Shtojca për Kulturë

Shkëlqimi i Bekimit

Bekim Fehmiu para shtëpisë në Prizren pran Lumbardhit (Foto: Shukri Kaçaniku)

Bekim Fehmiu para shtëpisë në Prizren pran Lumbardhit (Foto: Shukri Kaçaniku)

Në Kosovën e viteve ‘60 – ‘70, ndonëse shumë familje shqiptare nuk kishin televizor, fama e Bekim Fehmiut (1 qershor 1936 – 15 qershor 2010) hynte në çdo shtëpi përmes gazetave dhe revistave të kohës. Emri i tij u bë aq popullor, saqë nisi t’u jepej si emër fëmijëve – e jo rrallëherë, edhe nëse lindte vajzë, ajo quhej “Bekime”, në nder të aktorit të adhuruar

Aktori shqiptar më i njohur i të gjitha kohërave mbetet, pa dyshim, Bekim Fehmiu. Para tij, famën ndërkombëtare, veçanërisht në Evropë, e kishte arritur Aleksandër Moisiu, biri i emigrantëve shqiptarë, i lindur në Itali. Një koincidencë domethënëse është se edhe Bekimi lindi jashtë trojeve etnike shqiptare – në Sarajevë. Moisiu ndërroi jetë në vitin 1935, dhe një vit më vonë, më 1936, lindi Bekimi. Pikërisht këtë fakt, Bekimi e kishte shndërruar në batutë: kur një profesor i tha se nuk do të mund të ishte më i famshëm se Moisiu, Bekimi iu përgjigj me humor: “Po unë kam lindur një vit pasi ai vdiq”.

Për të kuptuar thellë dimensionin e këtyre dy figurave të mëdha të skenës dhe ekranit, duhet ta vendosim secilin në kontekstin e kohës, zhvillimit kulturor dhe rrethanave shoqërore. Të dy ishin shqiptarë “puro”, por asnjëri nuk arriti të interpretonte në gjuhën shqipe në skenën profesionale. Ndoshta Bekimi, në rininë e hershme, pati ndonjë rol në shfaqje amatore në Gjimnazin e Prizrenit apo në fillimet e tij në Teatrin Popullor të Prishtinës në vitet 1955–1956. Ndërsa për Moisiun, kjo ishte praktikisht e pamundur për shkak të kohës dhe kushteve historike.

Bekim Fehmiu bashkë me yllin e skenave operistike në Evropë e Amerikë, aktoren dhe sopranon, Anna Moffo. Bekimi në premierë paraqitet me veshjen e stilizuar kombëtare shqiptare, në premierën e filmit “Aventurierët” të Lewis Gilbertit, New York, viti 1970 

Bekimi, që jetoi në qytete të ndryshme – nga Sarajeva, Shkodra, Prizreni, Prishtina dhe më pas Beogradi – nisi rrugën e artit sapo përfundoi studimet në Akademinë e Artit në Beograd. Ai shkëlqeu që në rolet e para teatrale dhe filmike, duke tërhequr shpejt vëmendjen e kinematografisë perëndimore. Mori pjesë në festivale prestigjioze si në Kanë, Venecia e të tjerë, duke hapur rrugën për bashkëpunime ndërkombëtare. Shtypi i kohës nisi ta trajtonte si yll të vërtetë të artit filmik.

Bekimi në shtypin shqiptar të Kosovës

Në Kosovën e viteve ’60 – ‘70, ndonëse shumë familje shqiptare nuk kishin televizor, fama e Bekim Fehmiut hynte në çdo shtëpi përmes gazetave dhe revistave të kohës. Emri i tij u bë aq popullor, saqë nisi t’u jepet si emër fëmijëve – e jo rrallëherë, edhe nëse lindte vajzë, ajo quhej “Bekime”, në nder të aktorit të adhuruar.

Shtypi kosovar, përfshirë gazetën “Rilindja”, revistën “Zani i Rinisë” dhe më vonë “Kosovarja”, pasqyronin herë pas here aktivitetet dhe sukseset e tij në sheshxhirime, si dhe vizitat e rralla në Kosovë – veçanërisht në Prizren e Prishtinë.

Kur ylli nuk njihet në vendin e tij

Në kulmin e famës, Bekimi përjetoi edhe momente absurde. Një prej tyre ndodhi në Prishtinë, ku iu refuzua hyrja në një lokal, thjesht sepse nuk ishte i njohur për kamerierin. Ishte miku i tij, shkrimtari Musa Ramadani, ai që ndërhyri dhe e bëri të qartë se para tyre qëndronte një nga aktorët më të famshëm të Evropës. Ndryshe, dera do t’i ishte mbyllur në fytyrë.

Bekim Fehmiu në pullat postare të Kosovës dhe të Serbisë

Italia nuk e harron

Vite më vonë, gjatë një projekti ndërkombëtar në Dragash, një ekspert italian (di Stefano) e përmendi me adhurim serialin “Odiseu” dhe aktorin kryesor të tij, Bekim Fehmiun. Kur dëgjoi se ai kishte jetuar pikërisht në shtëpinë pranë Lumbardhit të Prizrenit, u habit. Edhe pasi iu tregua një fotografi e Bekimit, e realizuar nga Shukri Kaçaniku para asaj shtëpie, italiani vështirë se besonte se një ikonë botërore kishte jetuar në një shtëpi të harruar, pa asnjë pllakë përkujtimore. Në rrjetet sociale sot ekziston një faqe dedikuar Bekim Fehmiut, që menaxhohet nga adhurues nga mbarë bota – përfshirë shumë italianë – që postojnë imazhe, artikuj dhe kujtime për të.

Kosova nuk e harron – por a mjafton?

Në Kosovë janë bërë disa përpjekje për të përjetësuar figurën e Bekimit: Teatri i Prizrenit mban emrin e tij, disa rrugë janë emërtuar në nder të tij. Kujtimet e shkruara nga vetë ai në vitin 1985, u botuan në serbisht më 2001, ndërsa në shqip u përkthyen më 2015 me titullin “Shkëlqim dhe tmerr”. Në vitin 2013, Posta e Kosovës emetoi një pullë postare kushtuar ikonës. Serbia bëri të njëjtën gjë më 2017. Ndërkohë, gazetari Fahri Musliu botoi monografinë “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”.

Por të gjitha këto nuk mjaftojnë për të reflektuar peshën dhe vlerën e kësaj figure të artit shqiptar dhe ndërkombëtar. Bekimi ende nuk ka një shtatore, një muze, një qendër kulturore apo një hapësirë të përhershme ku të mund të prezantohet jeta dhe krijimtaria e tij. Një muze do të ishte pikë referimi për turistët, për artdashësit e brezit të ri, por edhe për ata që janë rritur me filmat e tij.

Bekim Fehmiu në ballinat e revistës së përjavshme të ilustruar “Zërit të Rinisë”, Prishtinë , viti 1974 përkatësisht 1979

Çdo vit, pas vdekjes së tij, një grup miqsh dhe adhuruesish hedhin lule në Lumbardhin e Prizrenit, aty ku u hodh hiri i trupit të tij sipas amanetit. Në lumin që aq shumë e deshi dhe ku mësoi të notonte – për të notuar përjetësisht.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme...

Në Kosovë mungon vlerësimi i denjë për shumë figura të shquara të artit, si Abdurrahman Shala, Katarina Josipi, Nexhmije Pagarusha, Faruk Begolli e të tjerë. Ende nuk ka një shesh ku të ngrihen shtatoret e tyre, për të ndriçuar mendjet dhe kujtesën tonë kolektive. Është koha që nderimi ndaj tyre të mos mbetet vetëm në fjalë.