Shtojca për Kulturë

Ripushtimi dhe masakrat e komunistëve ndaj shqiptarëve më 1944-1945

Divizioni maqedonas hyn në Tetovë më 19 nëntor të vitit 1944

Divizioni maqedonas hyn në Tetovë më 19 nëntor të vitit 1944

Në masakrat ndaj shqiptarëve në trevat verilindore nga njësitë komuniste maqedono-jugosllave, mes periudhës nëntor 1944 – shtator 1945, forcat komuniste jugosllave vranë, masakruan dhe pushkatuan rreth 36.000 shqiptarë, kryesisht popullatë civile

Qerim Lita

Ripushtimi i tokave shqiptare (nëntor - 1944) nga brigadat komuniste jugosllave, përkatësisht serbo-maqedonase të ndihmuara edhe nga ato bullgare dhe shqiptare, u shoqërua me një gjakderdhje dhe krim të paparë ndaj popullsisë civile shqiptare. Të dhënat që ofrohen nga disa studiues eminentë shqiptarë, por edhe nga dokumentacioni arkivor, flasin se mes periudhës nëntor 1944 – shtator 1945, forcat komuniste jugosllave vranë, masakruan dhe pushkatuan rreth 36.000 shqiptarë, kryesisht popullatë civile.

Është me rëndësi të vihet në dukje se një politikë e tillë antishqiptare në trevat verilindore, u vu re menjëherë pasi njësitë komuniste jugosllave-maqedonase me ndihmën edhe të njësive komuniste shqiptare, më 2 shtator 1944 ripushtuan Dibrën e Madhe. Po atë ditë u vendos pushteti ushtarak jugosllav, i cili në emër të “grumbullimit të armëve”, si dhe në emër të “zbulimit të ballistëve”, arrestoi me dhjetëra veprimtarë të shquar shqiptarë nga ky qytet me rrethinë, një pjesë e të cilëve u pushkatuan pa asnjë proces gjyqësor.

Hakmarrja pas luftës së Preshevës

Në pjesën e dytë të shtatorit, njësitë partizane në shenjë hakmarrjeje, dogjën fshatrat Runicë dhe Gllazhnje të Karadakut të Kumanovës. Kjo ngjarje ndodhi menjëherë pas luftës së Preshevës, e cila u zhvillua natën e Bajramit (më datë 18-19 shtator 1944), midis njësive kreshnike shqiptare nga njëra anë dhe njësive partizane jugosllave nga ana tjetër. Pas humbjes së mëdha që pësuan njësitë komuniste në luftën e Preshevës, Komandanti i SHK të LNÇM-së, Mihajllo Apostollski, arrin marrëveshje me udhëheqjen e PKB-së (Partinë Komuniste të Bullgarisë), që brigadat partizane bullgare të vendoseshin në Maqedoni.

Më 25 tetor 1944, njësitë bullgare u vendosën në vendbanimet: Tabanoc, Sopot, Staro Nagoriçane dhe Novo Nagoriçane. Një ditë më pas ata  u futën në fshatin Moravicë, ndërsa më 27 edhe në Bukuricë dhe Zhunicë, duke e vazhduar marshin e tyre në drejtim të fshatrave shqiptare që shtrihen mbi hekurudhë, të cilat kontrolloheshin nga forcat vullnetare shqiptare. Në afërsi të Zhunicës, ata u ndeshën me vullnetarët shqiptarë, dhe pas një lufte dyorëshe, bullgarët u detyruan të tërhiqen duke u vendosur në fshatin Sopot, dhe në shenjë hakmarrjeje, grumbulluan banorët e fshatit, edhe atë gratë dhe fëmijët i vendosën në shkollë ndërsa burrat në numër 71 në xhami dhe pasi i torturojnë, 68 i pushkatojnë, një i ri i larë në gjak arrin t’u ikë, ndërsa dy pleq i falin.

Hyrja e trupave bullgare në Shkup, 13 nëntor 1944

Kasaphania në Bllacë të Shkupit

Ndërkohë, në fshatin Bllacë të Shkupit ndodhi një kasaphane e vërtetë. Kjo ngjarje e trishtueshme ndodhi mes datës 18-19 nëntor 1944, kur njësitë partizane të Brigadës XVI, arrestuan 250 fshatarë të Bllacës së Epërme dhe 40 të Bllacës së Poshtme, ku një pjesë të madhe të tyre i pushkatuan në mënyrën më mizore të mundshme. Paraprakisht, me urdhër të të komandantit të brigadës, Gligorije Sharanoviq, e ekzekutuan 15 vetë, me pretekst se kishin keqtrajtuar popullatën serbe në Karadak. E tërë kjo kasaphanë nuk i kënaqi sllavo-komunistët, të cilët me 19 nëntor, gjatë marshimit të tyre në drejtim të Kaçanikut morën edhe 50 banorë tjerë të Bllacës, dhe në afërsi të Lepencit i ekzekutojnë që të gjithë.

Dhuna dhe terrori i njësive partizan-çetnike jugosllave u shtrinë në mbarë hapësirën verilindore shqiptare, nga Struga e deri në Preshevë, me ç’rast njësitë pushtuese jugosllave-maqedonase vranë dhe masakruan qindra shqiptarë të pafajshëm, mijëra të tjerë arrestuan duke i vendosur nëpër kampet e përqendrimit, nëpër kazermat ushtarake e lokalitete tjera, siç ishin: Monopoli i duhanit në Tetovë, kazermat ushtarake në Kërçovë e Gostivar, pastaj shkollat në Saraqinë e Grupçin,  kampet e përqendrimit në Vaksincë e Preshevë etj..

Pushkatimi pa gjyq në Gostivar

Shtabi i Divizionit 48, më 25 nëntor 1944 i raportonte SHK të LNÇM-së, për numrin e shqiptarëve të burgosur, të cilët ishin vendosur nëpër llogoret e brigadave komuniste jugosllavo-maqedonase, ku vetëm në rajonin e Gostivarit qenë arrestuar mbi 5000 shqiptarë të pafajshëm. Një ditë më vonë, në qendër të qytetit të Gostivarit u pushkatuan pa gjyq rreth 20 shqiptarë, që u lanë disa ditë në rrugët e qytetit, për ta terrorizuar popullsinë. Masakrimet e forcave partizano-çetnike, nuk do të ndalen me kaq; ata morën 320 burra dhe djem të rinj të Zajazit, prej burgut të Kërçovës, dhe i pushkatuan në Malin Gradicë, midis fshatrave Vrapçishtë dhe Toplicë, duke qenë të lidhur me tela e litarë nga 6 veta bashkë. Në fshatin Vrapçishtë në nëntor të vitit 1944 u pushkatuan pa gjyq më shumë se 150 shqiptarë. Po në rajonin e Gostivarit u dogj fshati Përshevcë dhe u pushkatuan të gjithë meshkujt në gropat që fshatarët kishin qenë të detyruar me forcë nga repartet ushtarake t’i hapnin vetë.

Masakra masive në brigjet e Vardarit pranë Tetovës

Ngjashëm si në në Gostivar e Kërçovë, u veprua edhe në Tetovë, ku me urdhër të shtabit të Korparmatës së I, njësitë e kësaj korparmate mblodhën të gjithë meshkujt shqiptarë duke i vendosur në monopolin e Tetovës, nëpër shkollat e fshatrave Zhelinë, Grupçin etj. Numri i të burgosurve nuk mund të dihet saktësisht, mirëpo supozohet se arrinte nga 6000-10000 vetë. Nga kampet sikurse edhe nga burgjet, me lista të veçanta pushkatoheshin për çdo natë me dhjetra shqiptarë, me pretekst se gjoja kanë marrë pjesë në grupet e Xhemë Gostivarit e të Mefail Zajazit. Masakra masive u bënë në brigjet e Vardarit pranë Tetovës. Ata që ishin caktuar nga OZN-a për t’u ekzekutuar, veçoheshin nga masa e të arrestuarve të tjerë nën pretekstin se do t’i dërgonin për të plotësuar repartet ushtarake, ose për t’i transferuar në kampe të tjera dhe ekzekutoheshin rrugës.

Partizanët në Shkup, nëntor 1944

Terrori në fshatrat e Gjilanit, Preshevës dhe Bujanocit

Krimet dhe masakrat e shumta të njësive komuniste jugosllave, përkatësisht atyre serbe, bullgare e maqedonase ndodhën edhe në zonën e Gjilanit. Këto njësi, në mënyrë të veçantë, njësitë e Brigadadës XVII, kryen një terror dhe gjenocid të paparë në fshatrat e rrethit të Gjilanit, Preshevës dhe Bujanocit, ku vetëm në qytetin e Gjilanit, masakruan mbi 200 shqiptarë, në mesin e tyre pati gra, fëmijë e pleq. Përveç kësaj, njësitë e kësaj brigade, vranë dhe masakruan disa qindra shqiptarë në qytetin e Preshevës, si dhe në fshatrat: Tërnovcë, Miratoc, Tërnovë, Nesellcë, Qallarë etj. Këto masakra revoltuan tej mase popullsinë shqiptare të këtyre rretheve, e cila u rreshtua përkrah forcave kombëtare që u prinin Mulla Idriz Gjilani dhe Sul Hotla. Për rrjedhojë, në pjesën e dytë të muajit dhjetor 1944, forcat kombëtare të Mulla Idriz Gjilanit dhe të Sul Hotlës, sulmuan njësitë e brigadës së XVII maqedono-bullgare, në fshatrat Sestivojcë, Kermindell dhe Qarr, me ç’rast, këta të fundit, pasi pësuan humbje të mëdha në njerëz dhe në armatim, u detyruan të tërhiqeshin nga fronti i luftës.  I shqetësuar nga këto humbje të mëdha që pësoi kjo brigadë, Shtabi i Kryesor i LNÇM-së, urdhëroi shtabin e Brigadës së IV shqiptare, që me njësitë e veta të vendosej në rajonin e Bujanocit. Në një dokument të LNÇSH-së, i cili ruhet në Muzeun e Peshkopisë, ndër të tjerave marshimi i brigadës së IV shqiptare nga Shkupi në drejtim të Bujanocit, përshkruhet si vijon më poshtë: “...Brigada menjëherë filloi marshimin në drejtim të Bujanovcit. Gjatë rrugës në krahun e djathtë binin në sy fshatrat shqiptare të djegura nga ushtria bullgare e maqedonase, e cila njëkohësisht kishte vrarë e prerë mjaft shqiptarë. Fshatrat e dëmtuara nga shovinistët bullgarë e maqedonasë, në të djathtë e në të majtë të rrugës për në Bujanoc, që ishte afro 10 km qytetit të Vranjës, ishin fshatrat: Tërnovci, Sopoti i Sipërm dhe Sopoti i Poshtëm, Sushovi, Llojani, Miratovci, Tërnova, Neselca, Qallari e të tjerë. Me qenë se Bujanovci ishte dëmtuar nga lufta, brigadës ju deshtë të vendosej në fshatin Tërnovc, që kishte 600 shtëpi shqiptare...”.

Duhet theksuar se nga muaji nëntor 1944 në territorin e Kosovës ishin përqendruar gjithsej mbi 40.000 trupa pushtuese, të cilët në emër të çarmatosjes zbatuan një dhunë dhe terror të paparë ndaj popullsisë civile shqiptare. Pasi u grumbullua e tërë armatimi, u burgos e tërë paria dhe personalitetet e njohura, të cilët u dërguan në burgjet më të rënda, ku shumica nga ata vdiqën nga uria dhe tortura.

“Mate edhe për mua një kilogram mish”

Ngjashëm sikurse në Maqedoni, edhe në Kosovë u hapën kampe të shumta të përqendrimit në të cilat u vendosën dhjetra mijëra shqiptarë të moshës 18 – 50 vjeçare. Partizanët jugosllavë, në mbrëmje i merrnin nga 10-15 të burgosur dhe i vritnin në mënyrë më mizore, duke i rrahur, vrarë, therur apo varur, ndërsa jo rallë herë edhe duke u ra me tokmak në kokë, apo duke i shpuar me gjilpërë, duke ua prerë pjesë të trupit derisa ata ende ishin gjallë. Këtyre akteve të shëmtuara duhet shtuar se, partizanët jugosllavë talleshin se gjoja kanë ardhur të blejnë mish, me fjalët “mate edhe për mua një kilogram mish”. Si rrjedhojë e kësaj dhune, torture dhe barbarizmi, në Kosovë, në harkun kohor nëntor 1944 – shtator 1945, kanë vdekur me mijëra shqiptarë të pafajshëm.

Në fshatin Muzhevinë të Istogut, partizanët jugosllavë, përveç se vranë tërë meshkujt e fshatit, vranë edhe 13 anëtarë, fëmijë dhe gra të familjes së Rexhep Halitit.

Gjashtë mijë burra në “Luftën e Drenicës”

Shtatëdhjetë e pesë (75) personalitete të njohura të Drenicës u vranë në mënyrën më mizore të mundshme, duke i goditur me tokmak në kokë dhe të njëjtit janë hedhur në një gropë të madhe. Ky akt barbar revoltoi popullin e Drenicës, dhe mbi 6.000 meshkuj të kësaj krahine e filluan luftën e njohur si “Lufta e Denicës”, e cila filloi më 22 janar, ndërsa përfundoi më 18 shkurt të vitit 1945. Forcat kombëtare shqiptare të udhëhequra nga Shaban Polluzha, ishin të rrethuara prej 12-15 brigadave komuniste serbe, maqedonase, bullgare, shqiptare dhe malazeze, të cilat numëronin rreth 36.000 ushtarë. Gjatë atyre 28 ditëve, sa zgjatën luftimet, u vranë dhe u plagosën 430 luftëtarë nga Drenica, u dogjën mbi 150 shtëpi, 6.000 banorëve të Drenicës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës me rrethet iu grabit i tërë ushqimi dhe pasuria e tundur. Më 18 shkurt 1945, u vra komandanti i përgjithshëm i forcave kombëtare, Shaban Polluzha dhe tre komandantët tjerë: Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica dhe Gani Llaushi. Ata, siç i shkruante prof. Ymer Berisha, kryetarit të Misionit ushtarak britanik në Shqipëri, gjeneralit Hodgson “...e dhanë rezistencën e fundit vetëm e vetëm të mos bien gjallë në duart e armikut”. Sipas profesor Berishës, nga nëntori i vitit 1944 e deri në shtator të vitit 1945, forcat pushtuese jugosllave kanë vrarë dhe masakruar mbi 26.000 shqiptarë të pafajshëm në këto qytete e rrethe të Kosovës: Prizren, Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Pejë, Istog, Plavë, Guci, Skenderaj, Rozhaj, Tutin, Pazari i Ri, Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Prishtinë, Gjilan dhe Ferizaj.

LEXO EDHE: