“Pasuritë ekonomike në afërsi të Prishtinës përfshijnë: 1) ujëvarat e përshtatshme të lumit të Llapit, 2) zbulimi i sasive të allçit të pastër; 3) të sasive të mëdha të deltinës ranore dhe deltinës së bardhë e të yndyrshme 4) me siguri një minierë e arit në rrethinat e Prishtinës; 5) kullota të pasura dhe të përshtatshme për ushqimin e bagëtive; 6) mermeri në Sofali; 7) Guri i zi, por padyshim edhe mineralet e hekurit në Slivovë. Shfrytëzimi i këtyre pasurive do të jetë i dobishëm edhe për vetë Prishtinën”, vlerësonte Ministria e Ekonomisë në Beograd, në ditët e para të okupimit serb të Prishtinës, më 1912. Por në fund të raportit në veçanti është potencuar se zanatlinjtë në Prishtinë nuk e dinë fare gjuhën serbe dhe mu për këtë detyra e parë e administratës së re është që në kryeqendrën e Kosovës të hapen shkolla të mbrëmjes për mësimin e gjuhës serbe!
Zhdukja e shkollës së qilimave persianë, pasuritë ekonomike të Prishtinës
Është viti 1912 dhe raporti i Ministrisë së Ekonomisë në Beograd paraqet detaje për Prishtinën e ditëve të para të okupimit në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1912 -1913. Raporti vazhdon:
“Nuk duhet harruar se në Prishtinë ka ekzistuar edhe shkolla e bërjes së qilimave persianë dhe ka zgjatur tre vjet, por nuk dihet se çfarë ka ndodhur me të. Për shkak të futjes së rrobaqepësisë së femrave dhe aftësimit të amviseve për të bërë kostume të reja, pasi edhe ashtu pritet modelimi i veshjeve të reja, është e nevojshme të mbështetet shkolla e grave e cila sapo është hapur. Pasuritë ekonomike në afërsi të Prishtinës përfshijnë: 1) ujëvarat e përshtatshme të lumit të Llapit, 2) zbulimi i sasive të allçit të pastër; 3) të sasive të mëdha të deltinës ranore dhe deltinës së bardhë e të yndyrshme 4) me siguri një minierë e arit në rrethinat e Prishtinës; 5) kullota të pasura dhe të përshtatshme për ushqimin e bagëtive; 6) mermeri në Sofali; 7) Guri i zi, por padyshim edhe mineralet e hekurit në Slivovë. Shfrytëzimi i këtyre pasurive do të jetë i dobishëm edhe për vetë Prishtinën. Prodhime shtëpiake ka vetëm në rrethinat e Prishtinës. Më interesante është qëndisja kosovare, të cilën e bëjnë gratë serbe nga Graçanica, Dobrotini, Lipjani, Laplla, Çagllavica, Ugljari dhe të gjitha fshatrat e banuara me serbë. Kjo qëndisje duhet studiuar dhe për këtë duhet gjetur treg, prandaj qëndisja duhet të përsoset dhe të shumëzohet.
Industri e rëndësishme shtëpiake ekziston në Janjevë, kur 50 shtëpi janë të angazhuara në prodhimin e unazave, kryqeve, kandilëve, vathëve prej mesingu, të llullave të mesingut për çezme dhe të gjitha këto bëhen me metodën e derdhjes. Përveç këtyre 50 shtëpive që punojnë, në Janjevë janë edhe pesë dyqane të këtij profesioni. Kjo industri shtëpiake ka arritur plotësisht në duart e tregtarëve, pasi të gjitha prodhimet që realizohen në shtëpitë janjevase, ata menjëherë ua shesin dy tregtarëve më të mëdhenj dhe dy më të vegjëlve, të cilët më pastaj ua rishesin këto prodhime tregtarëve tjerë dhe këto prodhime përfundojnë në panaire. Këta rishitës nëpër panaire, shkojnë edhe prej fshati në fshat dhe zakonisht i shkëmbejnë këto prodhime me sende të vjetra argjendi dhe ari dhe ua shesin tregtarëve të sipërpërmendur, më pas koleksionistëve të antikuarëve të ndryshme ose argjendarëve në Prizren, Prishtinë, Shkup etj. Por, janjevasit i shesin prodhimet e tyre edhe në Rumani, Bullgari, Serbi, Turqinë e dikurshme evropiane dhe rrallëherë në Greqi. Vetë argjendarët, qëndrojnë materialisht shumë keq, ndërsa rishitësit, të cilët shkojnë nëpër panaire, qëndrojnë më mirë sepse kanë tokë dhe bagëti. Argjendarët kanë filluar të largohen drejt Amerikës për shkak të eksploatimit, por dy tregtarët e mëdhenj dhe të njohur këtu kanë filluar t´i gjobisin ata që duan të largohen, dhe ua kanë rritur interesin, kështu që në 20 napolona para (me siguri të huazuara – S. L,) ata duhet të paguajnë edhe 20 sosh interes në vit. Kjo degë e prodhimtarisë e meriton të studiohet në mënyrë të detajuar, dhe kjo duhet të bëhet edhe në interes të argjendarëve. Prandaj, me qëllim të ruajtjes, rritjes dhe përsosjes së kësaj mënyre të punës duhet që: 1) këta zanatlinj të ndihmohen me para që sa më parë të lirohen prej shfrytëzimit të tregtarëve; 2) duhet të ndihmohen me sasi ari më të mirë që ata do të mund të bënin punime më moderne dhe 3) të rinjtë janjevas duhet sa më parë të dërgohen në shkolla profesionale, apo në Janjevë të sillen mjeshtër prej së jashtmi me qëllim të aftësimit të të rinjve për modelimin e prodhimeve moderne. Padyshim se kjo do të ishte edhe në interes të vetë qytetit të Janjevës”.
Mulliri i Shaban Pashës, Ibrahim Efendiut dhe Haxhi Ramadanit në Prishtinë
“Sa i përket industrisë, në Prishtinë janë dy mullinj, njëri i përhershëm për të cilin do të flasim më poshtë dhe tjetri i përkohshëm. I përkohshmi shërben për të përdorur lokomotivën me qëllim të futjes në lëvizje të shirëses, gjatë stinës së verës. Mulliri i përhershëm është në pronësi të Shaban Pashës, Ibrahim Efendiut dhe Haxhi Ramadanit. Ai ekziston, tashmë 27 vjet. Mulliri e ka një motor gjenerator me gaz të fuqisë 100 kuaj, krahas seksionit për pastrimin dhe ndarjes së miellit, ai i ka edhe pesë tëhollues dhe një guri. Në kuadër të mullirit është edhe punëtoria e vogël për riparimin e prishjeve eventuale. Në mulli janë të punësuar 25 punëtorë vendorë, ndërsa në 24 orë mulliri mund të prodhojë 5000-6000 okë miell… Gjatë kohës së Turqisë ky mulli ka bluar ekskluzivisht për ushtrinë duke nisur nga vetë Prishtina e deri në Kretë. Tani mulliri bluan për nevojat e Prishtinës, Mitrovicës dhe Shkupit. Fillimisht ai ishte projektuar për të punuar me antracit, ndërsa kur ne e vizituam pasi antraciti nuk mund të sigurohej, mulliri punonte me qymyr druri me çmim 12 dinarë për 100 okë, që ishte dëm i madh për të. Në të ardhmen pritet të ndërtohet lidhja hekurudhore e Prishtinës me qendrat tjera, ndërsa linja ndërmjet Prishtinës dhe Kurshumlisë do të jetë e dobishme për Prishtinën, por rëndësi të madhe ka edhe zgjidhja e çështjes agrare dhe kolonizimi i Fushë-Kosovës”, përfundon raporti i Ministrisë së Ekonomisë për gjendje e zanateve, në vitin 1912 në Prishtinë dhe “perspektivës” që e presin këtë qytet, por në fund të raportit në veçanti është potencuar se zanatlinjtë në Prishtinë nuk e dinë fare gjuhën serbe dhe mu për këtë detyra e parë e administratës së re është që në kryeqendrën e Kosovës të hapen shkolla të mbrëmjes për mësimin e gjuhës serbe!
Prishtina nën okupimin e radhës
Pas tre vjetëve të okupimit serb dhe të luftës për mbijetesë të Prishtinës, të martën e 10 tetorit të vitit 1915, në orët e paditës rrugëve të qytetit marshuan ushtarët bullgarë. Ushtari i fundit serb tashmë ishte larguar nga Prishtina në mesditë. Pas ushtrisë bullgare në Prishtinë hyri ushtria gjermane që arriti nga drejtimi i Kurshumlisë. Thuajse në të njëjtën kohë edhe austriakët ia mbërritën nga ana e Mitrovicës. Bullgarët u ngutën ta marrin selinë e divizionit por gjermanët nuk i lejuan dhe ua ndanë atyre një pjesë të ndërtesës së komunës.
“Duke i vënë pas forcave të ushtrisë serbe, ne kaluam në njërën nga grykat që ndodhej në jug të Prishtinës dhe u vendosëm në Fushë-Kosovë. Gjëma e topave dëgjohej në veriperëndim në drejtim të Novi Pazarit dhe dihej se forcat austro-hungareze po ashtu ishin vënë në ndjekje të forcave serbe, që iknin drejt Adriatikut”, ka shkruar në kujtimet e tij Vërban Angellov që ruhen në Arkivin e Sofjes.
Kështu në vjeshtën e vitit 1915, arbitrimi i vendosjes së vijës së demarkacionit midis zonave të okupuara u la në duart e Gjermanisë. Serbia veriore dhe verilindore (përgjatë bregut të djathtë të lumit Morava e Madhe deri në bashkimin me Danubin), rajoni i Toplicës (Prokupla, Kurshumlia, pjesa e rajonit të Krushevcit), Maqedonia dhe një pjesë e Kosovës (Prizreni dhe Prishtina) u lanë në zonën okupuese të Bullgarisë, ndërsa mbi pjesën tjetër u vendos administrata e Austro-Hungarisë. Në zonën e saj të pushtimit, Austro-Hungaria organizoi një Guvernator të Përgjithshëm Ushtarak, të ndarë në 13 njësi administrative, që mbulonte rrethet serbe që funksiononin më parë. Administrata drejtohet nga Guvernatori i Përgjithshëm, një gjeneral austriak, dhe ndihmësi i tij që ishte një komisioner civil me përkatësi hungareze. Edhe pse pushteti në rrethe ngeli në duart e komandantëve përkatës të rretheve, megjithatë ai ishte në varësi të Guvernatorit të Përgjithshëm të Beogradit.
Ndërsa në zonën okupuese bullgare, Mbretëria e Bullgarisë krijoi dy rrethe (krahina) të inspektimit ushtarak – Rrethin e Moravës dhe të Maqedonisë. Prishtina dhe rrethina e saj u vendosën nën administratën e inspektimit ushtarak të Rrethit të Maqedonisë me seli në Shkup.
Megjithatë aparatura e administrimit në zonat okupuese dallonte në mënyrë esenciale. Derisa njësitë ushtarake austro-hungareze pushtuan pjesën veriore të Kosovës dhe hapën shkolla edhe në gjuhën shqipe, popullsia shqiptare e zonave që u gjetën nën okupimin bullgar pësoi keq për shkak të brutalitetit të aparatit ushtarak dhe policor bullgar, ndërsa në Kosovë lidhur me gjenden e rëndë deri vonë është folur për krizën e bukës gjatë okupimit të “Bullgarit të parë”. Edhe pse te prishtinasit shpresat rreth përmirësimit të gjendjes së rëndë u rritën kur u arrit marrëveshja e veçantë midis Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë më 17-18 maj 1917, ku u vendos që Prizreni dhe Prishtina t'i jepeshin Shqipërisë, megjithatë gjithçka shkoi huq pasi Bullgaria refuzoi të tërhiqej prej këtyre zonave”.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë