Kino Rinia” të Prishtinës e deri në stacionin e trenit në Frankfurt. E fut lexuesin në labirintet e jetës së tij përmes vargjeve të cilat paraqesin një etno-poetikë për Kosovën, para dhe pas luftës.
“Duke e analizuar paraqitjen e traumës dhe memories në letërsi, poezia e këtij libri është një prezantim i etosit të etnologosit shqiptar e paraqitur si reminishencë e vetë kujtesës historike, autori përmes poezisë derdh përvojën personale duke shkrirë në të dhe përvojën kombëtare, gjëmën, britmën, dramën e tragjedinë e një populli, ka thënë Blerina Rugova- Gaxha, poete dhe studiuese e letërsisë, e cila komentoi punën e Matoshit në këtë memoar të tijin përmes poezive.
Matoshi duke qenë përjetues direkt i brutalitetit të luftës, libri i tij del si një britmë e shpirtit për t’u bërë testament poetik i përjetimeve të luftës, ku përmes gjuhës figurative mëton të paraqesë përpjekjet e përshkrimit të dhimbjes fizike. Por, ai është më i ndjeshëm sa i përket vuajtjes shpirtërore, si plagë e cila mbetet në trup.
“Poezitë e mia për burgun janë realiste, kanë ndonjë element të realizmit magjik, por ato praktikisht janë reale”, ka thënë autori duke shtuar se në poezitë e tij për Burgun e Prishtinës është munduar të përcjellë te lexuesit e rinj ndjesinë e burgut politik, se si ishte të futeshe në burg për shkak të fjalës.

Përmes memoaristikës mbi letërsinë e burgut, në këtë libër paraqitet mënyra e jetës se tij prapa grilave, ku shpirti i tij përpëlitet nën presionin e humbjes së çdo tipari njerëzor, ku vdekja qëndron si një bombë e kurdisur.
“Poezia e burgut duhet me u shkru e me u lexu, pa e hyjnizu burgun, e duke e përqeshur atë, sepse duke e përqeshur atë bëhemi të zot’ për mos me rá në burg”, ka thënë Matoshi duke rikujtuar se një autor nuk mendon shumë për veten sa mendon për ata që mbesin, vendin, popullin e tij.
Ka folur edhe për poezinë e tij kushtuar zhurmës së zinxhirëve të burgut si simbolikë e vetë burgut, ai shkon deri tek emërtimi i rrapëllimës së zinxhirëve, ku thotë se zinxhirët nuk tingëllojnë, por ata “zinzinkërojnë” duke e përjetësuar atë si tingull në memorie.
Element tjetër karakteristik i kësaj vepre është dhe gjuha, gegnishtja e përdorur nga poeti jo vetëm si mjet ekspresioni, por si aftësi e tij për të distiluar ndjenja aq komplekse përmes gegnishtes së tij. “Unë shkruaj në gjuhën e nanës time, e përdori gegnishten si britmë, si klithmë në poezitë e mia, jam i robnuar në gegnishten!”, ka thënë ai.
Një të ndjeshëm e poetik ia bëri poezisë “The Lil’s poem” shkrimtari e aktori Shpëtim Selmani, i cili me ndjeshmërinë e tij në leximin e çliruar nga çdo kontekst kumbonte dramë nga vargjet që rrëfenin përjetimet e Halilit. E poezia tjetër e lexuar nga Selmani ishte “Boshi që të tremb”, një poezi e cila pos reflektimit personal të autorit mbi takimin e tij me plakjen transmetoi dhe doza të komikes.
Për KOHËN autori Halil Matoshi ka thënë se poezia është një formë e artit, e cila sa herë mendohet se po largohet rikthehet si rikujtim.
“Ajo na kthehet për të na rikujtuar cilat ishin synimet tona, përpjekjet tona, na tregon ku ishim e ku jemi sot”, ka thënë Matoshi.
Si njërin ndër poetët më të mirë bashkëkohorë shqiptarë e vlerësoi Nexhmedin Spahiu, politolog, i cili e cilësoi librin si një vepër e dhembjes dhe përjetimit të trishtimit i thënë në një mënyrë krejt origjinale.
“Kjo vepër i përgjigjet ambientit kosovar shumë mirë, si nga brendia psikologjike edhe për nga artikulacioni poetik”, ka thënë ai.