Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Nisa të shkruaja që të mund të harroja

Në librin “Vémonos en Kósovo” u bëra zëri i viktimave dhe u vura fund shumë kronikave që kisha përgatitur. Ky ishte edhe motivi se përse pas luftës i mblodha rrëfimet që më ktheheshin në kokë dhe u ktheva në Kosovë për t’i gjetur personazhet e për të kuptuar se ç’ndodhi me ta. Rrugës gjeta edhe rrëfime të reja, të cilave detyrimisht u gjeta vend në libër...

Përurimi i librit tim në gjuhën shqipe më shkakton një gëzim të madh.

Botimi i tij ndodh në 20-vjetorin e vizitës sime të fundit në Kosovë, kur i takova personazhet e librit tim.

Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, kolumbiani Gabriel García Márquez, kishte thënë me një rast: “Unë shkruaj që të më duan”. Pra unë nisa të shkruaja që të mund të harroja, që të mund t’i tejkaloja realitetet që i kisha përjetuar si korrespondente e luftës.

Të dëgjoj rrëfime për t’i treguar, është ajo që më së shumti më pëlqen në jetë, prandaj jam edhe gazetare.

Porse ushtrimi i këtij profesioni, që për mua është më i miri në botë, shpesh të lë shije të hidhur, nëse jo vragë që shërohen vështirë apo një dhimbje shpirtërore që vështirë tejkalohet.

Edhe “Mësova se duhej të heshtja, dhe kjo ndodhi në kufirin serb” Shtojca për Kulturë “Mësova se duhej të heshtja, dhe kjo ndodhi në kufirin serb”

Të rrëfesh atë që e sheh dhe që e dëgjon, e zbut këtë dhimbje deri diku, ngase njëmend besoj në vlerën e të qenët jehonë e njerëzve teksa e riprodhon zhurmën e bombave që i vret dhe erën e tmerrshme të të vdekurve, të jesh altoparlant i frikës e i dhembjes së tyre, apo edhe i zhurmës së autoblindave që përpiqen o t’i shtypin, o t’i çlirojnë.

Edhe pse shumë herë veshët e shurdhër ma humbin besimin, vazhdoj të besoj se kjo jehonë është funksioni i vërtetë i gazetarisë dhe shërben për ta ndryshuar botën, qoftë edhe një grimë, krejt pak, apo bile një njeri të vetëm.

Të rrëfesh atë që e sheh dhe që e dëgjon, e zbut këtë dhimbje deri diku, ngase njëmend besoj në vlerën e të qenët jehonë e njerëzve teksa e riprodhon zhurmën e bombave që i vret dhe erën e tmerrshme të të vdekurve, të jesh altoparlant i frikës e i dhembjes së tyre, apo edhe i zhurmës së autoblindave që përpiqen o t’i shtypin, o t’i çlirojnë

Dhe ky është besimi i cili më bën të ec përpara, dhe më ndihmon t’i shëroj plagët që m’i shkaktojnë gjërat që i shoh dhe rrëfimet që m’i rrëfejnë.

Porse, sa mund të përfshijë një kronikë një apo dyminutëshe, nëse redaktorin e ke zemërgjerë? Zakonisht atë më tronditësen, më të shkëlqyerën dhe më të zhurmshmen e po qe se ke fat, edhe më të përshkueshmen.

Të gjitha të tjerat që mbesin pa u thënë, më mblidhen dhe më shkaktojnë ndjenjën e fajësisë se nuk u dal hakut njerëzve që ma besojnë rrëfimin e tyre, ndërkohë që i rijetojnë dramat dhe mjerimin e tyre apo edhe i rihapin varrat që mezi kanë filluar të mbyllen.

Prandaj edhe shkruaj libra, në përpjekje për t’u zbrazur, për të harruar, dhe për t’iu kërkuar falje pasi që e tradhtova besimin e tyre.

Në librin “Vémonos en Kósovo” e bëra mu këtë: u bëra zëri i viktimave dhe u vura fund shumë kronikave që kisha përgatitur. Ky ishte edhe motivi se përse pas luftës i mblodha rrëfimet që më ktheheshin në kokë dhe u ktheva në Kosovë për t’i gjetur personazhet e për të kuptuar se ç’ndodhi me ta.

Rrugës gjeta edhe rrëfime të reja, të cilave detyrimisht u gjeta vend në libër. Ky ishte rasti me masakrën e familjes Lipaj, që në mesin e familjarëve të tjerë, iu vranë edhe katër vajza adoleshente.

Protagonistët e tjerë, e mrekullueshmja Sabrije Sahitaj, fëmijët e humbur të Cecelive, Arbeni e Agroni, gjyshi Ruzhdi, plaku hungërues, me shumë sens humori, i cili do të ma falte edhe pulën më të hollë vetëm po t’ia kishin lënë serbët ndonjë apo gjyshi tjetër, Sherifi, i cili, imagjinojeni, më thoshte se më donte më shumë se Bill Clintonin.

Pra, vetëm me emrat që m’i kishin dhënë në kampet e refugjatëve, ku edhe i njoha, në Bllacë, Stenkovec, Brazdë, Çegran apo edhe në Hamallaj dhe te Pishinat në Shqipëri, pra veç me ta dhe me emrat e fshatrave në dorë, u ktheva në Kosovë e vendosur për t’i gjetur. Shumicën i gjetëm nëpër shtëpitë e tyre, apo në ato që kishte mbetur prej shtëpive dhe në to ma treguan edhe fundin e rrëfimeve të tyre.

Edhe Heshtja më e vështirë është ajo e fajtorëve Shtojca për Kulturë Heshtja më e vështirë është ajo e fajtorëve

Tashmë, edhe atëherë, më 2000 dhe 2001, disa sish kishin vdekur, porse fëmijët e nipërit e vazhduan rrëfimin.

Dhe kjo është me rëndësi: të rrëfyerit që të mos harrohet e që të mos harrohen. Pikërisht këtë edhe e synoj: Të rrëfej ashtu që personazhet e mia të mos i gllabërojë Historia me shkronjë të madhe.

Shefat e ushtrive, udhëheqësit e gueriljes apo politikanët që e shpallin luftën apo e nënshkruajnë paqen do të shfaqen nëpër librat ku protagonistët e mi nuk do të kenë vend. Personazhet e mia nuk luftuan në beteja të mëdha dhe thuajse të gjithë janë humbës për të gjithat që i lanë pas, porse për mua, janë heronjtë e vërtetë të Kosovës janë njerëz që duhen dëgjuar për ta shkruar historinë dhe për ta ndërtuar të ardhmen e këtij shteti të porsalindur, të cilin Spanja, dhe besomëni se më vjen shumë keq, ende nuk e ka njohur.

Nuk kam tjetër pos t’i falënderoj shumë!

Nëpërmjet tyre gjithashtu u përmbush edhe besimi im se raporti im me Kosovën ishte fat i shkruar para 85 vjetësh, kur një shqiptar i ri kishte vendosur të luftonte kundër fashizmit në Spanjë. Ky njeri që u ishte bashkuar brigadave internacionale quhej Petro Marko dhe disa vjet më vonë e kishte shkruar romanin e quajtur “Hasta la vista”. Në të e kishte përshkruar përvojën e tij në Luftën Civile të Spanjës e edhe dashurinë e një brigadieri të ri shqiptar, Gorit, me një infermiere spanjolle, Anitën.

Edhe mua më quanin “Anita” për t’më dalluar nga Anat e tjera të familjes.

Dhe ishte kjo Anita që tash po ju flet, që më 1999 e bëri shtegtimin e kundërt nga Petro Marko për të shkuar në një luftë tjetër, të Kosovës, e që më pas, gjithashtu, ta shkruante një libër.

E nëse libri i Markos quhet “Hasta la vista”, imi quhet “Mirupafshim...”, që i bie njësoj.

Unë isha edhe me fat, ngase “Hasta la vista”, as nuk u përkthye e as nuk u botua në spanjishte, kurse libri im “Mirupafshim në Kosovë!” është përkthyer në shqip dhe sipas atyre që tashmë e kanë lexuar, është përkthyer në formë aq brilante saqë është më i mirë se origjinali im. Pra, faleminderit Flaka Surroi!

Për fund, dua t’ju them se kjo Anitë nuk e gjeti Gorin e vet në Kosovë. Gori im ka qenë vetë Kosova dhe secili nga protagonistët e librit tim. Shumë faleminderit të gjithë atyre e edhe juve për vëmendjen!

Edhe Editorial Verifikimi i borës

Fjalë e lexuar në ceremoninë ndarjes së shpërblimeve “Rexhai Surroi” për gazetari dhe letërsi për vitin 2021