Shtojca për Kulturë

Përparimi i propagandës

Më efektive se posterët, pullat postare dhe filmat me aktorë të angazhuar, propaganda kibernetike është forma e sotme më e rrezikshme e luftës guerile

Me kalimin e viteve kanë ndryshuar edhe fushatat e dezinformimit. Dhe ja cila është arsyeja pse është kaq e vështirë të zhbirohen

Propaganda ka marrë karakter të ri gjatë viteve të fundit. Efektet e këtij karakteri do të jehojnë edhe në të ardhmen e largët. Dhe për ta marrë vesh si e qysh, ia vlen t’u hidhet një sy ndikimeve në kohë.

Në Luftën e Parë Botërore propaganda është përdorur për të formësuar nëpërmjet shtypit opinionin publik. Sidomos gjatë Luftës së Parë, librat, gazetat, karikaturat, sloganet, teatri. Madje edhe pullat postare ishin makineri e zakonshme e të dy palëve për të përhapur informacione të favorshme.

Ndjellja e frikës

Propaganda e mbajti publikun në anën e vet dhe iu dha zemër radhëve dhe moralit të ushtrive. Në Luftën e Dytë Botërore, megjithatë, ndryshoi propaganda, dhe filmat në veçanti u përdorën për të kallur frikë. Prapëseprapë ende kishte posterë të rëndomtë për të mobilizuar ushtarët, por më fort patën efekt negativ se pozitiv. “Ndaleni këtë përbindësh që nuk ndalet para asgjëje”, shkruante në njërin prej tyre.

Më 1947, një botues në St. Paul në Minnesota botoi një libër komik me një të kuqe të frikshme me titullin: “A është kjo e nesërmja; Amerika nën komunizëm!”. Ballina e animuar shfaq një flamur amerikan të kapluar nga flakët si sfond ushtarëve me ngjyrë dhe të bardhë të SHBA-së që po sulmoheshin brutalisht prej ushtarëve komunistë. Në këtë rast, propaganda kaloi linjat racore për t’u siguruar se krejt amerikanët, pavarësisht ngjyrës, mund të identifikoheshin me nevojën për të përkrahur dhe për t’u rekrutuar në ushtri në luftën kundër komunizmit me çdo çmim. E përndriste publikun nëpërmjet simbolizmit dhe personaliteteve të përgjithshme, si ushtarë, të cilët të gjithë qytetarët i respektonin dhe mund të lidheshin.

Promovimi i ideologjive, demonizimi i personaliteteve

Në kohën e Luftës së Ftohtë propaganda i përzinte të dy metodat: promovimin e ideologjive dhe demonizimin e personaliteteve. Në Kubë, më 1956, revolucioni social dhe strategjia e propagandës kthyen ndërgjegjen kolektive të popullit kuban drejt personalitetit të Fidel Kastros. Kastro ishte lindur në një familje të kamur, por urrente elitën, një ndjenjë e mirëpritur në mesin e atyre që luftonin për jetë të dinjitetshme.

Kastro personalisht e përfaqësonte këtë betejë. Si prijatarët e tjerë revolucionarë në histori, ta zëmë si Lenini a Trocki, Mao, Louverure i Haitit, Fanoni i Algjerisë dhe meksikani Emiliano Zapata, propaganda amerikane përdori imazhet dhe karikaturat e Kastros për të demonizuar gjithçka për të cilën ishte ngritur ai. Megjithatë, propaganda pati kundërefekt, derisa ideologjitë e Kastros përkonin me frymën e Amerikës me ngjyrë në fushën e padrejtësisë dhe pabarazisë socio-ekonomike. Për më tepër, shfaqja e tij në shoun e Ed Sullivanit më 1959 vetëm sa e fuqizoi edhe më thirrjen e papritur si rebel triumfues me një guerilje tunduese me Che Guevaran në radhët e veta. Propaganda ideologjike dhe demonizimi i personaliteteve si mjete nuk ia dolën të jetësonin qëllimin. Qytetarët nisën të përdornin inteligjencën e tyre për të përcaktuar çfarë dhe kush duhet të mënjanohej në punët e jashtme.

Keqpërdorimi i internetit

Kryengritjet e “Pranverës Arabe” nga viti 2010 deri më 2015 shënojnë bumin në përdorimin e internetit për propagandë. Sidoqoftë, në vend të pozicionimit strategjik prej një zyre lufte, imazhet dhe xhirimet po postoheshin prej qytetarëve mesatarë. Ndryshe nga propaganda e mëparshme, fokusi u përqendrua në betejën populiste. Njerëzve u kishte ardhur në majë të hundës nën represionin e varfërisë dhe pabarazisë, shembull i të cilave u bë Mohammed Bouazizi, 26 vjeç, i cili publikisht ia futi vetes flakën në Tunizi si protesta e fundit kundër mjerimit. Pas këtij veprimi, që i nxiti kryengritjet, qytetarët e morën në duar të veta propagandën nëpërmjet mediave sociale. Kështu, propaganda e lëvizjes së “Pranverës Arabe” synonte të komunikonte pabarazitë dhe ngritjen e populizmit.

Në thembrat e “Pranverës Arabe” u ngrit “Shteti Islamik”, dhe bashkë me të edhe përsëritja e propagandës, kësaj here me vizionin e qartë për të çrrënjosur vlerat perëndimore me islamin. Një devijim i madh në makineritë për promovim diferencon këtë propagandë të viteve të kaluara. Krijimi i mediave sociale me qasje mbarbotërore u kthye në mjetin parësor të propagandës për “Shtetin Islamik”. Platforma, si Facebook e YouTube, u përdorën për të transmetuar video tejet efikase, të incizuara dhe në kohë reale, që infiltrojnë psikologjinë vizualisht e intelektualisht.

Forma e sotme e luftës guerile

Ky nivel propagande shërben si manipulim kognitiv, shpesh të panjohur, derisa u përballëm me pasojat e tmerrshme nga aksionet zullumqare, ose derisa të shënohet një ndryshim në identitetit e akëcilit. Më efektive se posterët, pullat postare dhe filmat me aktorë të angazhuar, propaganda kibernetike është forma e sotme më e rrezikshme e luftës guerile.

Propaganda kibernetike e Rusisë në Shtetet e Bashkuara gjatë katër vjetëve të kaluar ka ndihmuar përçarjen e vendit ideologjikisht deri në pikën e një kryengritjeje të mbështetësve radikalë të Trumpit. Në të vërtetë, manifestimi i saj, promovuar lehtë nëpërmjet mediave sociale në formën e reklamave, videot në YouTube dhe bisedat në Twitter iu frynë flakëve të urrejtjes dhe teorive të konspiracionit. Ato goditën miliona amerikanë.

Duke i ndërlidhur lëvizjet revolucionare, autori Jeff Goodwin ofron një arsye thelbësore se pse numër i vogël kryengritësish mund të jenë të suksesshëm në misionet e tyre: “Një shpjegim i mundshëm është se kryengritjet që janë ‘racore’ ose etnike për nga natyra, si dhe të rrënjosura në zemërata socioekonomike ose klasore me gjasë nuk mund të gjurmohen, përderisa kryengritjet që bazohen, para së gjithash, në shtresa mposhten ose kooptohen më lehtë”.

Propaganda ruse në Shtetet e Bashkuara përfshiu mesazhe që pre kishin dallimet e shumëfishta ideologjike brenda fabrikës së kombit. Promovonin mesazhe frike për humbje të vendeve të punës për shkak të imigrantëve dhe për davaritjen e të drejtave të Amendamentit të dytë. U jepnin hov dezinformatave për kontrollin e tepruar federal, dhe domosdoshmërinë për më shumë kontroll policor për frenimin e krimit.

Duke marrë parasysh problemet që thelbësojnë ato mesazhe – rënia ekonomike e qytetarëve të bardhë në shtetet që në të kaluarën përfitonin nga fuqia e lirë punëtore e skllevërve me ngjyrë, dyzuar me revolucionin industrial që ngeci industritë e tyre – ka shumë gjasë që përkrahësit e Trumpit do të vazhdojnë të mobilizohen. Përdorimi nga Rusia i fuqisë së kahershme të propagandës mund të ketë vënë themelet për trazirat e 6 janarit në Capitolin amerikan, por shuarja e grindjeve të brenda-shtetërore është në dorën e Amerikës.

Autorja është kandidate e doktoratës në shkencat politike në Universitetin e Howardit. Marrë nga revista politike amerikane “Foreign Policy”. Ky tekst u botua për herë të parë në shkurt të vitit 2021 në Shtojcën për Kulturë të “Kohës Ditore”. Përktheu: Rexhep Maloku