Shtojca për Kulturë

Dimri i 1991-s në Kosovë: Katastrofë ekonomike, torturë ndaj shqiptarëve

Dimri i 1991-s në Kosovë: Katastrofë ekonomike, torturë ndaj shqiptarëve

Në kabllogramin e tij, diplomati gjerman po ashtu kishte raportuar në detaje për represionin ndaj shqiptarëve në Kosovë në fushën e arsimit. Sipas raportit, të gjitha institucionet arsimore për shqiptarët ishin të mbyllura. 450 mijë fëmijë nuk po vijonin shkollimin. Siç dihet pala serbe, e cila në mënyrë arbitrare kishte serbizuar programet për shkollat tetëvjeçare dhe të mesme, kryesisht në lëndët kombëtare, letërsi, gjuhë, histori dhe gjeografi, provokoi rezistencën e shqiptarëve. Dhe meqë kjo “shkollë-rezistencë” ishte atribut i shtetformimit të Kosovës, Beogradi rriti presionin duke përjashtuar mësimdhënësit dhe profesorët si dhe duke i dëbuar ata nga mbajtja e procesit të arsimit në objektet shkollore publike. Në foto shtëpia-shkollë (Foto: Shyqeri Obertnica)

Katastrofë, është përshkrimi që ia bën situatës ekonomike të Kosovës diplomati gjerman në raportin pas vizitës në dimrin e vitit 1991. Mbi 100 mijë shqiptarë ishin pushuar nga puna, shkollat ishin serbizuar, policia konfiskonte paratë që diaspora niste këndej, e të rinjtë mobilizoheshin në ushtri si metodë frike e nxitje për ta lëshuar vendin. Një veçori e këtij raporti është edhe përshkrimi i torturës individuale, që i jep një dimension human tragjedisë kolektive. Rasti i djalit të detyruar të gëlltisë një thikë, i babait të poshtëruar përmes dhunës dhe grabitjes së unazës martesore, apo kastrimi si akt çnjerëzor, e tejkalojnë përshkrimin e represionit klasik politik dhe marrin trajtat e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, edhe në mungesë të një lufte të deklaruar

Diplomati gjerman Th. Schmitt në raportin diplomatik pas një udhëtimi zyrtar në Prishtinë më 11 e 12 dhjetor 1991, përshkruan edhe situatën ekonomike të Kosovës të cilën e cilëso katastrofale. Aty thuhet se nga gjithsej 240 mijë të punësuar me kontratë, rreth 100 mijë shqiptarë janë pushuar nga puna. Nga kjo shifër, shumë ishin serbë apo malazezë, të cilët nuk janë prekur ende. Afërsisht 100 mijë punëtorë shqiptarë, përfshirë 25 mijë mësues shqiptarë, që nga fillimi i vitit janë pa punë. Edhe punonjësit shqiptarë të administratës federale janë prekur. Kanë mbetur vetëm punëtorë të pakualifikuar në sektorin e tekstilit. Edhe ata, sipas të gjitha gjasave, duhet të llogarisin me pushim nga puna në një të ardhme të afërt.

Të gjithë 632 profesorët shqiptarë dhe shumë punëtorë të pakualifikuar janë dëbuar fizikisht nga institutet e tyre (kjo është konfirmuar nga disa profesorë në biseda të mëvonshme).

Ndihma nga diaspora dhe konfiskimi i parave

Situata ushqimore nuk konsiderohet ende e rrezikshme vetëm sepse 70 për qind e shqiptarëve jetojnë në fshat, për dallim nga 30 për qind e serbëve dhe 80 për qind e malazezëve në Kosovë, të cilët jetojnë në qytete. Këta të fundit mbështeten nga familjarët në fshat. Sipas dokumentit të Ambasadës së Gjermanisë në Beograd, në këtë situatë të rëndë ekonomike “ekziston edhe mbështetja financiare nga diaspora shqiptare, e cila megjithatë është gjithnjë e më shumë e rrezikuar, pasi sipas parimit të forcës ( “e drejta e grushtit” ose “ligji i më të fortit”), të gjitha paratë që binin në dorë të autoriteteve serbe konfiskohen, veçanërisht në pikat e kontrollit rrugor dhe në kalimet kufitare të reja me Maqedoninë.

“Dimri më i vështirë që nga viti 1945”

Përveç kësaj, në këtë raport potencohej se ditët e tregut ishin veçanërisht të rrezikshme, sidomos për fermerët, të cilët kishin frikë se do t’u konfiskohet gjithçka, deri te patatet dhe lakrat.

Sipas raportit të diplomatit gjerman, shumica e bashkëbiseduesve të tij në Prishtinë ishin të një mendimi: “Dimri më i vështirë që nga viti 1945 është për t’u pritur, edhe nëse nuk pritet uria masive. Por, vështirësitë më të mëdha llogaritet të jenë në Prishtinë dhe Mitrovicë. Për këtë arsye, diplomatit gjerman konsideron se Evropa Perëndimore duhej që urgjentisht t’u ofronte ndihmë humanitare shqiptarëve të Kosovës.

Sa u përket sanksioneve ndaj Serbisë, në raport thuhej se ato nuk i prekin shqiptarët, pasi ata tashmë ndodheshin në nivel të mbijetesës. Përkundrazi, u tha se serbët vetë kanë vendosur sanksione ndaj shqiptarëve – tani është koha që edhe ata t’i ndiejnë. Në këtë kontekst, raporti thekson edhe trajtimin e shqiptarëve sipas metodave të aparteidit. Sipas raportit në fjalë, në gjashtë muajt e fundit të vitit 1991 kishte pasur kufizime të karburantit për shqiptarët e Kosovës – për një periudhë, vetëm anëtarët e SPS (partisë së Millosheviqit) mund të merrnin benzinë.

Arsimi, serbizimi i shkollave dhe 450 mijë fëmijë pa mësim

Në kabllogramin e tij, diplomati po ashtu kishte raportuar në detaje për represionin ndaj shqiptarëve në Kosovë në fushën e arsimit. Sipas raportit, të gjitha institucionet arsimore për shqiptarët janë aktualisht të mbyllura. 450 mijë fëmijë nuk po vijonin shkollimin. Siç dihet pala serbe, e cila në mënyrë arbitrare kishte serbizuar programet për shkollat tetëvjeçare dhe të mesme, kryesisht në lëndët kombëtare, letërsi, gjuhë, histori dhe gjeografi, provokoi rezistencën e shqiptarëve. Dhe meqë kjo “shkollë-rezistencë” ishte atribut i shtetformimit të Kosovës, Beogradi rriti presionin duke përjashtuar mësimdhënësit dhe profesorët si dhe duke i dëbuar ata nga mbajtja e procesit të arsimit në objektet shkollore publike. Këto masa Beogradi provonte t’i cilësonte si bojkot të shqiptarëve.

Prandaj, siç theksohet në këtë raport,  bashkëbiseduesit shqiptarë i kishin deklaruar se “nuk është bojkot nga pala shqiptare, por mbyllje e detyruar nga administrata serbe”. Megjithatë, në raport thuhet se kishte kundërthënie në deklarata, çka “na bëri të dyshonim se bëhet fjalë, në pjesën më të madhe, për një bojkot të qëllimshëm”. 

Por, në raport konstatohet qartë se përveç planeve mësimore, që ishin vetëm përkthime nga serbishtja, bashkëbiseduesit kishin kritikuar edhe detyrimin për të kryer të gjitha veprimet administrative në gjuhën serbe dhe në alfabetin cirilik. Përveç kësaj, në raport thuhej se gjuha shqipe si gjuhë mësimi ishte duke u shtyrë gjithnjë e më shumë mënjanë në favor të serbishtes, duke shtuar se sipas planeve të reja, në shkollat e mesme, gjuha shqipe pothuajse nuk parashikohet më fare.

“Shërbimi shëndetësor është në përkeqësim të vazhdueshëm”

Diplomati gjerman në kabllogramin e tij kishte raportuar edhe për gjendjen e vështirë në sektorin shëndetësor. Nga 100 mijë të dëbuar nga puna, 80 mijë ishin pa sigurim shëndetësor. Dhe si pasojë, thuhet se sëmundjet si tuberkulozi ishin rritur. Në këtë kontekst, dokumenti në fjalë thekson se edhe vdekshmëria e foshnjave është rritur nga 50 në 70 promil. Të gjithë mjekët shqiptarë në qytete ishin larguar nga puna dhe ishin zëvendësuar vetëm pjesërisht nga serbët. Nëse në të kaluarën kishte një mjek për 800 banorë, tani kishte vetëm një mjek për 3 mijë banorë. Përveç kësaj, thuhej se në këtë kohë edhe “Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës ishte i mbyllur që nga viti i kaluar”.

Mobilizimi si metodë frikësimi e dëbimi i të rinjve

Lidhur me mobilizimin e të rinjve shqiptarë, në raportin e tij diplomati gjerman konstaton se “Ushtria është duke mobilizuar në Kosovë, jo domosdoshmërisht për të thirrur të rinjtë në shërbim ushtarak, por për të neutralizuar rininë dhe për t’i dëbuar ata nga Kosova. Ky mobilizim ka për qëllim, sipas perspektivës serbe, të trembë dhe frikësojë të rinjtë. Brezi i ardhshëm i rekrutimit është synuar të pengojë ikjen e rinisë. Megjithatë, 20 mijë deri në 22 mijë prej tyre tashmë kanë braktisur Kosovën, thuhet në këtë raport.

Përveç tjerash, dokumenti thotë se njëri nga bashkëbiseduesit, profesor Agani, 59 vjeç, kishte qëndruar disa ditë në ndalim pasi nuk i ishte lejuar të udhëtonte për në Gjermani nga Aeroporti i Beogradit. Arsyeja e dhënë ishte se ndodhej nën mbikëqyrje. 

Me këtë rast jep edhe një detaj të tillë si ai kur në një ndërmarrje të “Coca-Cola”, kandidatët shqiptarë për punë u futën në autobus dhe u dërguan në frontin e luftës.

Në këtë kontekst, diplomati gjerman citon zyrtarët e LDK-së, të cilët asokohe vlerësonin se që nga qershori, mbi një mijë shqiptarë kishin dezertuar nga fronti i Kroacisë. Aktualisht, në front ndodhen 5 mijë deri në 6 mijë shqiptarë, shumica në vijën e parë si “mish për top”. Në anën kroate nuk ka shqiptarë të Kosovës që luftojnë, përveç disa shqiptarëve që jetonin më herët në Kroaci.

Por, sipas raportit të diplomatit gjerman, deri më tani LDK-së nuk i është bërë i njohur asnjë rast ku shqiptarët të jenë gjykuar nga gjykatë ushtarake për dezertim. Për këtë arsye, në këtë pikë raporti konstaton se dënimet e mundshme mbeten spekulative.

“Kosovën e kontrolluar nga një regjim tërësisht arbitrar”

Takimi i dytë me:
Nehat Islamin, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ)
Zenun Çelajn, KMDLNJ
Bajram Kelmendin, KMDLNJ
Fazli Balajn, KMDLNJ
Agni H. Dikën, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit të Helsinkit

Sipas informacioneve shtesë që dolën nga ky takim me drejtuesit e KMLDNJ-së dhe të Komitetit të Helsinkit, paraqitet një panoramë alarmante e shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë fundviteve ’80 dhe fillimviteve ’90. Në thelb, dëshmitë e tyre e paraqesin Kosovën si një hapësirë të kontrolluar nga një regjim tërësisht arbitrar, ku mbizotëronte dhuna strukturore dhe represioni institucional sistematik ndaj shqiptarëve.

Raporti i diplomatit gjerman pas takimit me drejtuesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Komitetit të Helsnikit në dhjetor 1991 pasqyron me qartësi një realitet të errët dhe thellësisht alarmues në Kosovë në prag të shpërthimit të konfliktit të armatosur. Nëpërmjet një gjuhe të matur diplomatike, por faktikisht të ngarkuar me konstatime të rënda, ky raport përshkruan një sistem represiv shtetëror i cili është në prag të zhvillimit të një fushate gjenocidale kundër shqiptarëve të Kosovës. Konstatimi se “në Kosovë ekziston rreziku akut i gjenocidit” nuk është përdorur si metaforë, por si vlerësim i drejtpërdrejtë dhe profesional, i bazuar në një sërë të dhënash që flasin për një model të dhunës sistematike dhe të institucionalizuar.

Numrat janë vetë një akt akuze: 105 të vrarë që nga viti 1981, prej të cilëve 91 pas vitit 1988, 500 raste plagosjesh me armë zjarri, 2.500 dënime me burg për shkak të kërkesës për barazi, 43 të burgosur politikë afatgjatë, si dhe 700.000 raste të “trajtimit policor” – janë të dhëna që shpalosin përmasat masive të përndjekjes politike, diskriminimit etnik dhe dhunës së drejtpërdrejtë ndaj një popullsie të tërë.

Rasti i djalit që u detyrua të gëlltiste thikën

Një veçori e këtij raporti është edhe përshkrimi i torturës individuale, që i jep një dimension human tragjedisë kolektive. Rasti i djalit të detyruar të gëlltisë një thikë, i babait të poshtëruar përmes dhunës dhe grabitjes së unazës martesore, apo kastrimi si akt çnjerëzor, e tejkalojnë përshkrimin e represionit klasik politik dhe marrin trajtat e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, edhe në mungesë të një lufte të deklaruar.

Për më tepër, mohimi total i mbrojtjes ligjore për shqiptarët tregon se shteti i atëhershëm jugosllav kishte instaluar një regjim aparteidi etnik, ku ligji nuk zbatohej për të gjithë qytetarët njësoj, por përdorej si mjet ndëshkimi selektiv mbi baza kombëtare. Sipas diplomatit gjerman, shqiptarët janë plotësisht të pambrojtur ligjërisht.

Përgjigjja që përfaqësuesit shqiptarë i japin pyetjes mbi atë çfarë presin nga Evropa – “dënimin e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve” – është në thelb një apel për drejtësi ndërkombëtare dhe ndërhyrje morale nga bashkësia evropiane, në një kohë kur ajo ende hezitonte të artikulonte reagime të qarta për shkeljet në Kosovë.

Në këtë pjesë të raportit diplomatik, vihet re një ton i qartë kritik ndaj mungesës së reagimit evropian përballë represionit gjithnjë e më të thelluar ndaj shqiptarëve në Kosovë. Diplomati gjerman evidenton një kontrast të thellë midis retorikës së Evropës për zgjidhje paqësore dhe mungesës së çdo veprimi konkret për të ndalur dhunën apo për të ndihmuar popullsinë shqiptare në Kosovë. Fjalia: “Evropa ka thënë gjithmonë se një zgjidhje është e mundur vetëm në mënyrë paqësore. Këtë e kanë pranuar në rastin e Kosovës. Por tani, Evropa nuk po bën asgjë” — është një akuzë e drejtpërdrejtë që vë në pikëpyetje koherencën dhe vullnetin politik të Evropës për të zbatuar parimet që vetë i shpall.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë