Shtojca për Kulturë

“Skena e re” dëshmohet në “PriVocalFest”

Katërdhjetepesë zëra plot nuanca e ngjyrime të korit të fëmijëve të Shkollës së Muzikës në Gjilan, kanë jehuar çdo skaj të Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, në koncertin e së premtes mbrëma, i dyti i edicionit të pestë të festivalit ndërkombëtar të vokalit “PriVocalFest”. Të veshur të gjithë në të bardha, fëmijët e korit janë duartrokitur nga publiku ende pa ia nisur interpretimit të shtatë këngëve zhanresh të ndryshme.

Nisi me interpretimin “Nënës së mirë” të kompozitorit Gjon Gjevelekaj e me tekst të Agreta Gecaj-Gashit. Kënga i kushtohet Nënës Terezë dhe ashtu sikurse ajo edhe teksti dhe notat e interpretuara me saktësi nga fëmijët kanë përçuar vetëm mirësi. Pas dy pikave, korit i cili shoqërohej gjatë gjithë kohës nga mësuesja e pianos, Hajrije Bislimi, nën dirigjimin e Artan Jerliut, iu bashkua edhe klarinetisti i ri Eronit Ramadani. Në këtë kombinim fëmijët arritën ta përshtatnin melodinë e zërit të tyre me atë të pianos e klarinetistit. Përfundimi i këtij interpretimi u pasua nga duartrokitja e brohoritma të shumta.

Image
Performancë mjeshtërore skenës së “PriVocalFestit” i dha edhe sopranoja Ylberinë Avdyli (Foto: Adi Beqiri)

Kori solli para publikut edhe njërën prej kolonave zanore të filmit të njohur për fëmijë, “Mulan” teksa këndoi këngën “Loyal Brave True” të kompozitorit Jamie Hartman. Tingujt e kësaj vepre shquhen nga notat sentimentale e herë-herë dramatike, ndërkaq Kori bëri një interpretim të tillë skenik ku ndonëse të gjithë këndonin të njëjtin tekst, ata nuk fillonin në të njëjtën kohë dhe kështu krijohej një përzierje tingujsh. Përveç kësaj, Kori ndonjëherë ndahej në dysh apo edhe në tresh çka bënte që publiku të dallonte individualitetet vokale të këtyre fëmijëve dhe në të njëjtën kohë t’i qëndronte larg monotonisë.

Nën udhëheqjen e sopranos Ylberinë Avdyli, fëmijët kënduan këngën e vetme të Israel Kamakawiwoʻole, të famshmen “Over the rainbow” të kompozuar nga Harold Arlen. Kjo këngë duket se ishte më e njohura për publikun, i cili më shumë i takonte moshës së rritur. Bashkëpunimi midis sopranos dhe Korit pati për kryefjalë harmoninë. Teksa sopranoja Avdyli interpretonte këngën me plot lëvizje skenike dhe plot mjeshtri vokale ishte Kori ai që e mbushte me magji në interpretimin e saktë.

Interpretimin e kësaj nate fëmijët e Shkollës së Muzikës në Gjilan, e përfunduan ashtu siç edhe e nisën – me këngë shqipe. Ishte kënga popullore shqipe “Këngë moj”, e cila shquhet nga notat e shpejta e të larta. Kënga u përcoll edhe me ritmin që krijonin shuplakat e vogla të fëmijëve e të cilave iu bashkëngjit edhe publiku.

“Sot jemi ndier për mrekulli së bashku edhe me fëmijët. Kjo ishte paraqitja jonë e parë në kuadër të festivalit ‘PriVokalFest’. Kemi kaluar shumë mirë dhe po shpresoj që edhe publiku është ndarë i kënaqur me paraqitjen tonë”, ka thënë dirigjenti i korit, Artan Jerliu.

Ndërkaq mësuesja e pianos, Hajrije Bislimi, me përvojë 17-vjeçare në Shkollën e Muzikës në Gjilan, ka thënë se të punosh me fëmijët është ndjenjë shumë e mirë.

“Është pak e vështirë të punosh me fëmijë, por edhe është ndjenjë shumë e mirë. Ka sfidat e saj, por gjithsesi ia dalim me sukses në fund. Unë punoj me fëmijë qe 17 vjet si mësimdhënëse e pianos, ndërsa gjatë kësaj periudhe kam qenë edhe shoqëruesja në piano e këtyre fëmijëve”, ka thënë Bislimi nën emocionet e mbrëmjes.

Performancë mjeshtërore skenës së “PriVocalFestit” i dha edhe sopranoja Ylberinë Avdyli. Lëvizjet skenike dhe mimikat me anë të së cilave shprehte ndryshimin dhe larushinë emocionale të këngëve, e natyrisht mënyra se si i ekzekutonte notat muzikore, bëri që publiku t’i shijonte në maksimum këngët e saj.

Interpretimin e nisi me arien “Vaga luna che inargenti” të Vincenzo Bellinit dhe me notat e para, Avdyli arriti ta bënte për vete publikun edhe kur solli “Voi Che Sapete” të Mozartit, “Ma Rendi Pur Contento” të Vincenzo Bellinit dhe “Song to the moon” të Antonin Dvorakut. Performanca e Avdylit u përcoll nga tingujt e pianistes Leonita Emini.

“Këndimi para një audience të tillë është ndoshta paksa i vështirë përderisa nganjëherë nuk munden ta kuptojnë tekstin, kur flitet në gjuhën tjetër sepse këngët që i këndova unë sot asnjëra nuk ishte shqip. Megjithatë, fatmirësisht u duk se u kuptua, qoftë përmes lëvizjeve skenike me anë të së cilave ata e kuptojnë edhe se çfarë po ndodh ose se çfarë po flitet aty”, ka thënë sopranoja Ylberina Avdyli. Ka theksuar rëndësinë e organizimit të festivaleve të tilla sikurse “Pri Vocal Fest”, të cilët kanë në fokus të tyre zërat profesionalë. “Jam shumë e lumtur që në Kosovë mbahen festivale të tilla, sidomos festivale që kanë lidhje me vokale, ngase kjo është një përparësi shumë e madhe sidomos për të rinjtë që më pas ta kenë të ardhmen më të sigurt, që t’i shohë dikush, t’i dëgjojë dikush edhe ta kuptojnë që edhe në Kosovë ka zëra jashtëzakonisht të mirë”, ka thënë ajo.

Image
Sopranoja Martina Lekaj ka sjellë magjinë e këngëve shqipe (Foto: Adi Beqiri)

E shoqëruar nga pianisti Melos Buza, në këtë mbrëmje performoi edhe sopranoja Martina Lekaj. Ndryshe nga Avdyli, ajo këndoi katër këngë shqipe duke nisur nga kënga popullore shkodrane “Midis ballit ma ke një pikë”, të cilën e interpretoi me plot mjeshtëri, ndonëse nën emocionet që ia ofronte skena.

Ndër të tjera, Lekaj interpretoi para një publiku të shumtë në numër këngën “Bylbyli” me tekst të poetit të periudhës romantike, Ndre Mjedës, e kompozim të Limoz Dizdarit. Sopranoja ka dëshmuar saktësi edhe në notat e larta siç ka bërë edhe te “Polyubila Ja” të kompozitorit, pianistit dhe dirigjentit rus, Sergei Rachmaninoff.

“Gjatë performancës së sotme u ndjeva shumë mirë edhe pse pata pak emocione, por kaloi shumë mirë. Kur bën prova, bën ushtrime, je gati dhe pastaj gjithçka shkon në rregull”, ka thënë Martina Lekaj.

Dea Hamdiu, koordinatore për media e “PriVocal Fest”, ka thënë se festivali për çdo vit sjell para publikut zëra të rinj në mënyrë që t’u japë edhe atyre hapësirën e merituar.

“Sonte ishte nata e dytë. Sikurse edhe çdo vit tjetër u kemi dhënë hapësirë talenteve të rinj dhe madje këtë e kemi quajtur ‘Skena e re’. Në skenë sonte patëm korin e Shkollës së Muzikës nga Gjilani nën dirigjimin e Artan Jerliut për të vazhduar më pas me dy zërat fantastikë të Ylberina Avdylit e Martina Lekajt”, ka thënë ajo.

“PriVocalFest” do të vazhdojë edhe për tri net të tjera, ku të hënën pritet të performojë grupi i njohur britanik “The Swingles”, i cili është edhe fitues i pesë çmimeve “Grammy”.