Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Spastrimi i shqiptarëve – synimi për Serbi etnikisht homogjene

Në periudhën mes dy luftërave, Austro-Hungaria dhe Rusia bën marrëveshje për ndarjen e sferave të interesit në Gadishullin e Ballkanit. Sipas traktateve të nënshkruara nga këto dy Fuqi, Bosnja dhe Hercegovina iu la Austrisë. Së këndejmi, zgjerimi serb në këto hapësira u pamundësua. Në anën tjetër, Rusia ishte e interesuar për pjesën lindore të Ballkanit. Në të tilla rrethana ndërkombëtare, Serbia u shtrëngua të kërkonte hapësira në jug të kufijve të saj, në atë trevë të madhe të quajtur Serbia e vjetër

Gjatë Krizës së Madhe Lindore 1875/1878, një proces i madh migrimi po zinte vend në Ballkan. Vlerësohet që rreth dy milionë njerëz, gjysma të krishterë, gjysma myslimanë, i lanë shtëpitë e tyre asokohe. Popullata myslimane po tërhiqej prej Bullgarisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe prej viseve të tjera që iu bashkuan Serbisë përmes traktatit të Berlinit. Krahinat e brendshme të Perandorisë Osmane ishin destinacioni i tyre i fundmë. Migrimi i myslimanëve nga Serbia nuk ishte i madh sa në hapësirat e tjera që u zunë n’gojësh, por megjithatë, nuk ishte më pak i rëndësishëm.

Studimi im është i mbështetur në inventarë serbë e turq, dokumente arkivore serbe si dhe në disa udhëpërshkrime nga ajo periudhë. V. N. Stojançeviq dhe R. L. Pavloviq janë marrë veçmas me këtë çështje, derisa disa autorë të tjerë serbë kanë përmendur rastësisht të dhëna të ndryshme rreth kësaj çështjeje në veprat e tyre.

Serbia ishte dy herë në luftë me Turqinë gjatë Krizës Lindore. Ajo u mposht në luftën e parë më 1876. Pasojat ishin të llahtarshme. Rreth 200 mijë njerëz, viktima lufte e ikanakë nga Turqia, mbetën të pastrehë pas luftës. Në periudhën mes dy luftërave, Austro-Hungaria dhe Rusia bënë marrëveshje për ndarjen e sferave të interesit në Gadishullin e Ballkanit. Sipas traktateve të nënshkruara nga këto dy fuqi, Bosnja e Hercegovina iu la Austrisë.

Së këndejmi, zgjerimi serb në këto hapësira u pamundësua. Në anën tjetër, Rusia ishte e interesuar për pjesën lindore të Ballkanit. Në të tilla rrethana ndërkombëtare, Serbia u shtrëngua të kërkonte hapësira në jug të kufijve të saj, në atë trevë të madhe të quajtur Serbia e vjetër. Në luftën e dytë me Turqinë 1877/78, Serbia ishte aleate ruse. Ajo hyri në luftë me kërkesën e Rusisë. Kësaj radhe, ushtria serbe pushtoi toka të rëndësishme në jug dhe juglindje të kufirit serbo-turk. Në Berlin u vendos që Serbia duhej të mbante shumicën e zotërimeve të saj të luftës. Këto treva të reja serbe ishin mes qyteteve Kurushmli, Pirot dhe Vranjë, në pellgjet e Moravës jugore dhe Nishavës. Ato ishin të ndara administrativisht në katër qarqe: Nish, Pirot, Vranjë dhe Toplicë.

Struktura etnike e qarqeve të reja pas luftës së 1877/78

Edhe Frika prej një shteti të madh shqiptar në Ballkan Shtojca për Kulturë Frika prej një shteti të madh shqiptar në Ballkan

Para luftës, këto qarqe ishin të përfshira administrativisht në sanxhakun e Nishit, që ishte pjesë e vilajetit të Kosovës. Një inventar turk, i bërë më 1873, jep një pikturë të përgjithshme mbi strukturën konfesionale dhe, pjesërisht, edhe atë etnike të popullatës së tyre.

Popullata mashkullore e krishterë përbënte 70,57 për qind dhe myslimanët përbënin 29,43 për qind të të gjithë popullatës mashkullore. Myslimanët ishin shumicë në rrethet e Kurshumlisë dhe Prokuples. Në të parën, ishin 88,7 për qind e tyre dhe 57,34 për qind në të dytën. Në rrethe të tjera, të krishterët ishin shumicë, por përqindja e myslimanëve nuk ishte e vogël në asnjërën prej tyre. Në rrethin e Leskocit, banorët myslimanë meshkuj përbënin 33,35 për qind, dhe në rrethin e Vranjës 29,37 për qind të të gjithë popullatës mashkullore. Numri më i vogël i tyre ishte në rrethet e Pirotit 16,25 për qind dhe Tërn 2.06 për qind.

Sipas informacionit mbi gjuhët që fliteshin mes myslimanëve në këto qytete, ne mund të shohim se të cilës kombësi ishin. Rrjedhimisht, popullata myslimane e Nishit dhe Pirotit përbëhej kryesisht prej turqve; në Vranjë dhe Leskoc ata ishin turq dhe shqiptarë; myslimanët në Prokupël dhe Kurshumli ishin kryesisht shqiptarë.

Për fat të keq, ne nuk e dimë numrin e saktë të të gjithë banorëve të sanxhakut të Nishit. Ne vetëm mund të hamendësojmë që numri i grave ishte përafërsisht i barabartë me numrin e burrave. Së këndejmi, del që rreth 312, 826 njerëz jetonin në sanxhakun e Nishit më 1873: 220, 772 të krishterë dhe 92, 054 myslimanë.

Këto të dhëna mund të krahasohen me inventarin e vilajetit të Kosovës, të bërë më 1877. Sipas kësaj statistike, sanxhaku i Nishit kishte 143, 814 banorë dhe sanxhaku i Pirotit 93,241; marrë së bashku, ata kishin 237,055 banorë. Këto dy sanxhaqe përbënin të njëjtin territor si sanxhaku i Nishit më 1873, por pa rrethin (kazanë) e Vranjës, që ndërkohë i ishte bashkëngjitur Sanxhakut të Prishtinës. Kur numri i banorëve të këtij rrethi anashnxirret nga inventari i vitit 1873, atëherë ne e marrin numrin e përafërt prej 227,700 njerëzish. Ndaj, popullata e sanxhakut të Nishit më 1873, pa rrethin e Vranjës, ishte rritur për 4,1 për qind në periudhën 1873-1877. Nëse kjo rritje aplikohet nëpërmjet një analogjie në rrethin e Vranjës, atëherë ajo do të ketë pasur rreth 88, 616 banorë në 1877.

Kur ia shtojmë këtë numrit të banorëve të sanxhaqeve të Nishit dhe Pirotit më 1877, atëherë ne e marrim numrin e përafërt të njerëzve që jetonin në territorin e sanxhakut të Nishit më 1873, e që është 325,671. Me qëllim që të gjejmë sa njerëz jetonin në katër rrethet e reja serbe më 1877, ne duhet të largojmë numrin e banorëve të rrethit të Tërnit nga 325,671, meqë ky rreth iu dha Bullgarisë me traktatin e Berlinit. Ai kishte 15,034 banorë më 1877, që do të thotë se, para luftës, rreth 310,736 njerëz jetonin në trevat që iu bashkëngjitën Serbisë. Ishin përafërsisht 215,117 të krishterë dhe 95,619 myslimanë.

Hapësira shqiptare

Myslimanët nga rrethet e Prokuples dhe Kurshumlisë ishin kryesisht shqiptarë. Hapësira që e banonin kufizohej prej luginës së lumit Toplica në veri, Kopaonikut në jugperëndim dhe luginës së Moravës jugore në lindje dhe juglindje. Serbët në këtë trevë jetonin vetëm në gryka lumenjsh dhe rrëza malesh. Vendbanime shqiptare mund të gjendeshin edhe në bregun e djathtë të Moravës jugore, në trevën e quajtur Masuricë. Shqiptarë jetonin edhe në Tërn, një qytezë në perëndim të Bullgarisë.

Migrimi i shqiptarëve drejt verilindjes filloi pasi serbët nisën të largoheshin në Hungari, më 1690 dhe 1737. Pasi qenë vendosur në Kosovë, ata nisën të kalonin malin Gollak në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të dhe të banonin trevën e përmendur.

Turqit ishin kryesisht banorë qytetesh. Është e sigurt, sidoqoftë, që një pjesë e tyre ishin me prejardhje shqiptare, për shkak të faktit të mirënjohur se shqiptarët asimiloheshin fare lehtë me turqit në qytete.

Shkaqet e emigrimit

Perandoria Osmane përdorte kolonizimin me myslimanë në Ballkan. Ajo i ndihmoi ata të përhapeshin edhe në gadishull, siç ishte rasti me vendosjen e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Toplicë. Në shekullin XIX, myslimanët nguliteshin me plan, ashtu që të ndanin vise homogjene të krishtera prej njëra-tjetrës. Kjo ishte politika e zëvendësimit të popullatave jobesnike me të tjera që ishin më të përshtatshme. Kur Rusia mbaroi me pushtimin e Kaukazit, ajo dëboi aty thuajse të gjithë kombin çerkez nga toka e tij. Këta myslimanë u vendosën në Turqi në vitet ’60 të shekullit të 19-të. Një pjesë e tyre u ngulit në Ballkan, kryesisht në Bullgari, por kishte edhe afër kufirit serb, përreth Nishit, Pirotit dhe Kosovës. Serbia ishte, në këtë mënyrë, e rrethuar me vendbanime çerkeze në juglindje dhe me shqiptarë në jugperëndim. Kjo zonë e pakëputur myslimane ndante Serbinë prej të krishterëve në Bullgari, Maqedoni dhe Kosovë. Turqit, që braktisën qytetet serbe më 1862, u ngulitën nga Porta përgjatë kufijve lumorë, në Unë, Savë dhe Drinë, si dhe në periferitë e Nishit dhe Vidinit, që asokohe ishin afër kufirit serb.

Gjatë shekullit XIX, myslimanët në Ballkan po migronin nga tokat, që kishin pushuar së qeni pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane. Këto migrime ishin kryesisht pasojë e luftës. Drejtimet e tyre ishin të njësojta me drejtimet ekspansioniste të shteteve të krishtera ballkanike. Myslimanët thjesht nuk qenë në gjendje të pranonin mënyrën e jetës në këto shtete të reja e të organizuara sipas mënyrës evropiane. Përveç kësaj, ata frikësoheshin të bëheshin qytetarë të dorës së dytë, sikur të krishterët në Turqi. Në shumicën e rasteve, kompromisi nuk qe i mundur. Prandaj, myslimanët po migronin nga tokat e braktisura prej ushtrisë osmane. Ndonjëherë, gjeneralët turq i bënin thirrje popullatës myslimane të vinte me trupat që po tërhiqeshin, në tokën e Sulltanit.

Rezistenca shqiptare kundër dëbimit

Në luftën e vitit 1877/78, forca kryesore turke kundër Serbisë përbëhej nga shqiptarët. Ata ishin të organizuar në 72 njësi me 550 burra secila. Ata vinin kryesisht prej Kosovës dhe Maqedonisë. Në anën tjetër, shqiptarët nga rrethet e Prokuples, Kurshumlisë dhe Leskocit nuk ishin të organizuar në formacione ushtarake. Ata luftonin në mënyrë të pavarur nga ushtria turke. Të ndarë në grupe të vogla, ata mbronin secilin katund, secilën shtëpi. Secili prej tyre e mbrojti pragun e vet të shtëpisë. Kjo është arsyeja pse katundet e tyre ishin kaq thellësisht të “spastruara”. Myslimanët e qytetit nuk po i rezistonin ushtrisë serbe, por po tërhiqeshin krahas trupave të rregullta turke.

Jo të gjithë shqiptarët u larguan përballë ushtrisë serbe që po përparonte. Një pjesë e tyre u dorëzua pak para fundit të luftës, dhe disa prej tyre nuk është se luftuan kushedi sa. Shqiptarë si këta qëndruan në shtëpitë e tyre. Një numër i caktuar i ikanakëve shqiptarë u rikthyen në fshatrat e tyre, pasi u shpall një armëpushim. Thuajse të gjithë këta njerëz u dëbuan në Turqi pas kongresit të Berlinit. Shtetet e reja të krishtera, në këtë rast Serbia, nuk donte të kishte myslimanë brenda tokave të saj. Qeveria serbe i konsideronte shqiptarët si popullatë të padëshirueshme e që nuk i zihej besë, ndaj duhej të zëvendësohej me një tjetër, më të përshtatshme. Një politikë e tillë ishte mjaft e zakontë në Ballkanin e asokohshëm. Kryeministri serb, Jovan Ristiq, mendonte se Serbia duhej të ishte një shtet etnikisht homogjen. Përveç kësaj, tokat e banuara nga shqiptarët kishin rëndësi strategjike. Ato duhej të ishin baza për ekspansionin e ardhshëm drejt Serbisë së vjetër dhe Maqedonisë. Prandaj ishte e nevojshme të populloheshin me popullatë të besueshme. Një nga gjeneralët serb, Kosta Protiq, deklaroi se ai nuk donte që Serbia të kishte Kaukazin e saj.

Edhe 1903-1909: Misioni i pasuksesshëm i oficerëve austro-hungarezë në Kosovë Shtojca për Kulturë 1903-1909: Misioni i pasuksesshëm i oficerëve austro-hungarezë në Kosovë

Procesi i emigrimit

Shumica e myslimanëve u larguan gjatë operacioneve ushtarake. Ndaj, drejtimet e migrimit ishin, pak a shumë të njëjta me drejtimet e ushtrisë serbe që po përparonte.

Forcat serbe kaluan kufirin më 15 dhjetor 1877, duke mësyrë në dy drejtime. I pari ishte kahëzuar në jug, drejt Nishit, me qëllim që ta rrethonte qytetin. I dyti ishte në juglindje, drejt Pirotit dhe Sofies; qëllimi ishte të këputej vija e komunikimit mes Nishit dhe Sofies, ashtu që rusët të merrnin më lehtë qytetin. Nishi u rrethua shpejt. Një pjesa e trupave që po operonin në drejtimin jugor duhej të depërtonte në luginën e Toplicës për të parandaluar një mësymje turke prej Kosovës në Nish.

Serbët morën Prokuplen në ditën e tretë të luftës. Myslimanët nga qyteti dhe rrethinat, kryesisht shqiptarë, lanë shtëpitë e tyre në panik, duke lënë pas vetes sasi të mëdha ushqimi dhe gjënë e gjallë. Shqiptarët vendës u arratisën në malin e Pasjaqit, në jug të Prokuples. Një pjesë e këtyre ikanakëve u rikthye shpejt në katundet e tyre, duke iu dorëzuar autoriteteve serbe, derisa të tjerët po lëviznin në juglindje, drejt Kurshumlisë.

Pushtimi i qyteteve shqiptare

Gjatë mësymjes së mëtejme drejt Kurshumlisë, trupat serbe kaluan përgjatë ikanakëve shqiptarë, që ishin shpërndarë tejetej maleve rrotull. Teksa tërhiqeshin, ata u bënin qëndresë serbëve dhe nuk pranonin të dorëzoheshin. Ndonjëherë, në panik, ikanakët linin karvanë përplot me gjëra të llojndryshme personale në male ashtu që të ecnin më shpejt. Ushtarët serbë gjetën njëherë një fëmijë dyvjeçar, thuajse të ngrirë, në një nga këta karvanë.

Kurshumlia u mor shpejt pas Prokuples. Ikanakët tashmë kishin arritur në rrëzat jugore të Kopaonikut. Forcat turke u përpoqën të bënin një të çarë nëpërmjet luginës së Toplicës, me qëllim që t’i çonin ndihma Nishit të rrethuar, ndaj, treva rreth Kurshumlisë u bë fushëbetejë. Prandaj, shqiptarët e arratisur u detyruan të qëndronin ndër male. Ata po prisnin që serbët të largoheshin prej katundeve të tyre. Doli që ata po prisnin kot. Nishi u mor, turqit u tërhoqën dhe ikanakët nuk u rikthyen në shtëpitë e tyre.

Pasi rrethuan Nishin, serbët dërguan një pjesë të forcave të tyre përposh luginës së Moravës jugore, drejt Leskocit. Myslimanët lanë qytetin sapo dëgjuan se ushtria po avitej. Duke u përgatitur për t’u arratisur, ata morën karvanët dhe mijëra krerë bagëti nga fshatarët lokalë serbë. Ata shkuan në jug, drejt Vranjës dhe Shkupit. Kur serbët hynë në qytet, aty kishin mbetur vetëm 62 familje të vobekta myslimane. Në ndërkohë, ushtria serbe mori Pirotin. Myslimanët shkuan në Kosovë dhe Maqedoni. Disa prej tyre arritën në Thraki. Turqit në Nish u dorëzuan me 10 janar 1878. U lejua që ata që donin të linin paqësisht qytetin. Myslimanët shkuan në Prishtinë, Prizren, Shkup dhe Selanik. Turqit e mbetur ishin kryesisht fukarenj dhe ata merrnin ushqim prej autoriteteve lokale serbe.

Mespërmes viseve shqiptare

Pas marrjes së Nishit, trupat serbe u ndanë në dy grupe. Njëra duhej të avanconte në jugperëndim, poshtë luginave të Toplicës, Kosanicës, Pusta Rekës dhe Jabllanicës (degë të Moravës jugore), kurse e dyta duhej të shkonte në jug, poshtë luginës së Moravës jugore, për të marrë Vranjën e pastaj të kthehej në perëndim. Detyra e tyre e përbashkët ishte të përshkonin Kosovën. Të dyja drejtimet po i çonin mespërmes trevave të banuara me shqiptarë.

Ushtria përparuese në anën jugperëndimore ishte mjaft e ngadaltë, për shkak të terrenit malor dhe luftimeve të vazhdueshme me shqiptarët vendës. Ata kishin strehuar familjet e tyre në malet e afërta të Radanit dhe Majdanit dhe pastaj ishin kthyer sërish për të mbrojtur katundet e tyre. Prandaj, serbët u detyruan t’i pushtonin një për një. Për shkak të kësaj qëndrese të ashpër, katundet shqiptare mbeten krejtësisht boshe. Ikanakët po tërhiqeshin ngadalë drejt Kosovës përmes malit të Gollakut. Ata më në fund mbërrin në trevën e Prishtinës, që qëlloi të ishte destinacioni i tyre i mbramë. Serbët nuk ia dolën dot të mësyjnë në Kosovë. Armëpushimi i frenoi ata në majat e Gollakut.

Dhuna e serbëve lokalë ndaj shqiptarëve

Ushtria që po vepronte në drejtimin e jugut duhej të mësynte nëpërmjet dy grykave: Gërdelicës (mes Vranjës dhe Leskocit) dhe Veternicës (në jugperëndim të Gërdelices). Pas betejave për Gërdelicën dhe përballë Vranjës, serbët e morën këtë qytet. Myslimanët nga Vranja para se të largoheshin u morën bagëtinë, ushqimin dhe paratë serbëve lokalë. Shumë myslimanë u larguan nga rrethinat e Vranjës gjatë muajve në vijim, për shkak se ata po përballoheshin me trazime të turlifarta nga fqinjët e tyre serbë. Shqiptarët e mbrojtën grykën e Veternicës, derisa familjet e tyre u strehuan në malin Gollak. Ata shkuan në të njëjtin mal, pasi u detyruan të linin grykën. Një pjesë e vogël e shqiptarëve u arratis drejt Vranjës. Serbët lokalë morën pjesë në luftimet rreth Veternicës. Ata treguan një armiqësi të madhe ndaj shqiptarëve duke u djegur shtëpitë, duke i plaçkitur e ndjekur. Shqiptarët, në bregun e djathtë të Moravës, në visin e quajtur Masuricë, nuk bën qëndresë dhe mbetën në katundet e tyre.

Pas marrjes së Vranjës, trupat serbe u kthyen në perëndim, drejt Kosovës dhe për pak sa nuk arritën në Prishtinë. Armëpushimi mes rusëve dhe turqve i frenoi ata përballë qytetit. Shqiptarët që banonin tokat mes Vranjës dhe Prishtinës nuk morën pjesë në luftime dhe ata mbetën në shtëpitë e tyre.

Unë nuk jam në gjendje të përshkruaj migrimin e myslimanëve pas kongresit të Berlinit për mungesë të burimeve të besueshme. Një numër i vogël i tyre u përzunë pas luftës, meqë shumica kishin ikur gjatë operacioneve ushtarake. Disa oficerë me ndikim nismuan dhe mbështetën masa të tilla qeveritare. Vetëm gjenerali Jovan Belimarkoviq kundërshtoi urdhrat për dëbim. Ai nuk lejoi që shqiptarët e Masuricës të largoheshin. Por, ata u larguan pak më vonë, kur gjenerali ishte në pushim. I vetmi grup kompakt i shqiptarëve mbeti në luginën e Jabllanicës. Ata qenë me fat që u paraqiten para princ Milan Obrenoviqit para se të nënshkruhej traktati i Berlinit, kështu që ata gëzuan mbrojtjen e tij personale më pas. Në Nish, fjala vjen, priftërinjtë lokalë keqtrajtonin myslimanët e mbetur, kështu që ata u detyruan të migrojnë.

Edhe Zgjerimi i Serbisë dhe përmbysja e pretendimit serb mbi Kosovën Shtojca për Kulturë Zgjerimi i Serbisë dhe përmbysja e pretendimit serb mbi Kosovën

*Autori është profesor i historisë në Universitetin e Beogradit. Ky shkrim është marrë nga revista “Balkanologie: Revue d’etudes pluridisciplinaires”, Vol. II, Nr. 2, 1998. Titulli dhe disa nga mestitujt janë vënë nga redaksia.

(Vijon në numrin e ardhshëm të shtojcës)