“Nëse ka një gjë që ne mund të mësojmë nga ky tmerr, është se vetëm me anë të pajtimit dhe faljes mund të nisë fillimi i ri. E kuptoj agoninë e rëndë, përvojat e tmerrshme, dhimbjen, por me qëllim të rimëkëmbjes së vendeve të cilat kanë kaluar tmerrin e tillë duhet të ndërtohet një themel i ri. Lutem që ata njerëz të guximshëm që kalojnë urën në anën tjetër të fitojnë në fund”, ka thënë princi i Walesit
“KOHA Ditore”, 21 mars 2016 - Me porositë se vetëm pajtimi dhe falja mund të sjellin një fillim të ri, princi i Walesit, Charles, është larguar nga Kosova. Takimet e shumta, në të cilat dëgjoi edhe tmerret dhe përvojat e hidhura nga periudha e luftës, princi i Walesit i ka përfunduar në qytetin e Prizrenit, prej ku foli për tolerancën fetare në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare.
Ditën e dytë të vizitës në Kosovë, princi Charles dhe dukesha e Cornwallit e kanë nisur me presidenten në largim, Atifete Jahajga. Me këtë rast princit Charles i është dhuruar nga presidentja Jahajga urdhri për paqe, demokraci dhe humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”.
Sipas komunikatës së Presidencës, Jahjaga dhe Lartmadhëria e Tij kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, për përparimin e Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik, si dhe për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
“Presidentja Jahjaga theksoi se përkrahja e Britanisë së Madhe në këtë proces do të vazhdojë të jetë e rëndësishme”, citohet të ketë thënë Jahjaga.
Princi Charles e dukesha Camilla kanë takuar përfaqësues e familjarë të personave të pagjetur dhe të viktimave të dhunës seksuale. Në shoqërim të presidentes Jahjaga, kryetarit të Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, çifti mbretëror ka vënë kurora lulesh te Memoriali për të Pagjeturit. Familjarë të të pagjeturve i kanë kërkuar princit Charles t’i bëjë presion Beogradit për t’i dhënë fund pritjes së tyre.
Motra e Ukshin Hotit, Myrvete Hoti-Kasumi, ka thënë se shpreson që kjo të jetë vizita e fundit e një personaliteti ndërkombëtar që i gjen ata në këtë gjendje. Çifti mbretëror, që për herë të dytë po e viziton Kosovën, ka vizituar edhe pjesëtarë të komunitetit RAE në Komunën e Fushë-Kosovës, për të vazhduar për në qytetin e Prizrenit.
Tmerret e së kaluarës në Kosovë, për të cilat princi i Walesit, Charles, ka dëgjuar edhe gjatë vizitës në Prizren, ka theksuar se ia kanë copëtuar zemrën, mirëpo në të njëjtën kohë ka porositur se tani ekziston mundësia ideale që të rindërtohen urat e pajtimit dhe faljes, që do të mundësonin një fillim të ri. Por gjatë fjalimit përshëndetës në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare Ndërfetare ka shtuar se duhet siguruar që këto ura të jenë të qëndrueshme.
“Nëse ka një gjë që ne mund të mësojmë nga ky tmerr, është se vetëm me anë të pajtimit dhe faljes mund të nisë fillimi i ri”, ka thënë princi Charles. Ai ka theksuar se e kupton dhimbjen e krijuar, porse për rimëkëmbjen e vendeve që kanë përjetuar tragjedi të tilla nevojitet vendosja e një themeli të ri. “Lutem që ata njerëz të guximshëm që kalojnë urën në anën tjetër të fitojnë në fund”, është shprehur anëtari i familjes mbretërore.
Figurativisht edhe vizitën e tij në qendrën historike të Prizrenit e ka nisur me një qëndrim të shkurtër mbi Urën e Gurit. Aty është pritur nga njohësit e trashëgimisë kulturore, Vesel Hoxhaj dhe Arbnor Morina, që i kanë treguar disa të dhëna mbi trashëgiminë kulturore të qytetit dhe sfidat për ruajtjen e tyre. Nga kjo pikë princi ka parë Kalanë, si dhe shtëpitë e rindërtuara për të kthyerit serbë në Nënkala, në saje të mbështetjes së Qeverisë britanike.
Nga Ura e Gurit ai është përcjellë te Keji i Lumëbardhit, ku nxënësit prizrenas e kanë përshëndetur me flamuj të Kosovës dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Princi Charles, në këtë hapësirë publike, ka ndaluar disa minuta për t’u njoftuar me “DokuFestin“ në saje të takimit të shkurtër me drejtuesit e këtij festivali, Veton Nurkollari, Eroll Bilibani dhe Nita Deda. Nga aty, me vëmendjen e madhe të qytetarëve, ka ardhur në Xhaminë e Sinan Pashës, ku është pritur nga kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.
Myftiu Tërnava, imami Idriz Kefkin dhe historiani Raif Vërmica kanë biseduar me princin në lidhje me historinë e islamit në Kosovë, derisa Besa Ismaili nga Departamenti i Grave brenda Bashkësisë Islame ka folur për statusin e grave myslimane në shoqërinë kosovare. Më pastaj në qendër janë dëgjuar kambanat ortodokse. Ky ishte paralajmërimi për ardhjen e princit të Walesit në Kishën e Shën Gjergjit. Peshkopi i Dioqezës së Rashka-Prizrenit, Teodosije Sibaliq me bashkëpunëtorë e ka pritur mysafirin e lartë në hyrje të këtij kompleksi. Ndërkaq te dera e Kishës, Milica Gjorgjeviq, nxënësja e vetme serbe që jeton në Prizren, i ka dhuruar lule princit Charles.
Peshkopi Teodosije gjatë prezantimit ka theksuar se “200 mijë serbë të zhvendosur nga Kosova nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre edhe 16 vjet pas lufte”.
“Në këtë qytet kanë jetuar 8 mijë serbë dhe tani janë vetëm 20 sish”, ka thënë Teodosije, duke pohuar se “në vitin 2004 ekstremistët shqiptarë kanë djegur kisha e shtëpi, që ishte një hap i dhimbshëm prapa për ne që jetojmë këtu, dhe për bashkësinë ndërkombëtare”. Por, sipas tij, më mbështetjen e BE-së është mundësuar rindërtimi i objekteve fetare, si dhe rikthimi në funksion i seminarit ortodoks “Bogosllovia”. Princi Charles ka takuar një nga një nxënësit e këtij seminari fetar, të cilët edhe kanë kënduar këngë kishtare. Në oborrin e kishës, princi ka biseduar me Aleksandar Mitroviqin, i kthyer serb, dhe me të kthyer të tjerë, shtëpitë e të cilëve janë rindërtuar me mbështetje financiare nga Qeveria britanike. Në dalje nga Kisha Ortodokse, princit të Walesit i është shërbyer një kafe, të cilën e ka pirë në këmbë, për të vazhduar më pas ecjen deri te Katedralja e Zonjës Ndihmëtare, ku po ashtu është pritur me lule nga fëmijët, derisa nikoqirët ipeshkvi i Kishës Katolike të Kosovës, Dodë Gjergji dhe kancelari dom Shan Zefi e kanë njoftuar me historikun e komunitetit katolik në këtë qytet. Princi ka dëgjuar performancën e korit të kishës dhe ka biseduar me famullitarët. Ndërsa në oborrin e katedrales është njoftuar me projektin e “Caritas Kosova” për fuqizimin e ekonomisë rurale, ku ka pasur rastin që të shijojë ushqimet vendore dhe të bisedojë me fermerë e bletarë. Drejtori i “Caritas Kosova”, dom Viktor Sopi, ka përshkruar punën e “Caritasit” në përkrahjen e projekteve multietnike në Kosovë, përfshirë edhe mbështetjen e Qeverisë britanike. Në këtë hapësirë princi ka takuar edhe kreun e Gjimnazit Loyola, Axel Bödefeld, dhe disa nxënës të kësaj shkolle.
Gjatë gjithë ecjes së tij në qendër të qytetit, princi i Walesit është treguar i afërt me qytetarë të shumtë, që e kanë pritur në mënyrë të përzemërt. Qëndrimin në Prizren, anëtari i familjes mbretërore e ka përmbyllur me pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare. Aty ka takuar edhe përfaqësuesen e organizatës “Europa Nostra”, që disa muaj më parë ia kishte dorëzuar Madhërisë së Tij Çmimin për Trashëgimi Kulturore për kontributin e tij në këtë sferë.
Me këtë rast, princi Charles ka shpjeguar se një nga pasionet e tij të mëdha për kohë të gjatë ka qenë rigjenerimi i udhëhequr nga trashëgimia.
“Kur erdha në këtë vend për herë të parë në vitin 1999, vendi ishte në kulmin e të gjitha vështirësive të tmerrshme dhe tmerreve që ky vend i gjorë i kishte duruar. E kam vërejtur se kam vizituar kaq shumë pjesë të ndryshme të botës të cilat kanë pësuar shkatërrim të pamasë, dhunë dhe mizori të panevojshme. Lëre më shkatërrim të qëllimshëm të thesareve të çdo komuniteti. Reliktet e tyre më të shenjta dhe historike. Të gjitha gjërat që në fakt ndihmojnë në përcaktimin e komuniteteve të tëra, për t’ia dhënë ndjenjën e përkatësisë dhe të kuptimit, të cilat na duhen aq shumë si qenie njerëzore. Pa rrënjë dhe pa atë ndjenjën e kuptimit dhe përkatësisë, ne jemi të humbur. Nuk e dimë se ku të fillojmë, nuk e dimë si ta interpretojmë botën rreth nesh, pa historinë tonë. Në të njëjtën kohë, siç thashë para pak ditëve në Beograd, nuk mund t’ia lejojmë vetes që të bëhemi robër të asaj historie. Duhet të sigurohemi se jemi titullarë të saj dhe të mos zhytemi plotësisht në të. Kam shpenzuar shumë kohë duke u përpjekur të gjej mënyra për të sjellë përsëri në jetë gjërat që janë shkatërruar apo braktisur dhe kam zbuluar personalisht, nëpërmjet përvojës, se rigjenerimi i udhëhequr nga trashëgimia është jashtëzakonisht efektiv. Ai mund ta ringjallë aktivitetin ekonomik. Kjo mund ta ndihmojë ringjalljen e aspiratës në zonat ku ka privim dhe mungesë të shpresës”, ka thënë princi Charles para audiencës. Si shembull ka përmendur një ish-zonë minerare të qymyrit në Skocinë Jugperëndimore, ku ka qenë i përfshirë dhe ku gradualisht janë parë ndryshimet në atë zonë ku njerëzit kanë qenë të papunë për tre breza.
“Pak nga pak mund të filloni të rindërtoni aftësitë, vetëbesimin dhe vetërespektin. Harrojmë shpesh se vetërespekti dhe vetëbesimi zhduken lehtë dhe shpejt. Rikthimi i tyre në fakt paraqet themelin kryesor”, ka deklaruar ai. Ka shprehur kënaqësinë që ka pasur mundësinë për t’i vizituar Xhaminë, Katedralen Ortodokse dhe Katedralen Katolike dhe t’i dëgjojë historitë e tyre.
“Dhe përsëri, ajo që unë dëgjova sot, këtu dhe në Prishtinë, në shumë mënyra ma copëtoi zemrën. Dëgjova në mëngjes disa familje që kanë humbur të dashurit e tyre – personat e pagjetur. E di se ky vend ka shumë të tillë. Më pyetën nëse unë mund t’ju ndihmoj, do të doja të isha në gjendje të bëja më shumë. Më duket se në gjithë botën ka aq shumë vdekje dhe shkatërrim të panevojshëm. Këtë e shohim gjatë gjithë kohës në Lindjen e Mesme. Ta copëton zemrën kryekëput. Është krejtësisht e pakuptimtë. Por tani kemi mundësinë ideale që t’i rindërtojmë urat. Vetëm se kësaj here duhet të sigurohemi se mbeten në vend. E pata thënë gjatë një mbrëmjeje në Beograd se mund ta kuptoj vetëm pak atë që njerëzit e kanë kaluar nëpër zona sikur kjo, vetëm pak. M’u kujtua vrasja e xhaxhait tim të madh, lordit Mountbatten, mbi 40 vjet më parë. Më kujtohet në atë kohë ndjenja e zemërimit të thellë si reagim i menjëhershëm, por pastaj shumë shpejt e kuptova se hakmarrja nuk ishte gjë. Është në të vërtetë pajtimi dhe falja. Nëse ka një gjë që ne mund të mësojmë nga ky tmerr, është se vetëm me anë të pajtimit dhe faljes mund të nisë fillimi i ri. E kuptoj agoninë e rëndë, përvojat e tmerrshme, dhimbjen, por me qëllim të rimëkëmbjes së vendeve të cilat kanë kaluar tmerrin e tillë, duhet të ndërtohet një themel i ri. Lutem që ata njerëz të guximshëm që kalojnë urën në anën tjetër të fitojnë në fund”, është shprehur princi i Walesit. Dhe në këtë drejtim ka veçuar një shembull nga vendi i tij. Ai ka përmendur se kalon mjaft kohë duke vizituar komunitetet e ndryshme etnike dhe fetare në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe se pjesë e këtyre vizitave ka qenë edhe Qendra e Shën Gjonit, në një pjesë të Londrës, të quajtur Southall. “Ata e kanë krijuar një grup të mrekullueshëm ndërfetar në mesin e myslimanëve, indianëve, sikëve dhe të krishterëve. Grupi ndërtoi këto marrëdhënie personale gjatë një periudhe prej vitesh, kur Londra u godit nga një seri trazirash disa vjet më parë, dhe ata më thanë se i gjithë komuniteti i sikëve doli dhe qëndroi përballë xhamive dhe tempujve dhe pengoi dëmtimin e atyre vendeve të shenjta nga trazirat. Ishte një shembull i mrekullueshëm i aktivitetit, mirëkuptimit dhe solidaritetit ndërfetar”, ka theksuar princi Charles. Ai ka pohuar se lutet që Kosova ta ketë një të ardhme me të vërtetë të veçantë.
“Jam shumë krenar për vendin tim, Mbretërinë e Bashkuar, që luajti një pjesë të vogël në rilindjen e Kosovës”, ka përfunduar ai.
Pas paraqitjes në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare, princi Charles, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Petrit Selimi, ka vizituar ekspozitën e punimeve të artistit të ndjerë Simon Shiroka, gjë që ka shënuar edhe fundin e qëndrimit të tij në Prizren.

“Takimet pikëlluese” të çiftit mbretëror pasqyrohen në mediat britanike
Vizita e çiftit mbretëror në Kosovë dhe takimet e shumta që ata kanë zhvilluar janë pasqyruar në mediat e Britanisë së Madhe.
Revista e njohur britanike “Daily Mail” e ka përshkuar si tejet emocionuese takimin e çiftit mbretëror me nënën kosovare së cilës i janë rrëmbyer dy djemtë gjatë luftës dhe më nuk i ka parë kurrë.
“Princi i Wellesit dhe dukesha e Cornwallit kanë përqafuar emocionalisht kosovarët në kuadër të turneut ballkanik në kryeqytetin e Kosovës, pas dëgjimit të tregimeve pikëlluese nga familjarët e të zhdukurve në konfliktin e vitit 1999”, shkruan “Daily Mail”.
“Elvane Dana (55) i ka treguar princit se si i janë marrë dy djemtë 16 dhe 18-vjeçar së bashku me 10 anëtarë të tjerë të familjes së saj – dhe se vetëm tetë ishin kthyer. Djemtë e saj ishin parë për herë të fundit në shtëpinë e tyre në Gjakovë, më 10 maj 1999, dhe pothuajse 17 vjet më pas ata janë ende të pagjetur”. Siç shkruan “Daily Mail”, më shumë se 1 mijë e 600 persona, serbë dhe shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur që nga lufta e vitit 1999.
Princi Charles vizitoi KFOR-in
Princi Charles, gjatë qëndrimit në Kosovë ka vizituar Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Kosovës – KFOR. Me këtë rast princi ka vënë kurora lulesh edhe te Memoriali i ushtarëve britanikë. Princi Charles është pritur me nderime ushtarake, derisa takime ka zhvilluar edhe me pjesëtarët e KFOR-it.
Dukesha e Cornwallit dëgjoi historitë e grave të dhunuara
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, së bashku me dukeshën e Cornwallit ka takuar një grup të grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Dukesha e Cornwallit ka thënë të ketë dëgjuar histori të ngjashme edhe në vende të tjera të botës, por në asnjë vend nuk ka dëgjuar histori kaq të dhimbshme dhe të tmerrshme sikur në Kosovë.
Ajo ka premtuar se do të bëjë përpjekje që historitë e grave të Kosovës të dëgjohen edhe jashtë vendit, duke i inkurajuar ato që të ndajnë historitë e tyre për të thyer stigmën shoqërore e cila e mbulon këtë krim lufte.
“Dukesha e Cornwallit shprehu interesim të lartë për të mësuar nga gratë rreth përpjekjeve të tyre për të mbijetuar këtë krim lufte, duke i quajtur ato gra të mrekullueshme. Ajo shtoi se ndihet e bindur që ato do t’ia dalin t’i mbijetojnë këtij krimi veçanërisht tani që kanë edhe mbështetjen institucionale të ofruar nga presidentja Jahjaga”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Jahjaga ka theksuar se historitë e grave të Kosovës nuk janë të lehta, pasi ato flasin për krimin makabër të kryer mbi to nga regjimi serb, por ajo shtoi se ato janë edhe histori të forcës së grave për ta mbijetuar krimin, për ta rindërtuar jetën e tyre, për të kërkuar të drejtat e tyre dhe mbi të gjitha për të kërkuar drejtësi.
Madhëria e Saj, dukesha e Cornwallit, ka vizituar edhe organizatën bamirëse “The IdeasPartnership” në Fushë-Kosovë për të mësuar rreth punës së veçantë që ata janë duke bërë në promovimin e arsimit dhe shkrim-leximit, në fuqizimin e komuniteteve pakicë, dhe në inkurajimin e vullnetarizmit. Dukesha u prit nga Elizabeth Gowing, një qytetare britanike, e cila është bashkëthemeluese e organizatës, e që merr mbështetjen e vazhdueshme nga grupet e komunitetit dhe nga vullnetarët e Cornwallit, si dhe nga burime të tjera.