Shtojca për Kulturë

Petrit Halilaj në Britani i flet së ardhmes me shenjat e luftës në Kosovë

Pikënisje janë 38 vizatime që i kishte realizuar si refugjat në kampin e Kukësit më 1999. Aty bëheshin bashkë kujtime skenash të llahtarshme e peizazhe përrallore. Realiteti e imagjinata përplaseshin keqas. Tash, Petrit Halilaj, njëri prej artistëve më të shquar shqiptarë, u kthehet atyre shenjave tek i deshifron në ekspozitën e tij personale, “Shumë vullkanik mbi këtë pendë të gjelbër”, e hapur në “Tate St Ives” në Angli. “Unë jam përpjekur të gjej një gjuhë që lidh elementin biografik dhe historinë lokale të Kosovës me kujtesën kolektive të popullit tonë, dhe gjithashtu me kujtesën kolektive të konflikteve në shkallë globale”, ka thënë Halilaj për KOHËN

Artisti Petrit Halilaj nuk e mohon entuziazmin për ekspozitën e tij në Britani të Madhe. Ka edhe një arsye shtesë për këtë: ekspozita vjen si deshifrim i shikimit të 38 vizatimeve të realizuara kur ishte 13-vjeçar, refugjat në kampin e Kukësit. Një ekspozitë që vë në pah emocionet e një fëmije e që përjeton shpërnguljen me forcë nga shtëpia, dhunën dhe diskriminim. Në atë kohë, arti i shërbente si terapi dhe udhëzimet i merrte nga psikologu Giacomo Poli, të cilin të gjithë e quanin Angelo. Një njeri shumë i dashur për artistin kosovar pasi, siç thotë ai, italiani që tani ka dalë në pension pati ndikim të madh në jetën e artistit dhe ishte mbështetës i madh i zgjedhjes së tij për ta ndjekur rrugën e artit.

Përjetimi personal si nxitje

“Very volcanic over this green feather” (Shumë vullkanik mbi këtë pendë të gjelbër) është titulluar ekspozita e hapur zyrtarisht të shtunën e 16 tetorit në galerinë “Tate St Ives” në St Ives të Cornwallit. Veprat e artistit 35-vjeçar nga Kostërci i Skenderajt do të qëndrojnë të ekspozuara aty deri më 16 janar të vitit të ardhshëm, në atë që njihet si një nga galeritë me të rëndësishme britanike e madje edhe nga më të vizituarat.

“Duke realizuar skulptura të mëdha e imazhe që qëndrojnë të varura në hapësirat e Galerisë, mjedisi i artistit Halilaj ndërthur imazhet që e kanë shoqëruar atë gjatë konfliktit. Peizazhe prekëse rurale, zogj dhe kafshë, janë të ndërthurura me skena të luftës dhe dhunës. ‘Very volcanic over this green feather’ shpërfaq marrëdhënien e ndërlikuar të realitetit dhe imagjinatës dhe perspektivave shpesh të ndryshme në mes informatave zyrtare dhe përvojave të përjetuara”, është thënë në një përshkrim të shkurtër që paralajmëronte këtë ekspozitë. E për pjesën tjetër të rrëfimit, autori shpalos detaje edhe më shumë sesa kaq.

Gjatë dy javëve që Angelo i kaloi në kampin e refugjatë në Kukës më 1999, ai u dha fëmijëve disa fleta të bardha dhe ngjyra për vënë në letër çfarë kishin parë dhe çfarë do të donin të shihnin – veçanërisht si e mendonin ata përfundimin e luftës.

Prandaj, siç ka thënë Halilaj për KOHËN, kjo ekspozitë nis nga një kujtim shumë i gjallë i tij dhe nga përvoja personale, por më pas i tejkalon ato.

“Unë jam përpjekur të gjej një gjuhë që lidh elementin biografik dhe historinë lokale të Kosovës, me kujtesën kolektive të popullit tonë, dhe gjithashtu me kujtesën kolektive të konflikteve në shkallë globale. Kjo ekspozitë u adresohet të gjithëve, jo vetëm kosovarëve. Lokalja dhe globalja bashkëdyzohen detyrimisht këtu, meqenëse dinamikat e dhunshme të pushtetit në botë nuk kanë ndryshuar që atëherë, ato thjesht kanë marrë një formë tjetër”, ka thënë Halilaj.

Arti që thekson perspektivat e ndryshme

Instalacioni, njëlloj si vizatimet nga të cilat ai zhvillohet, shkrijnë elemente të cilat artisti i ka përjetuar ose i ka shpikur – si në rastin e zogjve dhe plazhit tropikal – ose që i ka imagjinuar e që vijnë si rezultat i rrëfimeve që i ka dëgjuar.

Image
Petrit Halilaj: “Me këtë zgjedhje unë jam përpjekur që të përkthej vizualisht çfarë ka ndodhur me kujtesën, aspektin e saj të copëzuar dhe të paqëndrueshëm, në një shtrirje të caktuar, e që ngërthen edhe vetë procesin kreativ si të tillë” (Foto: Angela B. Suarez, 2021)

Derisa artisti po ua jepte dorën e fundit veprave në galerinë “Tate St Ives” – kur u realizua bisedë me të në një komunikim online – ai ka thënë se varësisht nga pozita e shikuesit në dhomë, ata mund të shohin që elemente të caktuara kanë vetëm siluetën, dhe shfaqen më pas si të plota vetë duke ndryshuar perspektivë.

“Me këtë zgjedhje unë jam përpjekur që të përkthej vizualisht çfarë ka ndodhur me kujtesën, aspektin e saj të copëzuar dhe të paqëndrueshëm, në një shtrirje të caktuar, e që ngërthen edhe vetë procesin kreativ si të tillë”, ka thënë Halilaj. E fill pas kësaj ka shtruar edhe pyetjen: “A jemi gjithnjë në gjendje të shquajmë mes kujtimeve që kemi jetuar drejtpërsëdrejti dhe atyre që i kemi ëndërruar apo imagjinuar?”

Duke folur për ekspozitën, ai ka vlerësuar se memoria shndërrohet dhe ndonjëherë abstraktohet në secilin prej nesh, ku disa kujtime bëhen më të mprehta gjatë kohës e disa të tjera përhumben. Madje, sipas tij, “harresa është edhe një akt mbrojtës i trurit tonë që është i nevojshëm për të vazhduar tutje”.

“Kjo për mua është kyç për ta kuptuar rëndësinë e qëmtimit të fakteve historike, për t’i mbajtur njerëzit përgjegjës për veprimet e tyre, ashtu që të mos harrohen apo të thuhen të shpërfytyruara nga narrativa mbizotëruese e kohës”, ka thënë artisti shqiptar teksa ka shtuar se ekspozita mund edhe të shihet si dialog mes vegullisë dhe mprehtësisë së kujtimeve personale e atyre kolektive.

Image
Vizatim i Petrit Halilajt, realizuar si refugjat në Kukës më 1999

Kështu, teksa merrte hov projekti në fjalë, një nga pyetjet nxitëse ishte veçanërisht kjo: “Si mund t’ua japim një formë të gjitha kujtimeve të fragmentuara dhe si mund të përkthehet kjo artistikisht?”

E për Halilajn, arti, ose edhe shprehja vizuale në përgjithësi, ka qenë fort e pranishme që prej fëmijërisë si një mënyrë për t’u ballafaquar me realitetin, ndaj edhe ekspozita e tanishme përjetohet si një vazhdimësi organike e një procesi që tashmë ka filluar prej tri dekadash.

Detyra sizifiane

Të freskët e ka edhe një bisedë me shkrimtarin e teoricienin, Joshua Chambers-Letson mbi fuqinë transformuese të mërzisë, i cili kishte thënë se të dashurosh nënkupton edhe pranimin e një humbjeje të ardhshme, një mërzie të së ardhmes që do të të ndryshojë.

Diçka të tillë Halilaj e kishte pasur edhe me shpalosjen e këtyre vizatimeve, të cilat edhe pse traumatike kishin pasur diçka lehtësuese.

“Nuk kam qenë në gjendje të shijoja procesin bash në gjendje gazmore apo të zhveshur, por në të vërtetë ishte mjaft e nevojshme në shumë nivele”, ka thënë ai.

Image
Petrit Halilaj dhe psikologu Giacomo Poli, Kukës, 1999 (Foto nga arkivi i Giacomo Polit)

Puna e psikologut Giacomo Poli për artistin është një detyrë sizifiane pasi që, siç i ka treguar ai artist, trauma dhe tronditja e atëhershme ishte e fuqishme dhe e pranishme, madje edhe për ta shtjelluar imtësisht, veçanërisht për të rriturit, dhe ishte edhe pengesa gjuhësore e nevoja për përkthyes. Mirëpo fëmijët ishin më të hapur për të shprehur vetveten, virutalisht për shembull, dhe akoma mund të shijonin disa aspekte të jetës si refugjat, për të gjetur disa lojëra argëtuese, pasi që aftësia e tyre për të kuptuar se çfarë po ndodh nuk ishte e zhvilluar sa duhet. Kështu, sipas artistit, Angelo u kishte dhënë “mjetet për të ëndërruar”.

“Ashtu siç them edhe në librin që shoqëron ekspozitën, këto mjete nuk u referohen vetëm ngjyrave dhe letrës, por edhe inkurajimit për të biseduar për atë që po ndodhte, për të ndarë përvojën tonë me të tjerët, të gjitha këto ishin kryesore për të filluar të kuptuarit e këtyre ngjarjeve si rrënjësisht transformuese”, ka potencuar Halilaj, i cili përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, në debutimin e vendit, më 2013.

Në mes të zmadhimit dhe mohimit

38 vizatimet ishin ruajtur nga Angelo deri më sot bashkë me vizatime të realizuara nga fëmijët e tjerë. Ai i kishte përdorur ato si pjesë e programeve të tij edukative, përmes të cilave vetëdijesonte njerëzit në Itali dhe më gjerë për luftën në Kosovë dhe pasojat e saj. Dyshja s’e kishte humbur kontaktin, mirëpo kishte hapur bisedën për këto vizatime vetëm para një viti e gjysmë. Halilaj atë moment e përshkruan si prekës dhe të sinqertë.

Duke u kthyer tek ekspozita, ai tregon se në instalacion, elemente të caktuara izolohen, zmadhohen, të vendosura në një rend të caktuar që ndryshon perspektiven e vrojtuesit.

Image
Vizatim i Petrit Halilajt, realizuar si refugjat në Kukës më 1999

“Në këtë proces, vizatimet janë transformuar në mënyrë të ngjashme me atë se si funksionon vetë kujtesa – me dialektikën e saj disi tipike midis zmadhimit dhe mohimit”, ka sqaruar artisti që prej vitesh jeton në Berlin. Kështu ai ka bërë që mjedisi përmes të cilit vizitorët kalojnë të jetë i ndërtuar nga fragmente të një rrëfimi që asnjëherë nuk mund të tregohet vetëm nga një person, por që sugjeron që secili ftohet të jetojë dhe ta tregojë edhe fundin.

Për gjithë këtë mundësi i është falënderuar Anne Barlow, e cila e ka ftuar për këtë ekspozitë e që i ka dhënë mundësinë që të flas përsëri për një kapitull të caktuar.

Por artistin e ka inspiruar edhe fakti se në vend më shumë njerëz janë duke biseduar për eksperiencat e tyre në lidhje me luftën, diçka që artisti beson se është e rëndësishme si në aspektin personal ashtu edhe kolektiv.

Lidhja përmes së përbashkëtës

Veprat e artistit, Petrit Halilaj, zakonisht përfshijnë elemente që lidhen me historinë e Kosovës, e që në përgjithësi janë veç një pikënisje për të biseduar për çështje me madhore, por që ai brenda tyre gjen një lloj abstraksioni dhe evokimi poetik. E për këtë ekspozitë ai e sjell një perspektivë personale të një fakti historik që e ka prekur thellë atë sikundër edhe shumë të tjerë, dhe e ripërpunon pas një distance kohore.

Rezultati i gjithë kësaj nuk ka për qëllim që të pasqyrojë ndonjë pozicion institucional a qeveritar, por është vetëm eksperienca personale e artistit si një djalë i ri atëherë, si një qytetar që ripërpunohet artistikisht.

Halilaj – i cili publikut në Prishtinë, në qershorin e sivjetmë bashkë me Álvaro Urbanon iu prezantua me ekspozitën “Lule Mosmëharro” 

- shpreson që ekspozita në “Tate St Ives” do t’u japë një mundësi të tjerëve që të krijojnë lidhshmëri dhe ta gjejnë veten në të, pasi jo vetëm kosovarët, por të gjithë janë prekur nga ngjarje të ngjashme.

“Gjatë procesit të realizimit të kësaj vepre unë kam shikuar historinë gjermane dhe atë evropiane, por gjithashtu edhe brazilianen, ku më ka interesuar shumë Teatri i të shtypurve (Theatre of the Oppressed) si rast i reagimit kolektiv përmes veprimeve kreative”, ka thënë Halilaj.

Ai gjatë procesit të realizimit të kësaj ekspozite ka studiuar se si trauma ruhet në trup, si ajo ndikohet nga veprimet tona, pa qenë ne të vetëdijshëm, por edhe se si njerëzit mund të flasin për të dhe ta kthejnë në një mjet që i afron njerëzit në vend se të krijojë një mur që i ndan.

Image
Petrit Halilaj: “Në këtë proces, vizatimet janë transformuar në mënyrë të ngjashme me atë se si funksionon vetë kujtesa – me dialektikën e saj disi tipike midis zmadhimit dhe mohimit...” (Foto: Angela B. Suarez)

“Ju mund të përdorni urrejtjen për të krijuar më shumë urrejtje – dhe ky është veprimi më familjar në historinë globale – dhe të dënosh traumën për ta akumuluar atë edhe më shumë, ose ju mund të reflektoni mbi atë që keni përjetuar, të mësoni nga ajo dhe të lidheni me ata që kanë kaluar nëpër diçka të ngjashme”, ka sqaruar tutje Halilaj konceptin e tij.

“Faktet të mos zbehen si kujtimet”

Ani pse ekspozita ka këtë aspektin imagjinues, Halilaj ka potencuar se ai u kushton rëndësi incizimit dhe tregimit të fakteve historike ashtu siç ato kanë ndodhur e jo siç mund t’i konvenojë dikujt, duke mbajtur njerëzit përgjegjës për veprimet e tyre në mënyrë që faktet të mos zbehen si kujtimet.

“Sa i përket kësaj, e ndiej si të neveritshme dhe absurde sesi presidenti serb ende mund të mohojë masakrat serbe mbi shqiptarët në Kosovë, dhe si disa institucione ende po mbështesin në mënyrë implicite këto deklarata; kjo është arsyeja pse vendosa të tërhiqesha nga pjesëmarrja ime në Bienalen e Beogradit, kur m’u tha që Kosova nuk do të shfaqej si vendi im i lindjes (apo do të shpalosej me një asterisk)”, ka kujtuar Halilaj vendimin e tij të korrikut të vitit të kaluar që bëri goxha bujë.

Halilaj ka thënë se beson se shumë e më shumë zëra duhet të shtohen kundër atyre që i mohojnë masakrat në Kosovë, në mënyrë që një narrativë e drejtë të mposhtë atë të atyre që përpiqen ta mohojnë atë ose ta etiketojnë si diçka fiktive.

Diskutimi për të kaluarën

I pyetur se a mendon që e kaluara e Kosovës ka nevojë që të shfaqet më shumë përmes një vështrimi artistik para audiencës britanike, ai ka thënë se “Tate St Ives”, që ka edhe audiencë vendase, por edhe ndërkombëtare është vendi i duhur për të nisur këtë diskutim. Hapësira ekspozuese, sipas tij, është e ndarë në dy dhoma: në dhomën e madhe mysafirët mund të përjetojnë fizikisht veprat artistike, përderisa në dhomën e vogël mund të shfaqen elemente historike që shpalosin kontekstin e ekspozitës dhe ndriçojnë të kaluarën e të tashmen.

“Fakti që vizitorët do të përjetojnë jo vetëm fizikisht instalacionin, por mund ta lënë muzeun me një nocion të rifreskuar të historisë më të re të Kosovës dhe mundësisht të lexojnë të tashmen me thjerrëzat e kësaj të kaluare”.

“Një pikë ujë në oqean”

Artisti beson se përvoja që kanë shqiptarët i bën ata të vetëdijshëm karshi pasojave që sjell dhuna dhe lëshimi i shtëpisë duke qenë të detyruar, dhe kjo, sipas tij, u jep atyre një perspektivë të veçantë dhe empati karshi ngjarjeve të tanishme, siç është tragjedia që po ndodh në Afganistan.

“Unë mendoj se ne mund të jemi në gjendje t'i shikojmë këto ngjarje në një mënyrë më komplekse, sepse shumë prej nesh mund të lidhen me to drejtpërdrejt ose përmes një familjari. Presidentja aktuale e Kosovës ka qenë gjithashtu refugjate, dhe ajo deklaroi se do të ndihmojë njerëzit që ikin nga Afganistani, në një moment ku shumica e udhëheqësve evropianë po negociojnë me talebanët për të shmangur migrimet masive mbi supozimet pak a shumë eksplicite se e ardhmja e popullit afgan nuk është ‘problem i yni’”, ka thënë Halilaj, që këto deklarata i sheh si të pakuptimta. Prandaj ka potencuar se ai u del kundër në mënyrën si di më mirë: si artist. Është i vetëdijshëm se kontributi i tij, është për të mirë a për të keq, si proverbi “një pikë ujë në oqean”. Por, sipas tij, një veprim i marrë ashtu i shkëputur mund të mos ndryshojë ndonjë gjë, por si një element brenda një mase zërash mund të bëjë më të vërtetë ndryshim.