Shtojca për Kulturë

Perëndimi me karikatura godet Evropën në ironinë me shqiptarët

Në gjashtëmbëdhjetë korniza me karikatura të shekujve XIX e XX, kur shqiptarët kërkonin e luftonin për shtet, “mund të shihet se qëndrimet e Evropës Perëndimore dhe ato amerikane nuk respektonin pretendimet për sovranitetin shqiptar dhe kërkesat për formimin e një Shqipërie zyrtare”. Por “Perceptimi për shqiptarët në artin e karikaturës” ka edhe më rrëfime

Me të ngjitur shkallët në katin e dytë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, gjashtëmbëdhjetë kornizat e renditura njëra pas tjetrës japin përshtypjen se është një ekspozitë e zakonshme. Duket sikur është një vizualizim historik, aq më shumë kur vjen pikërisht në 78-vjetorin e themelimit të këtij institucioni, por mbi të gjitha në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Dhe pikërisht me ato vite, kur shteti shqiptar ishte në lindje, ishin realizuar edhe karikaturat që sot mund të lexohen në kute të ndryshme: ironizim i shqiptarëve dhe i Ballkanit në përgjithësi, por edhe shpotitje ndaj Evropës. Në tërësi, një referencë e syve të Perëndimit drejtuar Ballkanit, e veçmas shqiptarëve.

“Në karikaturat e mbledhura në këtë pjesë të ekspozitës mund të shihet se qëndrimet e Evropës Perëndimore dhe ato amerikane nuk respektonin pretendimet për sovranitetin shqiptar dhe kërkesat për formimin e një Shqipërie zyrtare”, shkruhet në njërën prej banerëve të ekspozitës, “Perceptimi për shqiptarët në artin e karikaturës” me veprat prej shtypit britanik e amerikan në shekujt XIX e XX. Rrëfimet e interpretimet mund të jenë më të shumta sesa numri i veprave të ekspozuara.

Image
“Perceptimi për shqiptarët në artin e karikaturës” me kurator Sean Pessin sjell vepra prej shtypit britanik e amerikan në shekujt XIX e XX

Njëra nga to është shumë aktuale edhe për sot: një grua mban një foshnjë në duar. Por ironia fuqizohet kur në kokën e gruas që është infermiere shkruhet “Europa”. Foshnja që mban në duar është duke qarë, teksa në trup ka veshje kombëtare e plis në kokë. Prapavija është në një tollovi totale, e cila pasqyrohet përmes vijave të çrregullta në veprën “Broken Lullaby” ose “Ninulla e thyer”. Mesazhi është i qartë: shqiptarët paraqiten si qenie që politikisht s’mund të veprojnë, ndërkaq që vajin e tyre ua ndal veç Evropa.

Në ekspozitën me kurator Sean Pessin përqeshja e atëhershme mediale ndaj ballkanasve konkretizohet edhe më shumë vepër pas vepre. Në një lexim tjetër, goditet Evropa indiferente. Një grua e shëndoshë dhe e madhe në gjatësi portretizohet si “mother Europe”. Prapa saj është harta e botës. Poshtë saj shihen duar të burrave që paraqiten si të vegjël, të cilët duken në një gjah territorial. “Mother Europe draws map of the Balkans” është vazhdimi i fjalisë që tregon ndarjen e tokave të Ballkanit nga superfuqitë botërore. “Është e gabuar!’, ‘Është e duhur’, ‘Më shumë nga e djathta’, ‘Më shumë nga e majta” janë thirrjet e shkruara të këtyre burrave. Ironia qëndron te pafuqia ballkanase dhe dorëzimi i fatit territorial tek Evropa.

“The ‘English’ party” është një tjetër karikaturë që shpreh tensionet e Ballkanit. Ana e majtë e veprës ka të shtrirë për toke gra, pleq e fëmijë të vdekur. Një plakë e vjetër qan përmbi trupit të viktimave. Ndërkaq sipër saj një grua ik nga një burrë me fytyrë të egër, i cili ka të veshur rroba të Perandorisë Osmane. Ana e djathtë është krejt në tjetër harmoni. Një grua kërkon përgjegjësi nga një burrë neglizhent, duke i thënë: “Nuk ke asgjë për të thënë?”. Rehatia në pozitën trupore e indiferenca në fytyrë dallohet në shikim të parë. E vulë është përgjigjja: “Mizori të mëdha pa dyshim, por jo të përshtatshme për qëllimet e festës sonë”.

Image

“Shumë karikatura u krijuan për të kritikuar tranzicionin e pushtetit, cilësinë e qeverisjes së tij dhe perceptimet e personazhit të tij nga një perspektivë e Evropës Perëndimore”, thuhet në mbishkrimin për periudhën e sundimit të Princ Wiedit.

“Shpesh ato shfaqin një Shqipëri të porsalindur, ose mund të paraqesin të gjitha vendet e Ballkanit si fëmijë ose fëmijërore, gjë që reflektonte qëndrimet orientaliste ndaj rajonit”, vazhdohet tutje.

Këto copëza të dhuruara nga Qendra për Studime Shqiptare në Londër janë një rrugëtim i gjykimeve, shpesh mendimeve të gabuara e pikëpamjeve të shteteve të fuqishme të Evropës e Amerikës së asaj kohe. Mirëpo nuk janë veç për shqiptarët, ato vërehen edhe ndaj grekëve, turqve e popujve të tjerë.

Vetë kuratori Sean Pessin ka thënë se kjo ekspozitë ka një temë të pazakonshme.

“Vjen nga një koleksion që kemi punuar shumë me materialet, të cilat janë selektuar. Është për mënyrën se si mediat e shtypit prezantojnë Ballkanin përgjithësisht, specifikisht politikat e atëhershme”, thotë ai.

Është hera e tretë që vjen në Kosovë dhe për ligjëruesin e Universitetit të Kalifornisë, duket sikur bashkëpunimi i herëpashershëm me institucionet vendore ka lënë shije të mirë tek ai.

“Ne jemi fokusuar te pjesa se si karikaturistët e Perëndimit në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XIX kanë pasur tendenca t’i shfaqin popujt ballkanas në një mënyrë fëmijërore, e cila s’është aspak respektuese”, ka thënë ai.

Ka theksuar se pavarësisht që janë 16 korniza, i kanë dhënë mundësinë që brenda një kornize shpesh të ekspozohen nga tri vepra.

“I kemi ekspozuar duke parë se si niveli i parodisë dhe komedisë brenda tyre po shërben për të portretizuar njerëz dhe situata të ndryshme”, ka thënë ai.

Përzgjedhjen thekson se e kanë bërë bashkë me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, teksa në arkivat e Qendrës për Studime Shqiptare kanë qenë karikaturat dhe hartat.

“Diçka është dashur të shfaqet nga to. Vendosëm që t’i ekspozojmë ato që janë në numër më të mëdha në këto arkiva. I zgjodhëm karikaturat e jo hartat”, ka thënë Pessin.

Ekspozita “Perceptimi për shqiptarët në artin e karikaturës”, përveç funksionit dokumentues, e tërheq publikun për t’i eksploruar pikëpamjet e ndryshme.

https://www.koha.net/shtojca-kulture/354458/spahiu-karikaturat-e-paraqesin-shtetin-shqiptar-ne-embrion-te-rrezikuar/