Dokumentari “Melania”, që fokusohet në jetën e Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, ka shënuar sukses të rëndësishëm në arkëtime, duke gjeneruar 7.04 milionë dollarë gjatë fundjavës hapëse në kinema.
Sipas “Deadline”, kjo shifër përbën hapjen më të madhe të një filmi dokumentar jofiktiv në dekadën e fundit.
Rekordi i mëparshëm mbahej nga dokumentari “After Death” i vitit 2023, i cili kishte arkëtuar rreth 5 milionë dollarë në fundjavën e parë.
Parashikimet para publikimit kishin qenë më të ulëta.
Variety raportonte se debutimi i filmit pritej të ishte mes 3 dhe 5 milionë dollarësh, ndërsa kompania “National Research Group” e kishte projektuar hapjen rreth 5 milionë dollarë. Edhe më konservatore ishte parashikimi i “Boxoffice Pro”, i cili e ka vlerësuar arkëtimin fillestar mes 1 dhe 2 milionë dollarësh.
Filmi pati premierën të enjten, më 29 janar, në Kennedy Center përpara daljes globale në kinema më 30 janar. Projekti mbështetet nga një marrëveshje prej 40 milionë dollarësh me “Amazon MGM Studios”, si dhe nga një fushatë marketingu që kap vlerën e 35 milionë dollarëve.
Dokumentari ofron pamje të përzgjedhura nga jeta e Melania Trumpit në javët që paraprinë inaugurimin e dytë të Presidentit Donald Trump në janar 2025. Melania Trump, 55 vjeçe, është gjithashtu producente ekzekutive e filmit.