Shtojca për Kulturë

“Pa Vend” s’e merr “Palmën e Artë”, por lë në Cannes emrin e Kosovës

“Cérémonie du palmarès”, siç quhet në idiolektin e Festivalit emërmadh të Cannes, ka sjellë të shtunën mbrëma jo vetëm parakalimin e ekipit të filmit “Pa Vend”, por edhe afirmimin e Kosovës dhe kinemasë së saj. Ndonëse filmi nën regjinë e Samir Karahodës është kthyer pa “Palmën e Artë”, në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër, prania e tij në Cannes është cilësuar nga kineastë ndërkombëtarë si ogur paralajmërues për një “valë të re filmbërësish e profesionistësh” nga Kosova. Kurse regjisori nga Prizreni, Samir Karahoda, paraqitjen në Cannes e ka kondensuar në thirrje për kineastët e rinj shqiptarë. “Shpresoj që filmi do të jetë motivim e frymëzim për brezat e ardhshëm që vetëm me punë e disiplinë mund të arrijmë gjithkund e të garojmë me çdo vend të botës”, ka thënë ai në një prononcim për KOHËN pak minuta pas përfundimit të ceremonisë përmbyllëse të festivalit të njohur

Me gjithë shpresat dhe pritjet e ethshme në Kosovë që filmi 15-minutësh “Pa Vend”, nën regjinë e Samir Karahodës, të rrëmbente çmimin “Palme d’Or”, juria 6-anëtarëshe në Festivalin Ndërkombëtar të Cannes ka pasur verdikt tjetërfare. Sipas tyre, filmi 14-minutësh i regjisores Tang Yi “Tian Xia Wu Ya” (Të gjithë korbat në botë) është fitues i çmimit në garën e kategorisë së filmave të metrazhit të shkurtër.

Image

Fituesit e edicionit të 74-t të Festivalit të Filmit në Cannes (Foto: festival-cannes.com)

Në mbrëmjen shkëlqimplotë në “Grand Théâtre Lumière”, filmi nga Hong Kongu të shtunën mbrëma është shpallur fitues në dhjetëshen e projekteve kineaste nga Kosova, Maqedonia, Danimarka, Franca, Portugalia, Brazili, Irani e Kina.

Ky film përvijon rrëfimin e studentes 18-vjeçare, Shengnan (të interpretuar nga Chen Xuanyu) që ftohet nga kushëriri i saj në një aheng misterioz. Për befasinë e saj, ngjarja zbavitëse është përplot me mesoburra. Por, njëri prej tyre dallon nga të tjerët: Jianguo (i interpretuar nga Xue Baohe). Teksa mbrëmja përpin minutat e orët, midis tyre ngjizet një lidhje e pamundur.

Yi: “Shpresoj të mos jetë ky kulmi”

Në fjalën e saj, regjisorja Yi ka bërë me dije se ky film i metrazhit të shkurtër, i dyti me radhë, është bërë me buxhet të kufizuar e nuk ka pasur ambicie.

“Shpresoj që ky çmim të mos jetë kulmi i karrierës sime si filmbërëse. Shpresoj që të kthehem sërish këtu”, ka thënë ajo.

Sipas informacioneve të afishuara në internet, Tang Yi, para se t’i hynte botës së filmit, ishte këngëtare dhe tekstshkruese. Me t’u vendosur në New York, ajo i është qepur karrierës si filmbërëse në programin e filmit në New York University.

Image

Tang Yi me filmin e saj “Tian Xia Wu Ya”, ka marrë “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër, ku garoi edhe “Pa Vend” i Kosovës

Në projektet e gjertanishme, Yi përqendrohet në rrëfime të pathëna e zëra të padëgjuar nga këndvështrimi i gruas. Filmi i saj i parë i metrazhit të shkurtër, “Black Goat”, i xhiruar në Nepal, është përfshirë në kategorinë e filmave të këtij formati për “Oscar Award” të këtij viti. Ajo, po ashtu, është përfshirë në listën e “25 skenaristëve për vitin 2020” nga Austin Film Festival.

Filmin e saj të fundit, që të shtunën i solli sukses në Cannes, Yi e kishte përshkruar si të frymëzuar nga përvojat e saj si tinejxhere.

“Shpesh më është kërkuar të këndoj e vallëzoj para secilit nëpër ahengje. Unë isha goxha e mësuar me këtë dhe kurrë nuk jam ndier jorehat me këtë”, ka thënë ajo.

Megjithatë, në një mbrëmje, ajo ishte shtrënguar të pinte me secilin “xhaxha” në tryezë dhe gjërat ishin tatëpjetur kur asaj i ishte kërkuar të shkonte në karaoke, vetëm që të merrej në shtëpi publike.

Ndërkaq, filmit të Jasmin Tenuccit “Céu de Agosto” (bashkëprodhim mes Brazilit dhe Islandës), që ishte pjesë e po kësaj gare, i është akorduar çmimi “Përmendje speciale nga juria”.

Një garë e fortë

Njësoj si Kosova, edhe Maqedonia e Veriut sivjet ia ka bërë sefte me filmin e saj debutues në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër. Nën regjinë e Marija Apcevkas, filmi “Severen Pol” (Poli i veriut), si bashkëprodhim maqedono-serb, sjell rrëfimin e Margos, një vajzë 16-vjeçe, që ndihet e përhumbur mes moshatarëve të saj, porse beson që ajo do t’ia dalë më mirë nëse e humbet virgjërinë.

Ndërkohë, në garë kanë qenë edhe filmat: “Det er i Jorden” nën regjinë e Casper Kjeldsen (Danimarkë), “Orthodontics” nën regjinë e Mohammadreza Mayghani (Iran); “The Right Words” nën regjinë e Adrian Moyse Dullin (Francë); “Noite turva” nën regjinë e Diogo Salgado (Portugali); “Sideral” nën regjinë e Carlos Segundo (Brazil/Francë) dhe “Xue yun” nën regjinë e Wang Lu (Kinë).

Që të gjithë këta filma kanë hyrë në filtrat e vlerësimit të jurisë gjashtë-anëtarëshe të përbërë nga Kaouther Ben Hania, regjisore dhe shkrimtare (Tunizi); Tuva Novotny, regjisore, shkrimtare dhe aktore (Suedi); Alice Winocour, regjisore e shkrimtare (Francë); Sameh Alaa, regjisor, producent e shkrimtar (Egjipt); Carlos Muguiro, regjisor (Spanjë) si dhe Nicolas Pariser, regjisor e skenarist (Francë).

Një nisje e mbarë

Në fakt, filmi 15-minutësh që përfaqësoi Kosovën, “Pa Vend”, e nisi mjaft mbarë ditën. Organizatorët e eventit të njohur të filmit në Cannes, në faqen zyrtare të festivalit, afishuan një intervistë me regjisorin 44-vjeçar nga Prizreni, Samir Karahoda.

Image

Samir Karahoda (i treti nga e djathta) në mesin e regjisorëve konkurrentë për “Palmën e Artë”

“Isha i tronditur kur pranova nga Franca një telefonatë. Nuk është se më pëlqen të jem në TV, por ishte vërtet një lajm i madh për të gjithë ne, për vendin tonë, sepse të paktën po mundohem ta bëj këtë për gjeneratën e ardhshme”, thotë ai në videon 2-minutëshe që e përmblodhi dhjetëshen e garës në kategorinë e filmave të shkurtër.

Karahoda: “Motiv e frymëzim për kineastët e rinj”

Megjithatë, pak kohë pas përfundimit të ceremonisë glamuroze në “Grand Théâtre Lumière”, ekipi i filmit “Pa Vend” nuk dukej i ligështuar e as i dëshpëruar. Në një prononcim për KOHËN, regjisori Karahoda e ka përshkruar si të veçantë natën përmbyllëse të Festivalit me praninë e yjeve e mjeshtërve të mëdhenj të kinematografisë botërore.

““Ka qenë një ngjarje historike, veçmas për kinematografinë e Kosovës, duke e promovuar në mënyrë të jashtëzakonshme vendin tonë”, ka thënë për KOHËN, regjisori i filmit “Pa Vend”, Samir Karahoda

“Prej fillimit e deri në fund, ka pasur një trajtim tepër të mirë nga ana e Festivalit”, ka thënë Karahoda.

E duke folur për filmin fitues të përzgjedhur nga juria, Karahoda ka thënë se ai nuk ishte në mesin e atyre që e kishte preferuar kur ishin shfaqur të premten. Sipas tij, të gjithë pretendentët për “Palmën e Artë” kanë qenë të mirë e me vlera, porse nga bisedat me kolegë regjisorë “Pa Vend” dhe një film nga Brazili ishin llogaritur me gjasat më të mira.

“Sidoqoftë, ky është vendimi i jurisë, shijet janë të ndryshme dhe gjithçka varet nga komunikimi mes anëtarëve të jurisë”, ka thënë Karahoda, i cili nuk ka ngurruar të urojë fituesen e kategorisë.

Dhe ashtu siç e kishte theksuar edhe në intervistën e dhënë për Festivalin, ai u ka bërë thirrje të gjithë kineastëve të rinj në Kosovë që të mos heqin dorë nga ëndrra e tyre.

“Pavarësisht se ku jetojnë ata, puna e madhe dhe përkushtimi një ditë do të vlerësohet. Këtë e dëshmoi edhe filmi ynë, e shpresoj që ky të jetë motivim e frymëzim për brezat e ardhshëm që vetëm me punë e disiplinë mund të arrijmë gjithkund e të garojmë me çdo vend të botës”, ka thënë Karahoda.

Bilibani: “Fokusi ynë tash – strategjia e distribuimit”

Me të njëjtat tone është shprehur edhe producenti i filmit, Eroll Bilibani, për të cilin mosmarrja e çmimit nuk e ka zbehur suksesin e filmit që u përfshi në dhjetëshen e përzgjedhur nga festivali i njohur.

“E di që e kemi përfaqësuar vendin me dinjitet dhe jemi shumë krenar që sukseset e kinematografisë së Kosovës po vazhdojnë”, ka thënë për KOHËN, producenti Eroll Bilibani

Për të, sfida e radhës për filmin është shestimi i një strategjie për distribuimin e tij dhe përfaqësimin e tij në festivale të ndryshme prestigjioze.

“Tani fokusi ynë duhet të jetë në premierat ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe në festivalet e kategorisë A në të cilat jemi ftuar”, ka shtuar Bilibani.

Zharku: “Lajme të mira së shpejti”

Edhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, e ka quajtur sukses për vendin që dy filma kosovarë “Pa Vend” dhe “Luaneshat e kodrës” ishin pjesë e Festivalit të mirënjohur.

“Kjo është edhe arritja më e madhe jona”, ka thënë Zharku teksa natën e së shtunës e ka cilësuar si madhështore. “Këto momente do të ngelin në historinë e suksesit kinematografik të vendit tonë. Ftesat për këta dy filma janë të shumta dhe së shpejti do t’i ndajmë me të gjithë këto lajme shumë të mira”.

Me një adresim të shkurtër mbrëmjen e së shtunës, edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka cilësuar si historike paraqitjen e Kosovës në festivalin e njohur. Në një afishim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ai e ka vlerësuar pjesëmarrjen e filmit të Karahodës si dhe atij të Luana Bajramit “Luaneshat e kodrës”.

“Sonte përfundoi edicioni i 74-t i Festivalit të Kanës. Nuk e fituam as ‘Palmën e artë’ as ‘Kamerën e artë’, por jemi krenarë dhe të lumtur me shembullin e dhënë. Artistët tanë të filmit po e mbajnë Kosovën në majën e konkurrencës botërore”, ka shkruar Çeku. “Për t'i vazhduar sukseset botërore, duhet vëmendje shtesë filmit. Përkushtimin tonë institucional dhe rritjen e përkrahjes ndaj filmit e konfirmoi edhe kryeministri Kurti nga Kana”.

Produksion i shtëpisë filmike “SK Pictures”, filmi “Pa Vend”, që kishte si titull pune “Table Stories”, është përkrahur me 15 mijë euro nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe ajo e Prizrenit, “DokuFest” si dhe disa kompani të tjera vendore.

I titulluar “Déplacé” në gjuhën e vendit nikoqir dhe “Displaced” në anglisht, filmi që ia kishte dalë të përzgjidhej në mesin e 3500 aplikimeve nga mbarë bota, sipas sinopsisit të afishuar në faqen e festivalit prestigjioz paraqet dramën që zë vend në Kosovën e pasluftës, “ku të shtyrë nga ambicia për të mbajtur gjallë sportin e tyre të zemrës, dy lojtarë lokalë enden nga një vend në tjetrin duke mbartur me vete të vetmen pasuri të klubit: tavolinat e tyre”.

Në të vërtetë, filmi “docu-fiction” ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh.

“Titane” bën histori

Filmi “Titane”, nën regjinë e regjisores franceze Julia Ducournau, është kurorëzuar me çmimin “Palme d’Or”. Ky film – që pjesë të kastit ka aktorë si Vincent Lindon, Agathe Rousselle, Garance Marillier e Laïs Salameh – nga kritika është përshkruar si “një koktel i shkalluar i tërbimit, teprisë, ashpërsisë konceptuale dhe çmendurisë së plotë” e nga dikush tjetër edhe si “filmi më tronditës i vitit”. Filmi sillet rreth personazhes Alexia (e interpretuar nga Agathe Rouselle), një grua që e kaloi jetën me një pjatë titanium në kokë pasi një aksidenti në fëmijëri. Kjo fatkeqësi kishte bërë që ajo të kthehej në vrasëse serike si dhe i kishte dhënë një fascionim seksual pas metalit.

Image

Regjisorja Julia Ducournau, është fituesja kryesore e “Palmës së Artë” për filmin e saj “Titane”

Fitores së filmit nuk i ka munguar një gafë që është pikasur sakaq nga shumica e mediave. Kumti është dhënë gabimisht nga kryetari i jurisë Spike Lee që në fillim të ceremonisë së transmetuar në Canal+, duke nxitur jo pak çaste pështjellimi.

“Më falni që po e tund kokën time”, ka thënë regjisorja Decournau me zërin që i ndërpritej herë pas here. “A është kjo prej së vërteti? Nuk e di as pse po flas anglisht tani për shkak se jam franceze. Kjo mbrëmje ka qenë kaq e përsosur, për shkak se nuk ishte e përsosur”.

“The Grand Prix”, që përfaqëson çmimin e dytë më të rëndësishëm të festivalit, është ndarë bashkërisht për filmin e Asghar Farhadit “A Hero” dhe atë të Juho Kusomanenit “Compartment No. 6”. Edhe çmimi tjetër, ai i Jurisë, është ndarë për filmin “Memoria” të regjisorit tajlandez Apichatpong Weerasethakul dhe “Ahed's Knee” të Nadev Lapidit. Çmimi për regjisorin më të mirë i ka takuar Leos Caraxit për mjuzikëllin e tij “Annette”; aktori më i mirë për Caleb Landry Jones në filmin “Nitram”, kurse ai për aktoren më të mirë ka shkuar për Renate Reinsve në filmin “The Worst Person in the World”. Çmimeve të natës përmbyllëse u është vënë kapaku me “Camera d’Or” që ka shkuar për filmin “Murina” të regjisores kroate, Antoneta Alamat Kusijanoviq.

Ndryshe, për qytetin e bukur në rivierën jugore të Francës, edicioni i 74-t me radhë sjell tepihun e kuq, glamurin, si dhe ambicien kineaste. Në ditën e hapjes më 6 korrik, mbi tapetin e kuq në “Croisette” kanë parakaluar yje nga e gjithë bota si: Carla Bruni, Jodie Foster, Marion Cotillard, Adam Driver, Bella Hadid dhe Helen Mirren.

Për 12 ditë radhazi, ai ka sjellë premiera në tepihun e kuq si dhe testime të rregullta për COVID-19 për shumë nga pjesëmarrësit në atë që u cilësia si i pari festival madhor që u mbajt pothuajse në formatin e vet të zakonshëm nga fillimi i pandemisë e deri më sot. Me turma më të pakta në numër dhe me maska të detyrueshme nëpër teatro, edicioni i sivjetmë është vlerësuar si një rikthim i kinemasë.

Në kuadër të Festivalit prestigjioz, vëmendje ka marrë edhe Luana Bajrami me “Luaneshat e kodrës”. 20-vjeçarja është bërë regjisorja më e re që në një hark gjysmëshekullor të historisë së “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes, shfaqi filmin e saj. “Luaneshat...” pati premierën të enjten e javës së kaluar.

Tema e filmit ka të bëjë me ëndrrat, rebelimin e ngulmimin në arritje të qëllimit. Mbi të gjitha, me energjinë rinore. Por, paralelisht, ekipi i filmit e dëshmon një gjë të tillë edhe në jetën reale, e këtë energji e ka çuar edhe në ngjarjen e madhe ku pos regjisores të pranishëm ishin edhe aktorët Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj e Andi Bajgora

Ndërkohë, historia e aktorëve dhe regjisorëve shqiptarë në këtë festival të njohur shtrin rrënjët shumë vjet më parë.

Ishte viti 1954 kur filmi shqiptaro-sovjetik “Luftëtari i madh i Shqipërisë Skënderbeu”, nën regjinë e Sergei Yutkeviçit, u përfshi në ngjarjen e madhe të filmit në Cannes. Aty fitoi Çmimin Ndërkombëtar, ashtu sikurse regjisori fitoi edhe “Përmendje të veçantë”.

13 vjet më vonë, më 1967, në këtë festival filmi “Mbledhësi i puplave”, ku interpretoi Bekim Fehmiu, triumfoi duke fituar Çmimin e Madh të Jurisë dhe Çmimin FIPRESCI. Në Cannes ishte aktorja Arta Dobroshi, e cila shkëlqeu me personazhin e Lornës në filmin “Heshtja e Lornës” në vitin 2008, rol për të cilin ishte nominuar në këtë festival. Kësisoj, ajo u bë aktorja e parë nga Kosova që eci nëpër qilimin e kuq të këtij festivali. E në vitin 2019 ishte filmi i shkurtër “The Van” (Furgoni) i regjisorit Erenik Beqiri, me aktorët nga Kosova Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, i cili u shfaq premierë botërore në edicionin e 72-të të Festivalit të Cannes. Ai shënoi edhe një rekord për kinematografinë shqiptare, pasi u bë filmi i parë shqiptar që konkurroi për çmimin prestigjioz “Palma e Artë”.

Edhe kryeministri Kurti në tepihun e kuq

Image

Përveç ekipit të filmit “Pa Vend”, të pranishëm në “Cérémonie du palmarès” ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Rita Augestad Knudsen dhe e bija – si dhe ambasadori në Paris, Qëndrim Gashi. Ai aty ka mbërritur të premten pas vizitës që kishte realizuar në Greqi. Por pos premierës, të shtunën mbrëma ka parakaluar edhe në tepihun e kuq. Përderisa atje ka kaluar pavërejtshëm, në Kosovë ka nxitur valë komentesh.

Ndër to, edhe kritika. Aktori Sunaj Raça ka qenë ndër të parët. Ka thënë se nuk është problem te vizita e kryeministrit në Cannes, e as te fustani i vajzës së tij, për çka ishin ngritur akuza një natë më parë. “Problemi është që kryeministri shoqërohet në tepihun e kuq nga drejtori i QKK-së për të cilin janë hapur masat disiplinore në MKRS për keqpërdorim të fondeve publike dhe dëm financiar prej 1.2 milion eurosh, shkelje të rënda këto”, ka shkruar Raça në një postim në llogarinë e tij në “Facebook”. Në vazhdim, ai ka thënë se Zharku me sa duket ka “dosta të fortë” në Vetëvendosje, “të cilët duan ta mbulojnë këtë krim me shoqërim në tapet të kuq”. “Se a do të ndodhë amnistimi i drejtorit apo jo do ta shohim. Ta shohim a jemi ne ‘Krejt dhe Drejt’ apo ka edhe ndonjë kthesë dikah tjetër për dosta”, ka përfunduar Raça. Të shtunën vonë, KOHA pas postimit të Raçës i ka adresuar pyetje edhe Zharkut, por s’ka marrë përgjigje.