Shtojca për Kulturë

“S’e kam ditur që shqiptarët në Kosovë s’e kanë të lejuar flamurin”

Titoja në Rugovë më 1967

Titoja në Rugovë më 1967

Shënimet stenografike nga mbledhja e 20 marsit të vitit 1967, të thirrur nga kryetari i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Josip Broz Tito ku morën pjesë Edurad Kardel, Koça Popoviq, Mijallko Todoroviq, Dobrivoje Radosavleviq, Petar Stamboliq, Dragi Stamenkoviq dhe Vllada Popoviq, në rrugën “Uzhiçka numër 20” në Beograd, i përkasin një periudhe të ndjeshme të zhvillimeve politike në Kosovë. Kjo mbledhje u mbajt vetëm tetë muaj pas largimit nga skena politike e njërit prej figurave kyçe të ish-Jugosllavisë në vitet 1945 – 1966, Aleksandar Rankoviq. Siç thuhet në materialin që ruhet në Arkivin e Jugosllavisë, gjegjësisht, në fondin e kryetarit të RSFJ Josip Broz Titos, arsyeja e mbajtjes së mbledhjes ishte pakënaqësia e Titos lidhur me informacionet që atij iu ishin afruar në prag të vizitës në Kosovë. Në vijim dëshmohet se për herë të parë udhëheqësit jugosllavë dhe ata serbë ishin njoftuar për ngritjen e kërkesës legale të kreut kosovar për avancimin e statusit të Kosovë në nivelin e Republikës. Është interesante se përgjatë diskutimeve si kryetari i RSFJ, Tito po ashtu edhe bashkëbiseduesit e tij, u janë referuar shqiptarëve si “ata” ndërsa Kosovës me “atje”. Edhe pse në materialin e arkivuar nuk janë paraqitur postet që në vitin 1967 i kanë  mbajtur pjesëmarrësit e kësaj mbledhje, ato janë të vendosura në kllapa. Nëntitujt janë të Redaksisë. Teksti i përgatitur nga Skënder Latifi, bazohet në stenograme. Kjo është pjesa e dytë e stenogramit

Eduard Kardel e potencoi se nuk e ka ditur që shqiptarëve në Kosovë nuk u lejohet që ta kenë flamurin e tyre, duke vlerësuar se rreth kësaj çështjeje nuk duhet krijuar probleme.         

Petar Stamboliqi e potencoi se popullsinë atje e përbëjnë kryesisht masat e fshatarëve, që bashkë me inteligjencën e paraqesin një mjedis të volitshëm për zhvillimin e shovinizmit. Stamboliqi veçmas e theksoi se do të ketë probleme serioze nëse kuadrot serbe dhe malazeze në Kosovë, nuk do të mund të binden në zbatimin e drejtë të politikës sonë të tanishme. Pa unitetin e të gjithëve dhe përgjegjësive të përbashkëta vendimet tona politike nuk do të realizohen në mënyrë të suksesshme. Edhe nuancat e vogla në qëndrime dhe deklarata atje (në Kosovë) mund të manifestohen në mënyrë shumë negative. (Stamboliqi e potencoi se fjalimi i para disa kohëve i Fadil Hoxhës atje u pranua shumë mirë).

Eduard Kardel (1910 - 1979)

Serbët në Bujanoc nuk guxojnë të bëjnë zë

Stamboliqi më pastaj e përmendi shembullin në komunë të Bujanocit, jo shumë larg Vranjës, ku sekretari i Komitetit Komunal, i nacionalitetit shqiptar ka deklaruar se tani serbët nuk guxojnë të bëjnë zë. Këtu duhet shtuar se edhe shumë njerëz që janë dënuar, tani janë duke fituar popullaritet me qëndrime të tilla të shprehura si më lartë.

Më pas Stamboliqi u shpreh se përbërja e kuadrove serbe në Kosovë është dobësuar dhe kjo nuk është mirë. Në pozitat udhëheqëse kanë mbetur vetëm dy shokë të rinj, ndërsa të gjitha kuadrot e vjetra serbe janë tërhequr. Është e nevojshme që te kuadrot udhëheqëse në Kosovë në përgjithësi të sigurohet uniteti, kështu që kuadrot serbe të luftojnë kundër shovinizmit midis serbëve, ndërsa kuadrot shqiptare në mënyrë të njëjtë të sillen kundër shovinizmit që është në rritje e sipër midis banorëve shqiptarë, pra të veprohet kështu nëse shovinizmi nuk mund të parandalohet ndryshe. Duhet tërhequr vërejtja se nuk do të arrihet asgjë nëse nëpër mbledhje të ndryshme merren vizore dhe pasqyra të ndryshme, duke u matur ku dhe si është struktura nacionale në raport me strukturën e popullsisë etj. Gjithsesi që problemi qendror është ai i punësimit edhe atë me çfarëdo të ardhurash. Por, kjo çështje duhet të vendoset realisht dhe të shihet se çfarë mund të arrihet objektivisht. Është karakteristike, se abolimi i Rankoviqit në Kosovë është kuptuar si kthim në të vjetrën, që askund tjetër në Jugosllavi nuk ka një kuptim të tillë të trajtimit të situatës. Petar Stamboliq e theksoi se e vlerëson situatën si të komplikuar dhe lufta për Bashkim – Vëllazërim është çështje qendrore politike.

Petar Stamboliq (1912 - 2007)

Nervozizmi i kosovarëve rreth ngecjeve në shkollimin e shqiptarëveDragi Stamenkoviq e tërhoqi vërejtjen rreth nervozizmit të shfaqur lidhur me ngecjet në afirmimin më të shpejtë duke i afruar disa shembuj konkretë. Më saktësisht ai i përmendi përgatitjet për hapjen e fakulteteve të reja, dëshirën për hapjen e universitetit, edhe pse mungojnë kushtet minimale. Në fakt duhet pranuar ne tani nuk kemi kuadër të mjaftueshëm as të mësuesve. Më tej Stamenkoviqi tha se këtë vit për çështje të shkollimit do të ndahen 25 për qind më tepër mjete sesa vitin e kaluar dhe  për dallim prej republikave të tjera, ku rritja më e madhe është vetëm 14 për qind.

Krahina e Kosovës ka fituar shumë me reformën pasi atje janë energjetika dhe metalurgjia me ngjyra. Përveç kësaj edhe industria përpunuese është relativisht e re dhe veçmas nuk është në gjendje të vështirë, sikurse që është situata në disa krahina tjera. Ne kemi biseduar hapur për pozitën e autonomisë dhe për derdhjen e mjeteve që kryesisht shkojnë atje nga Beogradi dhe Vojvodina. Bile rreth kësaj kishte mosmarrëveshje. Përveç tjerash ata (Kosova) i kërkuan dy miliardë më tepër, sesa që ishte paraparë me plan, por atëherë u paraqit rezistencë nga Vojvodina dhe Beogradi. Jam i mendimit se rrethanë fatlume atje paraqet fakti se është investuar në energjetikë dhe metalurgjinë me ngjyra, dhe para së gjithash investimi është rezultat i rrethanave natyrore, por megjithatë ai është investim në interes të tyre dhe mbarë bashkësisë. Ata i kanë disa probleme në bujqësi. Në krahinën e Prizrenit ku është i zhvilluar sektori shoqëror, kishte disa konflikte me fshatarët.

Dragi Stamenkovviq (1920 - 2004)

Pas rënies së Rankoviqit, serbët dhe malazezët janë të frikësuar nga dominimi i shqiptarëve

Dobrivoje Radosavleviq tha se pas Plenumit IV, te serbët dhe malazezët janë shfaqur rezerva, ndjenja të brengosjes dhe frika se me ndryshimin e situatës, tani do të vijë deri te dominimi i shqiptarëve. Mirëpo këto ndjenja duhen tejkaluar. Dihet mirëfilli se në UDB ka pasur të përfshirë shumë pak shqiptarë. Tani afirmimi nacional i shqiptarëve duhet të vijë në shprehje edhe me përfshirjen e tyre në strukturat e UDB-së, por kjo organizatë edhe ashtu duhet të konsolidohet në përgjithësi. Ndërsa Dragi Stamenkoviq e tërhoqi vërejtjen se ka kërkesa që të ndryshohet struktura e të punësuarve, si për shembull në Trepçë, që është e pamundur të realizohet, veçmas me masa administruese. Kjo gjendje është gjetur ashtu edhe pse rreth saj ka fërkime dhe është duke u krijuar nervozizëm, thjesht është vështirë për t’i larguar njerëzit nga puna. Apo rreth pranimit në punë veprohet që nën kushte të njëjta përparësi të ketë shqiptari, më pastaj ai i cili i njeh të dy gjuhët etj. E gjithë kjo situatë krijon nervozizëm.

Secila çështje i ka dy anë, gjithçka shihet dhe interpretohet në dritën e marrëdhënieve ndërnacionale. Dhe është shumë vështirë të realizohet politika e raporteve proporcionale në strukturën kadrovike. Është duke u synuar në aftësimin e kuadrove shqiptare dhe kjo zhvillohet me një temp të përshpejtuar. Duhet përmendur edhe fenomenin, se një pjesë e kuadrove të vjetra dëshirojnë ta braktisnin Kosovën, dëshirojnë të largohen prej atje. Aty ka raste të ndryshme që herë pas here dhe zmadhohen. Si për shembull dikush prej këtyre kuadrove dëshiron që ta shesë shtëpinë dhe nuk mund ta arrijë çmimin që e kërkon dhe çohet dikush (aludohet në shqiptarët – S. L.) e thotë: “Ti do ta japësh shtëpinë badihava”. Kështu krijohet nervozizmi që është prezent edhe te një pjesë e kuadrove.

Mijallko Todoroviq (1913 - 1999)

Në luftën kundër kuadrove vërehet primitivizëm!

Petar Stamboliqi shtoi se një pjesë e madhe e kuadrove serbe dhe malazeze nga Kosova janë pensionuar dhe ata mblidhen këtu (në Beograd) dhe kështu e krijojnë njëfarë qendre (veprimi – S. L.). Për këtë Stamboliq e ka potencuar se shokët në Kosovë duhet që në interesin e tyre të kenë kujdes që mos t’i përfshijnë disa elemente në zgjidhjen administrative të çështjeve të caktuara, që mos të shkojnë linjës së zëvendësimit të kuadrove të nevojshme nën firmën e idesë së afirmimit të kombësisë shqiptare dhe identike.

Shoku Tito reagoi duke thënë se në këtë rast ashiqare kemi të bëjmë me një primitivizëm të caktuar. Më pastaj shtoi se te maqedonasit një gjë e tillë nuk është vërejtur, sepse ata bile vetë kanë kërkuar kuadro, ndërsa këta (shqiptarët) përnjëherë duan t’i përjashtojnë të gjithë!

Dobrivoje Radosavljeviq ka shtuar se megjithatë, nuk vërehet se kjo vjen nga ana e udhëheqësisë (së Kosovës).

Kërkohen pyjet e shtetit dhe të manastirit

Mijallko Todoriviq (sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë) tha se serbët dhe malazezët tani ndodhen në stihinë e këtyre dy nacionaliteteve, ndërsa kuadrot shqiptare janë nën presion të stihisë nacionaliste shqiptare.

Shoku “Pllavi” tha se ka raste kur fshatarët kërkojnë që atyre t’u jepen malet e shtetit, por edhe ato të manastireve. Është karakteristike për shembull, që kryetari i komunës atje nuk u përgjigjet atyre menjëherë se këtë nuk mund ta kërkojnë, por ai e sheh të rrugës që të pyesë (instancat më të larta) për këtë. Stihia fshatareske është e tillë, saqë në këtë rast ajo kërkon që të ndahet mali, pavarësisht se kujt i takon, dhe ai që e kërkon këtë është i bindur se personalisht për të kjo kërkesë nuk ka kurrfarë rëndësie.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Lexo edhe: