Shtojca për Kulturë

Prishtinë, 1812: Takimi i parë me Maliq Pashën

Detaj nga njëra prej tetë letrave të diplomatit francez Anton Vas i cili më 1812 ishte ngarkuar me misionin e hapjes së një nënkonsullate franceze në Prishtinë

Detaj nga njëra prej tetë letrave të diplomatit francez Anton Vas i cili më 1812 ishte ngarkuar me misionin e hapjes së një nënkonsullate franceze në Prishtinë

Provinca ime është e vogël, e varfër, e mjerë; prodhon vetëm misër dhe mel; nuk kam pothuajse asgjë nga haraçi (të ardhurat për kokë) dhe miria (të ardhurat nga toka). Dhe ne duhet të tregohemi para botës dhe nuk duhet të lejojmë që armiqtë tanë të na shkelin. Duhet, megjithatë, të bësh emër për veten në këtë botë dhe të mos lejosh të të mposhtin armiqtë; prandaj dhe duhet të jesh i pashëm dhe i veshur mirë, të kesh flori dhe të shpenzosh shumë para. Këtej pari janë të gjithë njerëzit e mi, të cilët nuk duan të dinë për askënd tjetër përveç meje. I dërgoj rrugëve për të ruajtur tregtinë, po këtë e bëj vetë, dhe jam pothuajse pa ndalur në këmbë. Dhe kështu, çfarë do të bëjë konsulli tregtar për mua këtu? Çfarë më duhet mua? Nëse ai erdhi për të më dëmtuar, nuk do të di për të

Anton Vas

Prishtinë, 3 shtator, 1812

Imzot,

Kam pasur nderin t’i bëj të ditur Shkëlqesisë Suaj në letrën time me nr. 4 për pritjen që më bëri Jashar Pasha, me urdhër të xhaxhait të tij, me rastin e mbërritjes sime në këtë qytet dhe për shpresat që ky fillim duhet të më kishte dhënë. Tani do t’ia paraqes Shkëlqesisë Suaj detajet e pritjes sime nga Maliq Pasha dhe disa fakte rreth këtij Sovrani, të cilat do të më ndihmojnë t’jua bëj të njohur [këto rrethana] Shkëlqesisë Suaj.

Pashai pritej të vinte në Prishtinë më 27 gusht. Duke llogaritur se do ta gjeja në një humor krejtësisht të mirë ndaj meje, pranova me kënaqësi që dhe në shoqëri me të tjerët të hipi në kalë për ta takuar. Këtë ma sugjeroi kapexhi-basha Kurshid Beu, kushëri i Jashar Pashës dhe nip i Maliq Pashës. Kompania e kuajve kishte për detyrë të kalëronte përpara Maliq Pashës dhe të shikonte garën që organizohej për nder të martesës së Jashar Pashës. U nisëm në orën 5:30 të mëngjesit dhe në orën 7 takuam grupin që po e shoqëronte Maliq Pashën. Kur ne zbritëm, ndjekësit e Maliq Pashës u ndalën. Më prezantuan me të Zotin dhe unë fillova me komplimenetet e zakonshme, por ai nuk priti as të mbaroja fjalinë, por filloi të thoshte: “Mirë, mirë, por më vjen shumë keq që nuk munda të të gjej një banesë. Letra juaj më mbërriti kur isha në nisje të një udhëtimi. Nuk munda ta shtyja nisjen, por urdhërova Jashar Pashën të të strehojë në konakun tonë dhe të kujdesej për të gjitha nevojat tuaja në mënyrë miqësore. Përndryshe, shoh që paskeni mbërritur dhe mirësevini. Do të kujdesem që ju të gjeni një shtëpi dhe pasi do të qëndroni gjatë këtu, do të shihemi shpesh, dhe çdo ditë me shumë kënaqësi!”

E sigurova Maliq Pashën se tashmë ndieja një kënaqësi të madhe që e shihja të rikthyer me shëndet të përsosur; se nipi i tij, Jashar Pasha, i kishte zbatuar në mënyrë të përkryer urdhrat e Madhërisë së Tij dhe se isha ndjerë po aq mirë në Pallatin e tij sa do të isha ndjerë në çdo oborr tjetër të Shtetit. Mendova, Imzot, se kjo bisedë ishte një shenjë e mirë. Mbërrita në Pallat pak para përfundimit të garës dhe mendova se nuk do të kalonte shumë kohë para se të kisha audiencën time të parë për ta njohur më mirë Maliq Pashën dhe për ta siguruar se prezenca ime politike në Prishtinë do të ishte e dobishme e më mirë se që isha shprehur në pritjen që më kishte bërë nipi i tij. Po atë ditë, disa oborrtarë, të cilët, në ardhjen tonë, na kishin mbuluar me mirësjellje dhe vëmendje, i thanë përkthyesit tim se nuk duhej ende të kërkohej audienca, në mënyrë që t’i lihej kohë Sovranit të pushonte. Kisha filluar të dyshoja në sinqeritetin e këtyre këshillave, për shkak të ftohtësisë dhe mënyrës kalkuluese se si flisnin këta persona dhe për këtë më kishin paralajmëruar sekretari dhe dragomani im, por në rrethanat e momentit vërejtja e tyre më dukej aq e besueshme, saqë vendosa ta shtyja për të hënën kërkesën për audiencë. Më 28 gusht, dërgova përkthyesin tim që t’ia bartte komplimentet e mia Zotërisë së tij, [dhe] ta pyeste nëse ka mundur të pushojë, e gjithashtu ta lusë të mos harrojë se po pres kur do të jetë i lirë të më takojë dhe t’i tregojë pse kam ardhur. Maliq Pasha iu përgjigj ashpër përkthyesit tim, se ai është i shëndetshëm, se nuk është fare i lodhur, por se nuk mund të më pranojë; se duhet të sillem me qetësi dhe të punoj me të me ndershmëri dhe kur të jetë gati të më presë, do të më informojë vetë. Nga kjo përgjigje e kuptova menjëherë se humori i Maliq Pashës kishte ndryshuar për shkak të dyshimit të oborrtarëve të tij xhelozë dhe përçmues. Duke mos e pasur ende fermanin tim, kisha frikë se kisha nxituar shumë duke ardhur në këtë rezidencë pa një dokument kaq të rëndësishëm. Ditën e nesërme e prita me shqetësim. Më shqetësoi edhe më shumë fakti kur vura re se sa herë Maliq Pasha kalonte në odën e tij, që ndodhej përballë dhomave tona, ai e kthente kokën për të mos iu përgjigjur përshëndetjeve tona dhe që të gjithë njerëzit e oborrit që vinin për të na vizituar në ditët e para të mbërritjes tonë, jo vetëm që nuk vinin më, por kur kalonin pranë nesh, tregonin një përbuzje të pahijshme. Disa të tjerë që ishin vazhdimisht me punë në këtë odë, vëzhgonin secilin veprim dhe gjest tonin duke ndjekur madje edhe tonin e zërit tonë, aq sa që që nga ajo kohë duhej të flisnim me zë shumë të ulët dhe me qetësi në bisedat mes nesh, duke fshehur ndjenjat që ato i jepnin. Megjithatë, shqetësimi ynë i brendshëm nuk ishte ende në kulmin e tij!

Më 29 gusht, urdhërova përkthyesin tonë të shkonte te Maliq Pasha për t’i bërë të qartë se tash një kohë të mjaftueshme ishim akomoduar në pallatin e tij, që ne me prezencën tonë nuk donim ta shqetësonim personelin e tij aty dhe kërkova nga madhështia e tij që të na caktonte një banesë sa më pranë tij që të ishte e mundur, që të mund ta vizitonim shpesh dhe të ishte më e lehtë që të njoftohej me frymën e miqësisë që ne po i sillnim. Nuk e lejuan as të shkonte para Pashait; i kërkuan që menjëherë të thoshte çfarë donte dhe përgjigjja e përkthyesit tim iu raportua Maliq Pashës. Rreth një orë më vonë, erdhën ta merrnin dhe t’i tregonin shtëpinë e caktuar për mua. Ajo shtëpi ishte, thjesht një kasolle katrore, e gjitha në madhësi të një dhome të vetme. E refuzova. Ia treguan një tjetër me dy dhoma me shkallë të shtuara, me anë të të cilave njëri mund të shkonte nga një dhomë në tjetrën; pastaj të tretën, me tri dhoma me plot rrëmujë, të cilat kishin nevojë për riparime… I thashë oficerëve të Maliq Pashës se një Konsullatë e Francës nuk mund të strehohej [në atë shtëpi] ashtu siç ishte, se nuk po kërkoja një akomodim falas, se qëllimi im ishte ta paguaja, por të ishim të akomoduar me rehati; që na duhej secilit një dhomë, dhe përveç kësaj, një kuzhinë, një dhomë ngrënieje, një sallon dhe një hapësirë studimi ishin të domosdoshme. Na siguruan se ishte e pamundur të gjendej një shtëpi e tillë në gjithë Prishtinën; por pasi dragomani im kishte parë disa që ishin më reprezentative, i thashë ta zgjidhte një që mendonte se do na përshtatej më së miri dhe të bënte kërkesën për të te Maliq Pasha. Kjo nuk u pranua nga Madhëria e Tij me pretekstin se nuk mund të na jepte një shtëpi tjetër përveç atyre që i përkisnin atij; dhe se nëse do ta pranoja atë që na ishte ofruar [pak më parë], do ta pastronin, do ta lyenin dhe do ta riparonin, do të shtonin një kuzhinë, por në çdo rast nuk mund të na jepnin ndonjë tjetër. Madhëria e Tij shtoi se do të më priste pasdite.

Pamja e Prishtinës nga viti 1849, ilustrim në revistën “The Illustrated London News”, 27 tetor 1849, f. 280

Rreth orës tre më thirrën në Saraj. Në vend që të ulej në njërën qoshe të divanit të tij përballë, siç ishte zakon kur priste persona ndaj të cilëve është e nevojshme të tregohet respekt, Maliq Pasha më priti i vendosur në një divan, i shtrirë, me këpucët e hequra. Nuk do t’ia kisha zënë për të madhe, Imzot, nëse do të isha më i kënaqur me atë që thoshte. Por kur i dërgova përshëndetjet e para; e kur përmenda, gjithashtu, se qëndrimi im me të është vetëm një dëshmi e favorit të Shkëlqesisë së Tij, perandorit Napoleon për të, në përgjigje të favoreve që i bën tregtisë sonë me mbrojtjen e tij, ai vetëm rrudhi disi vetullat dhe nuk u përgjigj pos me fjalë njërrokëshe. Duke pasur frikë se mungesa e fermanit tim dhe se insinuatat dashakeqe të oborrtarëve të tij mund t’i ngjallnin dyshime Madhërisë së Tij rreth vërtetësisë së misionit tim, ia tregova letrën e veziri. boshnjak. Maliqi urdhëroi që të lexohej para nesh, por mbeti ashtu siç ishte pasi ia lexoi tellalli, dhe nuk u duk më i predispozuar as pasi leximi përfundoi. Për të sqaruar çdo keqkuptim, unë kërkova që t’i bëhej pyetje Madhërisë së Tij nëse gjatë kalimit të Shkëlqesisë së Tij z. Ambasador, ky i fundit nuk i kishte njoftuar për ardhjen time të afërt? Maliq Pasha u përgjigj se, në fakt, Shkëlqesia e Tij e kishte përmendur këtë shkurtimisht, por kishte folur shumë më tepër për ardhjen e afërt të Zonjës Konteshë, bashkëshortes së tij, për shkak të çështjes së karrocave që duhej të dërgoheshin dhe të akomodimeve që duheshin përgatitur. Kjo çështje e shtyu Maliq Pashën të thoshte se ai nuk kishte nevojë për një konsull pranë tij, se që nga vizita e Shkëlqesisë së Tij ai kishte në Portën e Lartë një mbrojtës të përkushtuar në personin e Zonjës Konteshë, dhe se ai nuk kishte nevojë veçse t’i shkruante asaj për të marrë nga Porta të gjitha privilegjet që mund të dëshironte. Ai shtoi se kujdesi që tregonte për tregtinë dhe trupat që kishte angazhuar për këtë ishin të mjaftueshme, pa pasur nevojë që t’i dërgohej një konsull, i cili për të ishte i panevojshëm, etj.

Duke dashur të ndërpres bisedën për të cilën më dukej se po shkonte në drejtim të keq, fillova të lavdëroja gjësendet e udhëtimit me të cilat kishte ardhur një ditë më parë, shkëlqimin dhe morinë e ushtarëve të tij, ecjen e tij të lehtë dhe madhështore (Pashai i virtytshëm hipi në disa karroca, në të cilat ngrehnin katër kuaj), me shkathtësinë dhe me lehtësinë me të cilën më pas kërceu mbi një kalë nga karroca e tij, i cili i shërbeu për të përshkuar një fushë të gjerë me shpejtësi të jashtëzakonshme, për vetëm disa çaste!... Maliq Pasha filloi të qeshte dhe më tha se ky spektakël, megjithatë, nuk duhet të më kishte habitur duke e krahasuar me shkëlqimin e oborreve të krishtera, veçanërisht me atë të oborrit perandorak të Francës. Unë e sigurova Maliq Pashën se në të gjitha udhëtimet e mia në Levant nuk kisha parë asgjë që të mund të krahasohej me festën të cilës kisha qenë dëshmitar ditën e mbërritjes së tij. Përfitova nga ky moment, kur Maliq Pasha dukej më në disponim të mirë, për ta lutur që të më sigurohej një shtëpi e pastër dhe e rehatshme ku të mund të strehohesha siç duhej bashkë me sekretarin tim, me përkthyesin dhe shërbëtorët e mi, si dhe një vend ku të mund të mirëprisja Ekselencën time kur të vinte për të nderuar me vizitën e tij. E luta që kjo shtëpi të ishte sa më pranë rezidencës së tij, në mënyrë që të mund të forcohej çdo ditë e më shumë besimi mes nesh, përmes takimeve tona të rregullta dhe sentimenteve që jam ngarkuar t’i përcjell atij, duke përfituar prej këtij raporti në emër të qeverisë sime. Në rast se kjo shtëpi do të ishte larg, druaja se raporte të rreme mund të bëheshin për ne nga keqdashës dhe kështu mund ta vendosnin atë kundër nesh. Maliq Pashës iu duk se frika ime ishte qesharake; tha që nuk duhej të brengosesha për gjëra të tilla; se askush nuk ka asnjë ndikim tek ai përveç vetes të tij; se do të jem i lirë në paqe si mik... Por, duke u kthyer mbrapa dhe duke iu drejtuar përkthyesit tim vazhdoi: “Le të kujdeset mirë për veten dhe as le të mos mendojë të më sjellë nga Kostandinopoja një lloj urdhri nga ndonjë vend më i lartë, si për shembull ai që i erdhi Osman Pashës në Novi Pazar për t’i hequr taksat e tregtisë dhe të karvanëve; as të mos e mendojë këtë, sepse pastaj dhe mua do të më kujtohet se jam zot shtëpie dhe në atë rast ai nuk duhet të presë as miqësi e as mbrojtje nga unë. Shpjegoja mirë dhe lëre të reflektojë mirë. Nga ato të ardhura i mbështes ata ushtarë që ka parë ai një ditë më parë dhe nëse më hiqen të ardhurat, nuk i garantoj asgjë që do t’i ndodhte. Provinca ime është e vogël, e varfër, e mjerë; prodhon vetëm misër dhe mel; nuk kam pothuajse asgjë nga haraçi (të ardhurat për kokë) dhe miria (të ardhurat nga toka). Dhe ne duhet të tregohemi para botës dhe nuk duhet të lejojmë që armiqtë tanë të na shkelin. Duhet, megjithatë, të bësh emër për veten në këtë botë dhe të mos lejosh të të mposhtin armiqtë; prandaj dhe duhet të jesh i pashëm dhe i veshur mirë, të kesh flori dhe të shpenzosh shumë para. Këtej pari janë të gjithë njerëzit e mi, të cilët nuk duan të dinë për askënd tjetër përveç meje. I dërgoj rrugëve për të ruajtur tregtinë, po këtë e bëj vetë, dhe jam pothuajse pa ndalur në këmbë. Dhe kështu, çfarë do të bëjë konsulli tregtar për mua këtu? Çfarë më duhet mua? Nëse ai erdhi për të më dëmtuar, nuk do të di për të. Nëse vjen për të më ndihmuar të fitoj para; mirë, mirë se vjen! Edhe unë do ta ndihmoj atë për të fituar diç, dhe nëse do, do të shkruaj, madje, edhe për ta falënderuar pranë zonjës Ambasadore. Por nëse erdhi këtu për të fituar para për vete dhe unë për të humbur, le të mos presë as mbrojtje as miqësi nga unë!”

Maliq Pasha e përsëriti këtë bisedë dy e tre herë dhe unë e kuptoja më mirë nga lëvizjet e tij dhe të njerëzve të tij, e nga toni dhe gjallëria, me të cilën fliste, sesa nga përkthimi i dragomanit tim, përderisa unë vetë po e dëgjoja i qetë dhe pa bërë zë me një qëndrim që e lë të nënkuptojë Maliq Pashën s’ka pse të brengosej për këtë gjë te rasti im. E sigurova Madhërinë e Tij se nuk do të përpiqesha kurrë t’i dëmtoja interesat e tij, as që kisha ardhur këtu për të bërë tregti dhe për të parë se si do të merrja para, pasi një zyrtar i qeverisë franceze nuk lejohet të tregtojë dhe është nder i mjaftueshëm për të që ai të jetë në gjendje të shërbejë [për vendin]. U dërgova nga Perandori im, kryesisht për t’i shprehur ndjenjat e mirëbesimit të Perandorit për Personin e Tij. Nëse gjendem pa fermanin tim, është për shkak të problemeve të mëdha që u trajtuan së fundmi në Stamboll dhe që shkaktuan këtë vonesë. Prania ime tek Ai është vetëm rezultat i besimit që fama e tij frymëzoi, besim kaq i madh sa më bëri të kaloja mbi format e zakonshme për t’i treguar përkushtimin tim.

Më pas i kërkova Maliq Pashës një jeniçer, ose njërin nga kavasët e tij, që të më shërbente si mbrojtje, duke i shpjeguar se konsujt duhet të kenë një roje, pasi ata janë drejtpërdrejt nën mbrojtjen e Qeverisë së Vendit ku banojnë. Shtova se kjo roje paguhej nga konsulli dhe, për këtë arsye, shpresoja që ai të mos ma refuzonte, por të ma caktonte një njeri të besuar. “Mirë!” - tha Maliq Pasha, “nëse ai paguan kavasin tim dhe shtëpinë që do t’i jap, nëse ai jeton me shpenzimet e veta dhe qëndron i qetë, askush nuk do t’i thotë asgjë.” U theksua përpara Maliq Pashës se deri më tani bëhej fjalë vetëm për shtëpi shumë të vogla për ne, duke marrë parasysh që ishim tre vetë, pa përfshirë një shërbëtor, një tatar dhe kavasin që ai duhej të na jepte. Gjithashtu, shtova se isha i martuar dhe bashkëshortja ime pritej të vinte të më bashkohej. Maliq Pasha u përgjigj se për momentin nuk mund të na jepte një shtëpi tjetër, por më vonë, kur bashkëshortja ime të vinte, Madhëria e tij do të bënte çmos që të na siguronte një shtëpi të dytë.

“Letrat nga Prishtina në vjeshtën e vitit 1812”, botim i nismës “Prishtina në histori”

Kur u ndamë, Maliq Pasha qëndroi mjaft i qetë dhe unë u vendosa në një shtëpi që desha apo s’desha, duhej ta pranoja. Është një lloj hani apo mejhani në njërin prej skajeve të qytetit, që përmban shumë stalla që pronari i mban për vete dhe nuk ka tjetër strehim veçse tri dhoma në katin më të lartë. Poshtë është një lloj salloni që shërben edhe si një dhomë, e pastër, e bardhë dhe e rregulluar, që mund të shërbejë për strehimin e tatarit dhe të kavasit. Kërkova të bëhej kjo. Po ashtu, kërkova që të bëhej një kuzhinë dhe të vendoseshin disa soba në katin përdhesë për përdorimin tim. Pronari, ose më saktë ai që e përfaqësonte, tha se do të bëhej çdo gjë që do kërkoja. Insistova veçanërisht që këto tri dhomat të ishin të bardha, që toka e degraduar të rrafshohej, që gjithçka duhej pastruar dhe të vendoseshin dritare me xhama në vend të atyre me letër që ishin aty. Ata pranuan të pastronin dhe lyenin shtëpinë, por nuk pranuan të zëvendësonin letrën në dritare me xham, duke thënë se nuk mund të gjenin xham në qytet. Meqenëse ramë dakord për këtë, na u desh të diskutonim edhe për çmimin. Tashmë e kisha pritur se çmimi nuk do të jetë i moderuar, por as për së afërmi s’më kishte shkuar ndërmend që do të më kërkonin katër mijë franga për ato dhoma të shkreta! Dola pa dhënë përgjigje. Asistentët erdhën dhe i ashtuquajturi pronar ndau në gjysmë shumën e parë; më ofroi shtëpinë e tij për dy mijë. Çka ishte ende shumë larg nga kufiri im, për çka ua bëra me dije se me një shumë të tillë do të isha i gatshëm me duart e mia të ndërtoja një shtëpi të njëjtë. Atëherë dragomani u tha atyre se si ishte akomoduar Konsulli i Përgjithshëm në Travnik; ai kishte shtëpinë e një pashai, në të cilin ka apartamentet për burra dhe apartamentet për gratë, pastaj oborr, kopsht, stalla dhe çdo gjë që mund të përshtatet e nevojitet për një shtëpi shumë të madhe dhe të gjitha këto për vetëm gjashtëqind franga! Ajo që më ofrohet ka vetëm tri dhoma, nuk ka asnjë qoshe të vogël kopshti, asnjë oborr, asnjë shërbim, asnjë lehtësi dhe kërkohet dy mijë franga. Duke krahasuar burimet e mia financiare me ato të z. Konsull të Përgjithshëm në Travnik, duhej të kufizohem në një akomodim prej 250 frangash, por duke krahasuar pozitat dhe presionin për të ngritur konsullatën, duhej të ofroja më shumë dhe të arrija deri në 600 franga, duke shpresuar të marr një shpërblim nga Ekselenca Juaj, Imzot, në fund të vitit, oferta ime i bëri shpatullat të ngrihen tek ata që ishin të pranishëm, ata sugjeruan që renovimet që i kërkoja nënkuptonin shpenzime të konsiderueshme... Megjithatë, nuk mund të pranoja të ofroja më shumë, kështu që mbeta në ofertën time dhe dolëm nga shtëpia pa arritur një marrëveshje.

E dërgova përkthyesin për t’u ankuar te Maliq Pasha, dhe për t’i treguar çka po ndodhte. Se pretendimet e pronarit ishin tepër të larta, se shtëpia më përshtatej vetëm sepse nuk gjeja ndonjë tjetër dhe se oferta ime prej gjashtëqind frangash në vit më dukej shumë mbi vlerën e pronës së propozuar; dhe gjithashtu, se ishte e pamundur për mua të ofroja më shumë. Pashai u informua për gjithçka dhe e priti përkthyesin me neveri të madhe. Pistoletat qëndruan pranë tij, njësoj si britmat e tij, kërcënimet dhe mallkimet e tij jehonin nga njëri skaj i Sarajit në tjetrin. Ai i tha përkthyesit se mund ta kisha atë shtëpi për një mijë piastra, po të doja; sepse pronari tashmë ka rënë dakord, se kishte kaluar tashmë dhjetë ditë që ne ishim akomoduar dhe ushqyer falas në Pallatin e tij; se ky ishte i gjithë nderi që ai kishte menduar të na bënte; se ai nuk e njihte zakonin e vendosur diku tjetër; por nëse nuk dua të paguaj, të shkoj të kërkoj një tjetër shtëpi, dhe se konsulli s’ka nevojë të qëndrojë këtu, nëse nuk ka para… dhe se nëse konsulli dëshironte të qëndronte, ai do t’ia thoshte vetë, sepse ai nuk ishte njeri që lejonte imponimet me fjalë dhe grimasa...

Kur m’i thanë të gjitha këto, më besoni Imzot, m’u duk se ishte e pamundur të qëndroja në Prishtinë. Nga njëra anë, shpenzimet e çmendura që donin të më detyronin t’i bëja për banesën (sepse përveç çmimin prej njëmijë piastrave, akoma më duheshin shpenzime për riparimet që duheshin bërë); nga ana tjetër, kërcënimet e pashait, pistoletat e tij që i mbante pranë ose për t’i përdorur, ose, në çdo rast, për frikësim, të bërtiturat dhe përplasjet e tij nëpër Saraj, mallkimet e tij kundër njerëzve për të cilët ai thoshte hapur se nuk kishte asnjë nevojë dhe që nuk i njihte. Të gjitha këto më bënë të frikësohem se rojet e tij, të emocionuar nga shembulli i tij, mund të lejonin ndonjë akt dhune ose të gjenin mundësinë e parë për të na hequr qafe. Në këtë krizë, çfarë të bëja? Çfarë të përgjigjesha? Të qëndrosh mes një populli barbar pranë një udhëheqësi edhe më barbar, i cili e kishte shpjeguar aq qartë interesin e tij, që ishte të na ekspozonte për çdo ditë ndaj mijëra ofendimeve dhe poshtërimeve të tij! Dëshira për të ikur nuk ishte e mendueshme, derisa u shfaq rreziku që, pas disa kohësh, të vritej ndonjëri në rrethanat e atij vendi. [Kështu] e vetmja mundësi mbeti arratisja, duke përdorur si pretekst një shëtitje; Por në këtë alternativë, Imzot, përsëri mendova vetëm për atë që ishte detyra ime dhe përsëri fillova të mendoja për detyrën time për të krijuar një nënkonsullatë në Prishtinë dhe për të përdorur gjithçka që është e nevojshme për sukses në këtë drejtim. E kuptova, për shpirtin tim, se kjo ishte pothuajse e pamundur sipas karakterit të zotit dhe të njerëzve të tij; por kurrsesi nuk do të lejoja që të ndalesha pa i provuar të gjitha mjetet e mundshme në dispozicion, sidomos për të fituar kohë derisa ose të më jepnin fermanin ose ta anulojnë atë përfundimisht. Vendosa ta pranoja shtëpinë siç ma ofruan dhe sipas urdhërit të Maliq Pashës, për çka thashë të njoftohej derisa ishte duke kaluar në korridorin që e çonte në harem. Përpara të gjithë shoqëruesve, që qëndronin në mes, Zotërisë së tij i doli një përgjigje: “As që më bëhet vonë!” dhe e zgjati rrugën.

Më datë 30, erdhën për të pyetur për pagesën që do të duhej t’ia jepja rojës që Maliq Pasha pranohej të na propozonte. Ofrova 30 piastra në muaj, shumë që nuk ishte e kënaqshme dhe na erdhi kërkesa nga ana e Sovranit që duhet të jap 50 piastra dhe ushqimin si shtesë. Kisha frikë se nëse nuk pranoja, shtëpia dhe njerëzit tanë do të ishin në rrezik nga furitë e popullit dhe se mund të shfrytëzohej si pretekst për të na fyer pa pasur pasoja. Më duhej të nënshkruaja këtë akt të autoritetit të Maliq Pashës. Deri edhe shërbëtorët më të ulët, Imzot, filluan të na poshtëronin, duke deklaruar me zë të lartë se kishin urdhër të mos na ofronin më asnjë ushqim. Kjo do të kishte qenë e padëmshme nëse do të mund të largoheshim nga Pallati dhe të sillnim nevojat tona nga jashtë, por dhe ato ishin aty të bllokuara. Punëtorët ishin brenda shtëpisë, dhe askush në Pallat nuk do të bënte punët tona. Kështu, pas shumë mundimesh dhe premtimesh, morëm një pjatë të keqe me oriz, nga e cila ende hamë me frikë për dy ditë.

Më në fund largohemi nga Saraji më 1 shtator. Por meqenëse tashmë jemi vendosur në banesën e re, as djaloshi im, as tatari, e as kavazi nuk na gjetën ndonjë gjë për të ngrënë. Një kasap na ofroi skrap, që askush tjetër nuk do të blinte. Ndërkohë kur urdhërova të porositet ndonjë shpend ose mish tjetër, askush nuk pranoi të na shiste, duke na ofruar diçka tjetër krejtësisht të pavlerë. Kjo është pozita ime, Imzot, dhe unë kam shpresë se do ta shoh atë të ndryshojë vetëm përmes bashkëveprimit të disa rrethanave që janë të vështira për t’u arritur, dhe për të cilat do të kem nderin t’ju informoj, Imzot, me anë të postës time të ardhshme.

Përshëndetje, Imzot, dhe pranoni sigurinë e respektit të thellë me të cilin kam nderin të jem Imzot, Shërbyes i Ekselencës Suaj

[...]

Ant. L. Vas

Një nga tetë letrat e diplomatit francez Anton Vas i cili më 1812 ishte ngarkuar me misionin e hapjes së një nënkonsullate franceze në Prishtinë. Letra është pjesë e botimit “Letra nga Prishtina në vjeshtën e vitit 1812”, botuar në kuadër të projektit “Prishtina në histori”. Përkthyer nga Yll Rugova, botohet me lejen e botuesit.