Shtojca për Kulturë

Situata jashtë kontrollit në Kosovën e vitit 1991

Prishtinë pas protestës së 30 gushtit të vitit 1990. Foto: Hazir Reka. Përpunuar me ngjyra nga “Prishtina ime”

Prishtinë pas protestës së 30 gushtit të vitit 1990. Foto: Hazir Reka. Përpunuar me ngjyra nga “Prishtina ime”

Përsëritja e kërkesës për ndihmë humanitare për dimrin që po afrohet tregon një shqetësim të thellë për përkeqësimin e kushteve jetësore të popullatës, duke paralajmëruar se mungesa e reagimit të Evropës nuk është vetëm një dështim politik, por edhe një shpërfillje ndaj nevojave themelore humanitare. Treshja diplomatike evropiane në dhjetorin e vitit 1991 kishte takuar edhe politikanin e intelektualin Veton Surroi, kryetar i Partisë Parlamentare dhe Gazmend Pulën – kryetar i Komitetit të Helsinkit për Kosovën, sikurse edhe Azem Vllasin

Raporti i diplomatit gjerman Th. Schmitt pas një udhëtimi zyrtar në Prishtinë më 11 e 12 dhjetor 1991, ngre një sërë propozimesh konkrete që synojnë jo vetëm ndërgjegjësimin e opinionit publik shqiptar, por edhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Kërkesat për transmetim të lajmeve në gjuhën shqipe nga “Deutsche Welle” dhe BBC nënkuptojnë domosdoshmërinë e informimit të popullsisë shqiptare, në një kohë kur media të tilla si Radio Tirana po pengoheshin në mënyrë aktive nga valët penguese serbe — një shenjë e censurës së rëndë dhe kontrollit të informacionit nga regjimi i Beogradit.

Po ashtu, insistimi që shqiptarët e Kosovës të trajtohen si palë të barabarta në Gjykatën e Hagës tregon përpjekjen për t’u dhënë legjitimitet ndërkombëtar përfaqësuesve politikë shqiptarë, duke sfiduar narrativën serbe që i trajtonte ata si qytetarë të dorës së dytë ose si pengesë të brendshme. Po kështu, kërkesa për dërgimin e trupave paqeruajtëse (Helmetave blu) dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të lira nën mbikëqyrje ndërkombëtare tregon se diplomati gjerman e konsideronte situatën në Kosovë si një krizë që kishte dalë jashtë kontrollit dhe që kërkonte ndërhyrje ndërkombëtare të menjëhershme.

Kërkesa që Shqipëria të aktivizojë mekanizmat e KSZE-së për dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut, dhe që kjo të mbështetet nga shtetet e tjera evropiane, është një përpjekje për të legjitimuar ndërkombëtarisht shqetësimet për represionin serb në Kosovë, duke e vendosur krizën në agjendën e strukturave multilaterale të kohës (KSZE/OSBE).

Në fund, përsëritja e kërkesës për ndihmë humanitare për dimrin që po afrohet tregon një shqetësim të thellë për përkeqësimin e kushteve jetësore të popullatës, duke paralajmëruar se mungesa e reagimit të Evropës nuk është vetëm një dështim politik, por edhe një shpërfillje ndaj nevojave themelore humanitare.

Takimet me Veton Surroin dhe Gazmend Pulën

Siç ka shkruar ai, treshja diplomatike evropiane kishte takuar edhe politikanin e intelektualin Veton Surroi, kryetar i Partisë Parlamentare dhe Gazmend Pulën – kryetar i Komitetit të Helsinkit për Kosovën.

Në këtë takim, Veton Surroi – një nga figurat më të rëndësishme intelektuale dhe politike të kohës – angazhohet qartë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke e paraqitur këtë si rrugën e vetme të mbetur përballë mbylljes së të gjitha opsioneve të brendshme. Ai u paraqet diplomatëve të huaj një narrativë historike dhe politike të qëllimshme, ku theksohet se shqiptarët kanë hequr dorë nga dhuna, por njëkohësisht ai theksoi pyetjen “what’s out of the game” (çfarë nuk përjashtohet nga loja) në lidhje me një tërheqje të mundshme nga ky pozicion.  Sipas këtij kabllogrami, Surroi përshkruan qartë se në fund të këtij procesi do të qëndronte edhe opsioni i një Shqipërie të bashkuar. Ndoshta për këtë konstatim në këtë pjesë të raportit ishte vendosur shënimi “maksimalist” nga zyrtarët dhe diplomatët e MPJ në Bonn, të cilët merreshin me Ballkanin, përkatësisht me Kosovën. Më tej raporti bën me dije se Surroi kishte deklaruar se ajo çfarë i duhej Serbisë në atë kohë ishte “një serb si De Gaulle, që do të kishte forcën për t’u shkëputur nga një koloni që nuk është më e qëndrueshme”.

Siç ka shkruar diplomati gjerman në kabllogramin e tij, P., i kishte lënë një përshtypje dukshëm më modeste sesa S., pasi P. e shihte opsionin e bashkimit të shqiptarëve më tepër si një opsion akademik. Populli i thjeshtë ishte më i prirë për të qëndruar në Jugosllavinë e mbetur sesa intelektualët. Popullit i duhej dhënë vetëm “afërsia me normalitetin”. Edhe kufiri i brendshëm shqiptar duhej të humbiste karakterin e tij jomizor. “Ishte e qartë”, citohet të ketë thënë P. në raportin e diplomatit gjerman, se shqiptarët do të ishin ata që do të pësonin më shumë në rast përdorimi dhune. Një kryengritje do të sillte një masakër selektive dhe do ta kthente kombin shqiptar 30 vjet prapa. Për më tepër, Shqipëria do të përfshihej pa dyshim në një konflikt të tillë. Aktualisht, çdo vit, ka rreth 30.000 lindje shqiptare më shumë. Pas rreth 20 vjetësh, shpresa për një barazi serbo-shqiptare do të kishte përfunduar. Kjo është arsyeja pse politika serbe përpiqet që, nga njëra anë, të mbajë shfaqjen e shtypjes, por nga ana tjetër të jetë pjesërisht e pakënaqur me “procesin e rindaljes” (reintegrimit). Sipas diplomatit gjerman, kjo deklaratë shpreh frustrimin dhe zhgënjimin e përfaqësuesve shqiptarë për shkak të mungesës së reagimit të Evropës ndaj çështjes shqiptare, duke e krahasuar atë me standardin e ribashkimit gjerman. Pyetja retorike në fund – “A duhet të shkaktojmë një rrëmujë...” – tregon ndjenjën e padrejtësisë, por njëkohësisht shërben si kritikë ndaj parimit të dyfishtë të perëndimit, i cili duket se reagon vetëm kur shpërthen dhuna.

Siç ka shkruar ai, treshja diplomatike evropiane kishte takuar edhe politikanin e ish-udhëheqësin komunist të Kosovës, Azem Vllasin.

Në vazhdim të raportit të diplomatit gjerman, thuhet se pas mbylljes së gazetës në gjuhën shqipe “Rilindja”, ishte bërë një zëvendësim në formën e një gazete bujqësore, e cila dilte pesë herë në javë, me qëllim që intelektualët shqiptarë të kishin njëfarë hapësire për të shfryrë frustrimin e tyre. Shqiptarët i mbushnin ato me artikuj ekonomikë, me ç’rast u krijua një lloj ekonomie tregu nëpërmjet lojërave. Megjithatë, raporti konstatonte, se ekzistonte gjithnjë rreziku që edhe këto media të ndaloheshin në çdo moment, duke shkruar se nëse kjo ndodhte, shqiptarët do të mbeteshin pas asnjë lloj mjeti të komunikimit në gjuhën e tyre.

Në kabllogramin e tij diplomati, po ashtu, theksonte se nga opozita serbe nuk pritej ndonjë simpati për çështjen shqiptare të Kosovës.

“Edhe ata e shihnin Kosovën si një ‘pikë të dobët të Serbisë’”.  Prandaj, Schmitt tërheq vëmendjen se një zgjidhje për problemin e Kosovës mund të vinte vetë përmes “ndërkombëtarizimit të çështjes”. “Qëllimi  kryesor i shqiptarëve ishte që të njiheshin si komb me status të barabartë ndërkombëtarisht në Konferencën e Hagës. Një rikthim i shqiptarëve në lojën politike brenda-jugosllave apo brenda-serbe do të ishte vetëvrasje politike për të gjithë shqiptarët”, shkruante Schmitt në raportin e tij dërguar Miinistrisë së Jashtme Federale në Bonn.

Azem Vllasi, ish-komunist shqiptar, ish-kryetar i Partisë për Kosovën

“V. la  përshtypjen e një njeriu të dëshpëruar dhe të frikësuar. Ai tha se ish-komunistët shqiptarë tani ishin pjesë e lëvizjes kombëtare, ndonëse shumë prej tyre nuk kishin më ndikim dhe përballeshin me probleme ekonomike të mëdha. Disa prej tyre ishin më radikalë se opozita komuniste”, ka shkruar diplomati gjerman.

Edhe Vllasi, ashtu si përfaqësuesit e tjerë shqiptarë, ishte shprehur për ndjekjen e kursit të rezistencës paqësore dhe aktive (si për shembull hyrja me forcë në fabrika). Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, Vllasi deklaronte se nuk kishte asnjë përfaqësues në qeverinë aktuale serbe me të cilin shqiptarët mund të bisedonin. Madje sipas tij, në situatën e atëhershme asokohe as opozita nuk ishte e gatshme të diskutonte për autonomi apo sovranitet të Kosovës. Pikat e para të kontaktit do të mund të ishin bisedimet me opozitën (Miqunoviq, Gjuriq, ndoshta edhe Drashkoviq) për të drejtat e njeriut, shkollat, mediat etj.

Sipas këtij raporti, pikëpamjet e Vllasit për të ardhmen dhe strukturat e mundshme për Kosovën nuk ndryshonin shumë nga ato të bashkëbiseduesve të tjerë:

Ndërkombëtarizimi

Zgjedhjet e lira nën mbikëqyrjen ndërkombëtare

Të drejtat për minoritetin serb në Kosovës

Hapja e kufijve

Shkëputja nga Serbia

Sa i përket bashkëjetesës midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, Vllasi bënte një propozim të modelit të Kosovës me dy komunitete (modeli i dy komuniteteve territoriale në Belgjikë).

“Situata aktuale mund të zgjaste 5 ose 50 vjet, por ai nuk e shihte si të qëndrueshme”.  “Serbia u rraskapit vetë“, citohet Vllasi në raportin e detajuar të diplomatit gjerman.

Një ngjarje kulturore në Münich

Në pjesën e fundit të këtij raporti, Schmitt flet për një ngjarje kulturore të organizuar nën drejtimin e Hamit Mehmetit, kryetar i Shoqatës së Miqësisë, në të cilën kishin marrë pjesë rreth 50 vetë, ndër ta edhe një pjesë e madhe e elitës intelektuale të Kosovës.

Diplomati gjerman konstaton se gjatë këtij aktiviteti kishte zhvilluar bisedime me anëtarët e bordit drejtues (pa përmendur emra), për:

Bashkëpunimin e mëtejshëm

Organizimin e aktiviteteve dhe kurseve të gjuhës gjermane,

Si dhe për ndërtimin e një biblioteke në gjuhën gjermane në Prishtinë.

Diplomati gjerman në përfundim të këtyre takimeve jep edhe disa rekomandime për zyrtarët e Ministrisë së Jashtme Gjermane në Bonn. Ai e sheh hapësirën shqipfolëse në Prishtinë si një mundësi të favorshme për ndikim kulturor gjerman, duke e konsideruar këtë zonë si më të hapur dhe më pranuesen ndaj aktiviteteve kulturore që burojnë nga Gjermania. Vlerësimi i tij për përfitueshmërinë dhe efektivitetin e veprimit me “pak mjete financiare” sugjeron një perceptim të një audience të gatshme, që nuk kërkon investime të mëdha për të qenë e ndjeshme ndaj ofertës kulturore gjermane. Kjo gjithashtu mund të nënkuptojë një dimension të butë të diplomacisë kulturore, ku ndikimi politik dhe ideologjik synohet të arrihet përmes kanaleve të kulturës dhe arsimit.

Në të njëjtën kohë, diplomati Schmitt nënvizon nevojën për menaxhimin e pritshmërive të larta të shqiptarëve të Kosovës – një sugjerim që tregon vetëdije për rreziqet që mund të sjellë një perceptim i ekzagjeruar i rolit apo ndikimit të Gjermanisë në rajon. Kjo frazë pasqyron një qëndrim të kujdesshëm, ndoshta për të mos krijuar iluzione politike ose shpresa që tejkalonin atë që realisht mund të ofrohej nga Gjermania në atë periudhë.

“Natyrisht, pritshmëritë e tepruara ndaj nesh duhet të zbuten vazhdimisht”, ka shkruar diplomati gjerman në raportin e tij në dhjetor të vitit 1991.

LEXO EDHE: