Në kanonin e requiemëve të krijuar nga kompozitorët e mëdhenj të operës, zakonisht është ai i Verdit për të cilin ankohet si: “tepër operistik”. Por, në qoftë se kori ka disponimin e duhur, “Requiemi” i Mozartit në D minor - çelësi i hapjes së Don Giovannit – mund të jetë pothuajse aq operistik sa ai i Verdit. Në Sallën “Bullgaria” në Sofje, më 13 prill, Kori Kombëtar i Filarmonisë ishte me të vërtetë i gatshëm për këtë dramë të lartë, duke na dhënë një requiem të fuqishëm i cili arriti ta emociononte publikun nga fillimi në fund.
Koncerti i mëparshëm për violinë në D major i Beethovenit nuk arriti të tregonte se çfarë vjen pas, në një lexim i cili dukej tejet i ndryshuar, më shumë klasik sesa romantik. Por, pavarësisht kësaj, ai arriti të nxirrte në pah Orkestrën Filarmonike si një orkestër e nivelit të lartë. Tingulli i telave ishte i pastër, ansambli ishte i mprehtë, timbri i secilit prej instrumenteve të drurit ishte i pasur ndërsa solot ishin tejet tërheqëse. Zërat e dy kornove ishin të mrekullueshëm gjatë ndërhyrjeve të shumta, veçanërisht në aktin e tretë. Nën udhëheqjen e dirigjentit Nayden Todorov, as edhe një fije floku nuk doli jashtë vendit.
Por koncertit i mungonte faktori ‘wow’. Solistja Francesca Dego, na dha ton të pastër violine dhe pasazhe pa asnjë të metë, teksa lëvizte harkun me maturi dhe dredhi. Por licenca për tronditje e drithërima, mbeti mbi tavolinë. Notat e gjata të lëvizjes së dytë nuk ishin gjithmonë të qëndrueshme, qartësia e notave të larta nuk mjaftonte për të na ngritur në ndonjë nivel më eterik. Tempet ishin relativisht të ngadalshme dhe kontrastet ritmike të veprës nuk ishin mjaftueshëm të theksuara aq sa për të na dhënë Sturm und Drang-un romantik. Mbetëm me mendimin se kjo orkestër mund të jepte shumë më tepër.
Nga tingujt e parë orkestralë të “Requiemit” dhe hyrja e qëndrueshme, ishte e qartë se përvoja ishte gati të ndryshonte, me theksa të qartë dhe lëvizje ngulmuese përpara. Që nga momenti kur Kori u bashkua, ne e dinim se eleganca klasike ishte braktisur: Këta ishin këngëtarë të lidhur thellë me tekstin dhe të vendosur, për të zbërthyer kuptimin e tij: “dona eis, Domine” u lut; çdo rrokje e “lux perpetua” ishte një goditje çekiçi që vinte në pah rëndësinë e flakës së përhershme që pastaj lulëzoi me “luceat eis”. Todorovi qe një dirigjent i qëndrueshëm, gjithmonë i saktë, gjithmonë i përfshirë në atë që po bënte dhe asnjëherë teatral a melodramatik.
Fraza e dyfishtë “Kyrie”, përsëritur me fjalë të ndryshme në “Lux aeternan” përmbyllëse, është një kurth ariu për korin, sepse teksti është aq i dendur saqë shumë lehtë mund të zhytesh në lloç. Sekreti është që çdo zë të drejtojë hyrjen kryesore me theksa të vendosur, teksa zërat e tjerë u japin hapësirë; Kori Kombëtar i Filarmonisë e kreu këtë me siguri. Ndërkohë, saktësia e përsosur e fijeve bazë na ndihmoi që të përjetonim një adrenalinë të lartë. Pas “Rex tremendae” shpërthyese, “salva me” erdhi më e fuqishme se kurrë më parë. Për të djallëzuarit nuk ka pasur kurrë tmerr më të hapur gjykimi, sa ai në fjalët “homo reus” në Lakrimoza. Kishte papërsosmëri.
Sopranoja Besa Llugiqi mahniti me ton të ëmbël e të këndshëm, por asnjë nga solistët e tjerë nuk do të qëndrojë gjatë në kujtesë. “Confutatis” ishte në anën manike, me kontrastin e tij”"Voca me” një balsam qetësues i pamjaftueshëm. Ndonëse, pothuajse në secilin aspekt, ekuilibri ishte i shkëlqyer dhe tejet mbresëlënës për tingullin e trombës dhe zërat që përshtateshin së bashku, ndonjëherë tingulli i organos gabonte.
Edhe
Filharmonia kurorëzon sezonin me “Messa da Requiem”
Por për mua, muzika, emocionet e mëdha dhe vëmendja ndaj tekstit të kësaj shfaqjeje e bënë atë një fitues absolut. Ndoshta disa do të preferonin një përkthim më elegant dhe më të ndershëm: unë nuk jam prej tyre.
Marrë nga: “Bachtrack”. Përktheu: Mirjetë Sadiku