Shtojca për Kulturë

Skica të rralla të Basquiatit në ekspozitë online

Një pjesë unike dhe e rrallë e Jean-Michel Basquiat, që përmban vizatime të paekspozuara më parë, është shfaqur në një ekspozitë online. Një kopje e manualit të vitit 1986, “Harry’s ABC of Mixing Cocktails: More Than 300 Famous Cocktails” nga Harry MacElhone, u zbulua me ilustrime të vizatuara nga artisti i famshëm. Ky manual iu dhurua mikut të tij, Randy Gun, dhe tani është shfaqur për herë të parë. Duke paraqitur artefaktin e çmuar publikisht në një ekspozitë në formatin online me “JGC Fine Art”, Gun ka folur për mënyrën se si ai arriti ta zotërojë këtë thesar dhe kujtimet e tij për artistin enigmatik.

Gun, një muzikant, ishte duke punuar në kafenenë “Great Jones” në Manhattan në mesin e viteve 1980 kur lidhi një miqësi me Basquiat. Artisti merrte me qira një studio nga Andy Warhol në “57 Great Jones Street”, përballë kafenesë ku punonte Gun. Në një intervistë në faqen e internetit të galerisë, Gun kujtoi: “(Basquiat) hyri kur kafeneja ishte e mbyllur. Zakonisht unë bëja kafenë gati mes 3 dhe 4 (pasdite). Nëse dikush tjetër përpiqej të hynte, unë iu thosha të vinte pak më vonë. Por kur vinte Jean-Michel, e lija të hynte brenda ... Ai gjithmonë pinte margarita”.

E gdhendur në dorëshkrimin dallues të Basquiat – “Për Randyn, kamarierin më të mirë në NY” – ky kujtim personal i miqësisë së dyshes lejon të hedhim një vështrim në botën private të artistit. Duke kujtuar atë epokë legjendare të historisë së New Yorkut kur “qyteti nuk flinte asnjëherë”, Gun vazhdon të shpjegojë se si dy introvertët gradualisht u njohën me njëri-tjetrin: “Në kohën e pastrimit të kafenesë pak para se të hapej, ai kishte kamarierin e tij privat – mua – dhe nuk donte ta shqetësonte askush. Nëse ai donte të fliste, ne do të flisnim; nëse ai nuk dëshironte të fliste, ne nuk do të flisnim. Ai e dinte se mund të kishte privatësinë në kafene, sepse unë nuk do ta shqetësoja. Ai nuk ishte i bezdisshëm, sepse në atë kohë nuk isha shumë miqësor dhe për mua të gjithë njerëzit ishin të bezdisshëm. Unë me siguri nuk do ta kisha lejuar të hynte në kafene para kohës së hapjes nëse do të kishte qenë i bezdisshëm...”.

Shënimet në librin e koktejve kujtojnë simbolet dhe tekstin e ngjashëm që shfaqen gjatë gjithë punës së Basquiat. Një faqe që përmban variacione të fjalës “EROICA” shfaqet në disa nga pikturat e tij të mëvonshme. Kritiku i artit, David Ebony, mendon për rëndësinë e fjalës që përsëritet, duke sugjeruar, “Kjo do të thotë ‘heroike’ në italisht, por ndoshta mund të jetë një referencë për Simfoninë e tretë të Beethovenit, Eroica?”.

Gjatë kësaj periudhe, në jetën e Basquiat, dyshja shpesh diskutoi problemet e tyre të ndërsjella me varësinë dhe Gun do t’i ofronte këshilla artistit. Ai kujtoi: “E dija dhimbjen që po përjetonte. Po përpiqej të ndalte drogat, por pa sukses. Fakti që ai u kthye për të vizituar barin pasi e inkurajova që të ndalonte përdorimin e drogave është një dëshmi e të qenët i hapur ndaj mundësisë së ndryshimit në atë kohë”.

Megjithatë, pavarësisht luftës së tij, Basquiat vdiq nga një mbidozë e heroinës më 1988, në moshën 27-vjeçare, në apartamentin e tij përballë kafenesë të Gun. Vdekja e tij erdhi vetëm një vit pasi i paraqiti Gunit këtë botim të personalizuar të ABC-së së Harryt për përzierjen e koktejeve, dhe libri mbetet një testament prekës i kësaj miqësie të shkurtër, por të çmuar. “Kjo ishte një dhuratë personale e dhënë mua nga Jean-Michel”, ka thënë Gun. “Ishte e çmuar për mua dhe akoma është. Ishte e jashtëzakonshme”. “A Gift from Basquiat” është ende e hapur në formatin online në JGC Fine Art.

Marrë nga “Dazed&Confused Magazine”. Përktheu: Rina Statovci