Showbiz

Publikohet traileri i filmit për zonjën e parë të SHBA-së “MELANIA”

Melania Trump

Melania Trump

Foto: Associated Press

Fox News ka siguruar ekskluzivisht trailerin e filmit të ri “MELANIA”, një film 104-minutësh kushtuar jetës së zonjës së parë të SHBA-së, Melania Trump, i cili pritet të shfaqet në kinema në mbarë botën më 30 janar 2026.

Filmi do të shfaqet në sallat e kinemasë në Amerikën e Veriut dhe të Jugut, Evropë, Azi, Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe rajone të tjera. Ndërkohë, Amazon do të lansojë edhe një dokumentar të lidhur me këtë projekt në muajt në vijim.

“Historia vihet në lëvizje gjatë 20 ditëve të jetës sime para inaugurimit presidencial në SHBA. Për herë të parë, publiku global ftohet të shohë nga afër këtë kapitull vendimtar, një pamje private dhe pa filtra të mënyrës se si menaxhoj familjen, biznesin dhe angazhimet bamirëse, në rrugëtimin tim drejt rolit të Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Melania Trump për Fox News.

Traileri hapet me Melanian duke hyrë në Kapitol, pak para inaugurimit të dytë të bashkëshortit të saj. Ajo shfaqet me veshjen tashmë ikonike të inaugurimit dhe i drejtohet kamerës me fjalët: “Ja ku jemi përsëri”.

Pamjet kalojnë nga ceremonia e inaugurimit, te momentet familjare në Mar-a-Lago, skena prapa kamerave ku shfaqen djali i saj Baron Trump dhe babai i saj, si edhe imazhe simbolike të Air Force One dhe vulës presidenciale.

Në një moment tjetër të trailerit, Melania ndërpret, bashkëshortin e saj, Donald Trump, gjatë një prove fjalimi.

“Trashëgimia ime më e madhe do të jetë ajo e paqebërësit”, thotë Trump ndërkohë që Melania shton “Paqebërës dhe bashkues”.

Traileri tregon gjithashtu Zonjën e Parë duke dalë nga një automjet me çizme të zeza me taka, si dhe një skenë nga rezidenca e East Wing, ku ajo shfaqet me fustanin bardh e zi të mbrëmjes së inaugurimit, duke buzëqeshur drejt kamerës.

Publiku ftohet të jetë dëshmitar i historins teksa shkruhet.