Ashtu siç bëri Aleksandri i Madh në vitin 330 p.e.s., forcat talebane këtë javë pushtuan qytetet strategjike të Heratit dhe Kandaharit, ndërsa morën edhe një duzinë qytetesh të tjera të mëdha në të gjithë Afganistanin. Fitoret e papritura i kapën në habi kuratorët e muzeve dhe arkeologët. Ata janë duke u thërrmuar për t’i mbajtur lokalitetet dhe artefaktet ende nën kontrollin e tyre. Fati i atyre brenda territorit që udhëhiqet nga talebanët mbetet i pasigurt.
“Ne nuk e prisnim që kjo do të ndodhte kaq shpejt”, ka thënë Noor Agha Noori, i cili drejton Institutin e Arkeologjisë në Afganistan. Zyrtarët synonin të transportonin objekte nga qytete si Herat dhe Kandahar me qëllim që t’i ruanin, por rënia e papritur e rezistencës së qeverisë afgane këto ditë parandaloi diçka të tillë.
Tani, me forcat talebane në Kabul, koleksioni i më shumë se 80 mijë artefakteve në Muzeun Kombëtar të Afganistanit është i cenueshëm. “Ne jemi të shqetësuar për sigurinë e stafit dhe koleksioneve tona”, ka thënë Mohammad Fahim Rahimi, drejtor i muzeut.
Si një udhëkryq i rëndësishëm për këtë mijëvjeçar, Afganistani ka një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur. Në këtë vend, budizmi u përhap për në Kinë, ndërsa zoroastrizmi, krishterimi, judaizmi dhe hinduizmi lulëzuan para dhe pas ardhjes së islamit në shekullin e shtatë pas Krishtit, si një arterie kryesore e “Rrugës së Mëndafshit”, që lidhte Indinë me Iranin dhe Kinën. Afganistani është i mbushur me mbetjet e qyteteve të lashta e manastire që strehonin udhëtarët - përfshirë Marco Polon gjatë rrugës për në oborrin e sunduesit Kublai Khan.
Talebanët, megjithatë, përkrahin një version fundamentalist të islamit që hedh poshtë të gjitha imazhet e njerëzve dhe kafshëve dhe shikon ashpër të kaluarën paraislame. Zyrtarët e trashëgimisë kulturore nuk e kanë të qartë nëse talebanët do të tërbohen përsëri si në vitin 2001, kur shkatërruan budat e famshëm në qytetin Bamiyan, si dhe një mori objektesh dhe statujash në Muzeun e Kabulit.
Edhe
Grushti i fundit për të marrë kontrollin e qyteteve afgane
Në një deklaratë të lëshuar në muajin shkurt, udhëheqësit talebanë udhëzuan ndjekësit e tyre që të “mbrojnë, monitorojnë dhe ruajnë fuqishëm” reliktet, të ndalojnë gërmimet ilegale dhe të ruajnë “të gjitha vendet historike”. Në mënyrë domethënëse, ata shtuan se do të ndalonin shitjen e objekteve në tregun e artit.
Por, shumë ekspertë afganë të trashëgimisë kulturore janë skeptikë. “Ata kanë fshehur fakte të pakëndshme të imazhit të tyre, por janë ende një grup shumë ideologjik dhe radikal”, ka thënë Omar Sharifi, një profesor i shkencave sociale në Universitetin Amerikan të Afganistanit. Ai së voni u largua nga Kabuli për në Delhi, duke thënë se kishte marrë kërcënime të drejtpërdrejta nga anëtarët talebanë. Burime të tjera afgane shtuan se stafi i trashëgimisë kulturore në të gjithë vendin ka marrë mesazhe dhe telefonata nga zyrtarët talebanë, duke i akuzuar ata se punojnë me organizatat ndërkombëtare.
Noori dhe Rahimi kanë thanë se ata kanë qenë në kontakt me stafet e tyre në qytetet e kontrolluara nga talebanët dhe se duket se janë të sigurt. Punonjësve të nivelit më të ulët u është thënë nga zyrtarët talebanë se ata do t’i vazhdojnë punët e tyre. Meqenëse këta punonjës kanë qenë të izoluar në shtëpitë e tyre, ata nuk kanë informacion në lidhje me gjendjen e vendeve arkeologjike, muzeve dhe objekteve.
“Nëse ata kanë qëllime të këqija, do të bëhet e qartë gjatë rrugës”, ka thënë Cheryl Benard, e cila drejton Aleancën për Restaurimin e Trashëgimisë Kulturore (ARCH) me qendër në Uashington, D.C. “Ata tani po merren me çështjet e kufijve dhe infrastrukturës”.
Ndërkohë, kuratorët e Kabulit po shpejtojnë përpjekjet për të eksportuar objekte në një ekspozitë të planifikuar muzeale në Paris. Philippe Marquis, drejtor i Delegacionit Arkeologjik Francez në Afganistan, shpreson të kthehet në Kabul së shpejti për të mbikëqyrur paketimin e objekteve. “Situata është shumë e paparashikueshme”, ka thënë ai. “Njerëzit në Kabul kanë një frikë të tmerrshme nga talebanët. Por, një luftë e shpejtë me pak viktima mund të jetë më mirë sesa anarkia”.
Zyrtarët afganë nuk pranuan të specifikojnë se cilat plane kanë për koleksionin e Muzeut Kombëtar me famë botërore. “Ne duhet t’i ruajmë artefaktet, por pyetja është se si të gjejmë një vend të sigurt”, ka thënë një burim qeveritar. “Nuk ka asnjë mënyrë që artefaktet ose stafi të largohen nga vendi”. “Një tjetër shtoi se ai është i bindur se Kombet e Bashkuara do të bëjnë presion mbi talebanët për t’i mbrojtur zyrtarët e trashëgimisë kulturore, por edhe artefaktet dhe lokalitetet.
Talebanët tashmë kanë në kontroll të plotë lokalitetin “Mes Aynak”, një nga manastiret e mëdha budiste të Azisë Qendrore, i vendosur në periferi të kryeqytetit. Së bashku me tempujt dhe statujat, janë gjithsej 10 mijë artefakte të gjetura në lokalitet, përfshirë më shumë se 2 mijë e 500 monedha. Talebanët gjithashtu tani kanë nën mbikëqyrje muzeun e ri në kështjellën e Heratit, si dhe muzetë dhe koleksionet më të vogla në Kandahar, Ghazni dhe Balkh.
Ndërkohë, ato në Kabul janë në pritje të një të ardhmeje të pasigurt. “Talebanët më njohin dhe nuk është diçka e rehatshme për mua dhe familjen time”, ka thënë një ekspert i trashëgimisë kulturore, i cili shtoi se parqet dhe trotuaret e qytetit janë të mbushura me refugjatë. “Por, nuk ka viza për t’u marrë”.
Edhe
Herati nën kontroll: Si talebanët po i japin fund qytetit më kozmopolit të Afganistanit
(Marrë nga “National Geographic”)
(Përktheu: Alberina Haxhiaj)