Shtojca për Kulturë

“Oscars 2022” midis favoritëve e befasive

“The Power of the Dog” është favorit për disa çmime – por me siguri se do të ketë befasi. Kritikët e filmit, Nicholas Barber dhe Caryn James, kanë dhënë për BBC-në parashikimet për kategoritë e mëdha

Filmi më i mirë

CJ: “The Power of the Dog”, westerni i regjisores Jane Campion që në të vërtetë s’është një western, është kryevepër – e realizuar bukur, e luajtur mrekullueshëm dhe e menduar pafundësisht për pasojat e dëmshme të pritjeve sociale dhe seksuale. Filmi është më i miri i vitit padyshim. Por... “Coda” mbush shumë zbrazëtira që votuesit e “Oscarit” zakonisht i preferojnë, me historinë e tij të vogël, aktorët e shurdhër që shkruajnë historinë dhe frenimi emocional i Campionit. Fitorja e para dy vjetëve e “Parasite” është shenjë e mirë për filmat artistikë, prandaj mendoj se “The Power of the Dog” do t’ia dalë.

NB: Melodrama gotike e Jane Campionit, “The Power of the Dog” ka qenë më favoritja për çmimin kryesor. Disa nominime të tjera kanë shansin, por – “Coda” është duke ngritur thembrat – asnjëri nga ta s’ka thellësinë, intrigën, ose fuqinë. “The Power of the Dog” duhet të fitojë.

Aktori më i mirë

NB: Do të jetë hera e tretë me fat për Will Smithin. Ai ka qenë i nominuar për çmimin e aktorit më të mirë dy herë më parë, por interpretimi i tij si babai i Serenas dhe Venus Williamsit në “King Richard” ka ekuilibër të përkryer miqësor ndaj “Oscarit” dhe karizmës së yllit të filmit. Megjithatë Benedict Cumberbatch duhet të fitojë. Karakteri i tij i një kauboji të hidhëruar dhe konfliktuoz në “The Power of the Dog” është kompleks, tërheqës dhe milje larg shkencëtarëve të lodhur që i luan zakonisht.

CJ: Will Smith ka fituar çdo çmim të madh në këtë kategori që çon në “Oscar” dhe ka gjasa të fitojë. Më në fund, zgjedhja popullore është mjaft e mirë. “King Richard” nuk është më shumë se i guximshëm dhe tradicional, por si babai i vendosur i Serenas dhe Venusit, Smithi e bën filmin funksional.

Aktorja më e mirë

CJ: Jessica Chastain mund ta kishte shkruar në ballë “Oscar bait (Film veç për Oscar)” me buzëkuq për rolin në “Eyes of Tammy Faye”. Por strategjia e aktrimit me make-up ka kryer punë mjaftueshëm për t’ia siguruar një çmim në “Screen Actors Guild” dhe me gjasë edhe në “Oscar”. Do të ishte mrekulli që Olivia Colman të fitonte për paraqitjen e saj të sinqertë dhe delikate në rolin e një nëne konfliktuoze në “The Lost Daughter”, por triumfi për të sivjet është vetëm një mendim magjik.

NB: Tre nga pesë të nominuarit janë imitues të personazheve të famshëm dhe kjo gjithmonë shkon në përputhje me votuesit e Akademisë. Kristen Stewart luan rolin e Princeshës Diana në “Spencer”, Nicole Kidman luan Lucille Ballin në “Being the Ricardos” dhe Jessica Chastain luan rolin e Tammy Faye Bakker në “The Eyes of Tammy Faye”. Mendoj se Chastain, pasi ka fituar çmimin “Screen Actors Guild”, ka gjasa ta fitojë “Oscarin”. Por mjafton një nga shikimet e frikshme të Olivia Colmanit për të treguar se ajo duhet të fitojë çmimin e dytë “Oscar” për rolin në “The Lost Daughter”.

Aktori më i mirë në rol dytësor

NB: Troy Kotsur deri tash ka fituar një “Bafta”, një çmim “SAG” dhe një “Critics’ Choice” për rolin e peshkatarit të shurdhër që pi duhan në “Coda” – dhe ka mbajtur fjalim simpatik në gjuhën amerikane të shenjave çdo herë. Si mund t’i rezistojë Akademia? Sidoqoftë, personalisht do ta zgjidhja Kodi Smit-McPhee për “The Power of the Dog”. Ai është aq i çuditshëm sa Benedict Cumberbatch në të njëjtin film.

CJ: Do të ishte tronditëse sikur Troy Kotsur nuk ndjek triumfet e tij në “SAG” dhe “Bafta” me një fitore në “Oscars” për performancën qesharake e prekëse si babai në “Coda”. Dhe ai do të bënte histori si aktori i parë i shurdhër që do të fitonte “Oscarin”, që është fakt tërheqës për votuesit e Akademisë. Sado i mirë që është Kotsur, megjithatë Kodi Smit-McPhee meriton të fitojë për performancën e tij në “The Power of The Dog” si një i ri që ka shumë sekrete për të mbajtur.

Aktorja më e mirë në rol dytësor

CJ: S’ka dyshime këtu. Ariana DeBose ka fituar çdo çmim kryesor rrugës me rolin e saj të këndimit, vallëzimit e aktrimit në “West Side Story”. Ajo është e mrekullueshme, një dinamit në ekran. Në këtë kategori me mundësi shumë të mëdha, çmimi duhet t’i shkojë Kirsten Dunst për performancën e saj tejet reale të gruas së pakënaqur dhe të pasigurt në “The Power of the Dog”, por rolet e qeta si të saj rrallëherë fitojnë çmimin.

NB: Ariana DeBose është e zjarrtë, qesharake dhe e cenueshme në “West Side Story” – dhe kjo ngjan para se ajo të këndojë e vallëzojë – ashtu që ajo e ka merituar çmimin që me siguri se do ta fitojë. Pjesa e mrekullueshme është se Rita Moreno kishte fituar një “Oscar” për rolin e njëjtë në “West Side Storyn” origjinal të para 60 vjetëve.

Regjisori më i mirë

NB: Jane Campion ishte në listën e ngushtë të garës për regjisorin më të mirë për “The Piano” më 1994. Sivjet ajo duhet dhe do ta fitojë “Oscarin” për “The Power of the Dog”. Cilido film që është nominuar në 12 kategori të ndryshme (dhe unë s’e kam bezdi edhe nëse i fiton të gjitha) duhet të ketë dikë të jashtëzakonshëm në krye.

CJ: Jane Campion humbi nga Steven Spielberg në këtë kategori 28 vjet më parë, kur ajo ishte nominuar për “The Piano” dhe ai për “Schindler’s List”. Sivjet është viti i saj, dhe regjisori më i mirë është fitorja më e sigurt për “The Power of the Dog”, një vepër e lavdishme arti, nga skenari që shkroi Campion deri tek aktrimi dhe ritmi që ajo udhëhoqi, te pamjet e hollësishme vizuale. Kundër konkurrencës së fortë, përfshirë Spielbergun për “West Side Storyn”, Campion është regjisorja më e mirë e vitit dhe me këtë u pajtuan votuesit në “Bafta”, “Director’s Guild” dhe me gjasë edhe ata të “Oscars”.

Kolona më e mirë zanore origjinale

CJ: Kjo garë është përballje mes Hans Zimmerit, që tashmë ka fituar “Baftan” për kolonën e frikshme, elektronike në “Dune” dhe Jonny Greenwoodit për “The Power of the Dog”. Votuesit në “Oscars” qartë e pëlqejnë Zimmerin. Ky është nominimi i tij i 12-të, por ka fituar vetëm një herë për “The Lion King” më 1994, andaj ndoshta anojnë. Megjithatë, çmimi duhet të shkojë për Greenwoodin. Kolona e tij e sofistikuar, ogurzezë por pa qenë e rëndë, duke tundur traditat perëndimore derisa krijon diçka të freskët, është përshtatje e përsosur për vizionin e Campionit.

NB: Hans Zimmer mund ta fitojë për kolonën e tij të zhurmshme në “Dune”, por fakti që Jonny Greenwood s’ka edhe një “Oscar”, po kthehet në turp. Muzika për “The Power of the Dog” është shumë e frikshme – dhe ai ka gjetur kohë për të shkruar edhe kolonën zanore për “Spencer” dhe “Licorice Pizza”.

Skenari më i mirë i përshtatur

NB: Përsëri, “The Power of the Dog” duhet të fitojë. Asnjë tjetër s’ka lojëra kaq të sofistikuara me perspektivë dhe pritshmëri. Është ende i preferuari, por “Drive My Car” po i afrohet...

CJ: Do të ishte mrekulli nëse përshtatja e shkëlqyer e Maggie Gyllenhaal në “The Lost Daughterin” e Elena Ferrantes do të mund ta ndante “Oscarin” me skenarin inteligjent të Jane Campion për “The Power of the Dog”. Meqenëse një barazim s’ka gjasa të ndodhë, mendoj se çmimi do t’i shkojë filmit me profilin më të lartë dhe Campioni do të marrë tjetër çmim.

Skenari më i mirë origjinal

CJ: “The Worst Person in the World” duhet të fitojë për kokëfortësinë, por autenticitetin dhe prekjen e krizës së identitetit të gruas dhe romancat. Por nominimi ishte një surprizë në vete për këtë perlë të gjuhës në norvegjisht. Fituesi i mundshëm është “Licorice Pizza” i Paul Thomas Andersonit, film i ri i vendosur në Los Angeles, vend afër zemrës së shumë votuesve.

NB: “Belfasti” gjysmautobiografik i Kenneth Branaghit ka avantazh, megjithëse “Licorice Pizza” e Paul Thomas Andersonit fitoi çmimin në “Baftas”. Të jem i sinqertë, do të doja të fitonte “Don’t Look Up”, sado me të meta, sepse kushdo që shkruan një satirë apokaliptike për krizë klimatike, meriton një çmim.

Filmi më i mirë i animuar

NB: Do të jetë e vështirë për cilindo film të animuar të garojë me “Encanto”, një fabul e “Disneyt”, e mbushur me ngjyra, magji dhe këngë hit të Lin-Manuel Mirandas. Por “Flee” duhet të fitojë. Thotë shumë që kronika rrëqethëse e Jonas Poher Rasmussenit për jetën e refugjatëve është nominuar edhe në kategorinë ndërkombëtare dhe atë të dokumentarëve.

CJ: Çfarë kategorie e fortë sivjet. “The Mitchells vs. The Machines” dhe “Raya and the Last Dragon” janë mahnitëse dhe argëtuese dhe dokumentari “Flee” (edhe pse i pakrahasueshëm për mua) ka përkrahje të madhe nga votuesit dhe njerëzit e profilit të lartë, përfshirë Boong Joon-ho. Por muzika simpatike e “Encantos” do të fitojë, dhe duhet, me historinë e saj të gjallë, të ngrohtë dhe gjithëpërfshirëse për një familje magjike. Hiti “We Don’t Talk About Bruno” s’u dorëzua për këngën më të mirë, por popullariteti i tij ka mundësi të përhapet këtu.

Dokumentari më i mirë

CJ: Mund të jetë i rrezikshëm parashikimi i një kategorie që na ka tronditur me kaq shumë fitues e befasi kohëve të fundit. “My Octopus Teacher”?! “Icarus”?! Këtë herë kam besim. “Sumer of Soul” i Ahmir “Questlove” Thompsonit është brilant, film i gëzueshëm që është vepër e madhe e historisë, duke rifituar një festival të vjetër 50-vjeçar. Plus votuesit e “Oscarit” duket se e duan muzikën pop, ashtu që filmi që do të fitojë, në të vërtetë do të pëlqehet.

NB: “Summer of Soul” duhet dhe do të fitojë. Pamjet e legjendave të muzikës në Festivalin Kulturor të Harlemit të vitit 1969 janë mjaftueshëm të mrekullueshme në vete; pasuria e kontekstit shoqëror dhe politik të shtuar nga Ahmir “Questlove” Thompson e çojnë në nivel tjetër.

Filmi më i mirë ndërkombëtar

NB: “Drive My Car”, adaptimi i trishtë treorësh i Ryusuke Hamaguchit të tregimit të shkurtër të Haruki Murakamit, ka fituar gjithandej dhe është nominuar për katër “Oscarë”: Filmi më i mirë ndërkombëtar, Filmi më i mirë, Regjia më e mirë dhe skenari më i mirë i përshtatur. Është në garë serioze për të fituar këtë kategori, nëse jo në një apo dy të tjera.

CJ: Basti më i sigurt për çmimet Oscar është “Drive My Car” i Ryusuke Hamaguchit që fiton këtë kategori. Për mua, ky film elokuent japonez për një regjisor teatri të pikëlluar dhe gruan e re të ndjeshme që e shoqëron, është i dyti pas “The Power of the Dog” për filmin më të mirë në përgjithësi. Fakti që është nominuar edhe për atë kategori është shenjë se sa shumë vlerësohet edhe nga votuesit e “Oscarit”.

Marrë nga BBC

Përktheu: Endrit Berisha