Shtojca për Kulturë

Nikollë Arbanasi, Bardh dhe Nikollë Arnauti nga Kratova

Kratova në vitet ‘30

Kratova në vitet ‘30

Në kilometrin e pesëdhjetepesë të rrugës Kumanovë – Kriva Pallankë, për të mos vazhduar drejt Bullgarisë, duhet marrë krahun e djathtë për të arritur në një luginë të verilindjes së Maqedonisë së Veriut, aty ku shtëpitë dhe sokakët e bëjnë të ditur se jeni në njërin prej qyteteve ndër më të vjetrit në vend, në Kratovë. Si pjesë e dikurshme e zonave lindore të Dardanisë antike, e njohur për pasuritë nëntokësore, “në shkrimet e udhëtarit arab Idrisi, të gjysmës së dytë të shekullit XII, emri i këtij qyteti figuron të jetë Koritë (os). (Govatë, lug i gjatë i drurit apo korita e mullirit)”. Kur, në vitin 1570 në këtë qytet arritën regjistruesit osmanë, që ishin të ngarkuar të bënin regjistrimin e banorëve vendas dhe të mirave materiale, në njërën prej mëhallëve, në atë të Radiçit, ata gjetën edhe Nikollë Arbanasin, që tashmë ishte kryefamiljar, ndërsa Bardh dhe Nikollë Arnauti, ishin të rinj dhe akoma në kërkim të fatit të tyre

Kratova në dokumentet osmane

Ndër sulmet më të njohura të viteve të shtatëdhjetë të shekullit XIV, që i rrezikuan tokat bullgare, janë ato të formacioneve të akinxhinjve. Këto sulme e morën epilogun të premten e 26 shtatorit të vitit 1371, atëherë kur prijës lokalë të Ballkanit bashkë me përkrahësit e tyre, shpëtimin e gjetën në të kërcyerit në valët e ftohta të lumit të Maricës. Katërmbëdhjetë vjet më vonë, sipas autorëve osmanë, gjegjësisht “në vitin 1385, administrata osmane nisi fillimisht të vendosej në Shpat (Shtipin e sotëm) dhe pesë vjet më vonë edhe në Kratovë”. Pa humbur kohë administrata osmane Kratovën e pasur me argjend e radhiti si “qytetin e dytë më të rëndësishëm pas Novobërdës në prodhimin e monedhave në Perandorinë Osmane”. Në vitet në vijim, në këtë qendër u vendos edhe selia e kadiut, ndërsa në vitin 1526, Kratova tashmë ishte regjistruar si has i sulltanit, me të ardhura në vlerë prej 100 438 akçe. Njëra prej veprave të dënueshme, e cila atëbotë do ta bëjë të njohur emrin e Kratovës edhe më gjerë, ishte prerja e parave të rrejshme, apo farkëtimi i tyre. Kështu në vitin 1564, në një shkresë të arritur prej Kostandinopojës, urdhërohej kadiu i këtij qyteti që “t’i gjejë dhe arrestojë ata që ishin duke farkëtuar para të rrejshme”. 

Por, në vitin 1570 në këtë qytet arritën edhe regjistruesit osmanë, të cilët ishin të ngarkuar të bënin regjistrimin e banorëve vendas dhe të mirave materiale. Në njërën prej mëhallëve, në atë të Radiçit, ata gjetën edhe Nikollë Arbanasin, që tashmë ishte kryefamiljar, ndërsa Bardh dhe Nikollë Arnauti ishin të rinj dhe akoma ishin në kërkim të fatit të tyre. Prandaj edhe në regjistrimin përkatës ishin përfshirë në listën e të pamartuarave. I vetmi problem i përgjegjësve të regjistrimit duket të ketë qenë emri i beqarit Bardh dhe pa një e pa dy ishte vendosur që emri i tij të regjistrohej si Bard. Në Mëhallë të Radiçit jetonin 21 familje. 9 beqarë dhe 5 gra të veja. Dardano–arbanasit e dikurshëm, tashmë arnautët, si bashkëqytetarë të tyre përveç të tjerëve, i kishin edhe hebrenjtë, edhe atëherë kur vala e tyre e largimit midis viteve 1376 dhe 1394 kishte marrë hov, ata mbërritën këtu, duke ardhur nga Hungaria dhe Franca. 

Në rrjedhën e migrimeve të hebrenjve dhe të konfigurimit të Ballkanit osman, në vitet 1520 – 1535 në Rumelinë e atëhershme jetonin 194 958 familje myslimane, 862 707 të krishterë dhe 4134 familje hebraike. Ndërsa numri i familjeve hebraike në Kratovë gjithnjë shkoi në rritje. Kështu që nga 10 familje sa ishin në vitin 1519, në tridhjetë vitet e ardhshme, gjegjësisht në vitin 1550, numri i tyre arriti në 40. 

Si pjesë e Sanxhakut të Qystendilit në të cilin ishin përfshirë edhe një pjesë e viseve lindore shqiptare, duke u mbështetur në të dhënat zyrtare në njëqindetetëdhjetë vjetët e ardhshme, nuk mund të thuhej se islamizimi i popullsisë kishte përparuar. 

“Në vitet 1570-1572 nga 1560 familje të regjistruara në tërë sanxhakun, 398 prej tyre ishin të islamizuara, pra çdo i katërti banor. Ndërsa në të gjitha fshatrat e nahive ishin regjistruar 3809 familje myslimane, prej këtij numri dihej se deri në këtë kohë ishin konvertuar 491 familje. Numri i përgjithshëm i familjeve myslimane në tërë Sanxhakun e Qystendilit ishte 5369 prej të cilave 889 ishin të islamizuara, prandaj rezulton se brenda këtij sanxhaku çdo i gjashti banor tani kishte kaluar në fenë e re”. 

Siç është dëshmuar edhe më vonë, në dy shekujt e parë të sundimit të Perandorisë Osmane, ndër të konvertuarit nuk bënin pjesë dardano-arbanët kratovas. Prandaj, Nikollë Arbanasi, i qëndron besnik edhe mbiemrit të tij, ndërsa Bardhi dhe Nikolla, siç shihet edhe nga regjistrimi, i trajtësojnë mbiemrat e tyre në Arnauti.   

Në të vërtetë ishin dy faktorë që jepnin një dritë shprese, që këta arbanas t’ia dilnin të ruanin identitetin e tyre. Faktori i parë qëndronte në zejen e tyre të argjendarëve, që ishte mjaft e kërkuar, e që u siguronte atyre një status të veçantë brenda administratës osmane dhe faktori tjetër ishte funksionimi i jetës kishtare në Kratovë. E ndër objektet kishtare që vlejnë të theksohen janë kisha e “Shën Mërisë” e regjistruar në vitin 1592, dhe ajo e “Shën Nikollës” e regjistruar në vitin 1666.

Organizimi i klerit katolik dhe i misioneve të kohëpaskohshme

Sipas Papa Piut, (1566-1572) në rrjedhën e veprimtarisë kishtare në Gadishullin Ballkanik, fillimisht ishte e nevojshme që në mënyrë kuptimplote të organizohej kleri katolik, të përgatiteshin mirë misionarët. E për të arritur sukses, pos tjerash, duhej përfituar edhe “ortodoksët rreth të cilëve, papati qysh prej shekullit XIII kishte nisur që përmes unionit t’i bashkonte me Romën”. Po ashtu edhe pasardhësi i tij, Gërguri XIII (1572-1588) u përpoq që të depërtonte në Lindje në drejtim të Patriarkanës së Pejës, por qëllimi i tij ishte konkret, sepse ai pretendonte “që të shtrinte pushtetin e tij në llogari të patriarkanave ortodokse lindore”. Megjithatë, angazhimet dhe planet e papatit të Romës thuajse paraqisnin vetëm ideale, që duhej realizuar në një të ardhme, sepse gjendja faktike (sa i përket krijimit të unitetit kishtar) në Gadishullin Ballkanik nuk ishte fare shpresëdhënëse. E themi këtë, duke e pasur parasysh veprimtarinë konkrete kundër qarqeve kishtare të Romës, nga vetë autorët vendas, që vepronin pa u penguar nga pushteti osman. Ishte Dhimitër Kratovasi, që përktheu dhe shkroi vepra, në të cilat tema kryesore ishte përhapja e frymës antikatolike. 

I lindur në Kratovë, në fillim të shekullit XV, emri i tij lidhet me përkthimin dhe transkriptimin e Sintagmës së Matej Vlastarit. Kjo punë u bë në emër dhe me nxitje të kryepeshkopit të Ohrit, Dorotheut. Përveç tjerash, Dhimitri nga Kratova ka shkruar edhe për një sërë ngjarjesh politike, ushtarake dhe kishtare në Ballkan, që nga vitet 1560. Veprimtaritë e tilla në viset lindore dardane, më së miri i vërtetonin vetë ipeshkvit, që kishin qasje të drejtpërdrejtë në këto territore. Në rrjedhën e organizimit konkret, në pranverën e vitit 1608, papa Pavli V e emëroi në pozitën e ipeshkvit të Tivarit Marin Bicin. 

Bici ishte i hidhëruar në patriarkun Jovan, pasi vetë ai dhe peshkopët, besimtarëve katolikë dhe fshatrave katolike u merrnin të ashtuquajturin “regali”.Regalitë ishin të ardhura të konsiderueshme për patriarkun, sepse sipas llogarive, për çdo vit ai vilte nga 120 aspra prej çdo kishe (katolike – S. L.), 2 aspra nga çdo shtëpi katolike, më pastaj nga 1 aspër nga e para, 24 aspra nga e dyta dhe 48 aspra nga çdo martesë e tretë. “Mitropolitët serbë, të shoqëruar nga jeniçerë dhe spahinj, kërkonin këto ‘regalitë’ për vete, në kundërshtim me beratin e Sulltanit”, ka dëshmuar Bici. Se protesta dhe hidhërimi i ipeshkvit të Tivarit ishte me vend, e dëshmon një dokument - huxhet-i (vendim gjyqësor) i kadisë së Prishtinës, i lëshuar për mitropolitin e Kadillëkut të Kratovës në vitin 1581, në të cilin thuhet: “Këtë letër e shkroi i vobekti – i cili i drejtohet Lartmadhërisë – Ebubekirit, të birit Mahmutit – kadisë së Prishtinës. Murgu Sofronie, i autorizuari i Sheriatit për deklaratën e mëposhtme të murgut Gjerasim, patriark i gjaurëve në krahinën e Pejës, Shkupit, Qystendilit dhe vendeve përkatëse,  në Gjyqin e Sheriatit, si i autorizuar ka deklaruar dhe ka dëshmuar si në vijim: në emër të peshkopit, për të ardhurat (të hyrat) prej gjaurëve të Kadillëkut të Kratovës, i autorizuari im, i lartcekuri Gjerasimi, prej dorës së pronarit të këtij libri, murgut Andrisë, mitropolitit të tanishëm të krahinës së lartpërmendur, në tërësi (plotësisht) i ka marrë dhe pranuar shtatëdhjetë monedha ari (dukatë) miri (e) që jepen për vitin përkatës, 989 (sipas Hixhrit). Tek i lartpërmenduri Andria, më nuk ka mbetur asnjë akçe e kërkuar. Kur ai e tha këtë, i lartpërmenduri Andria njëherësh e vërtetoi edhe deklaratën e të autorizuarit. Ky dokument u shkrua dhe i është dorëzuar në dorë lutësit, dhe në rast të nevojës, ai mund të shërbejë si dëshmi dhe vërtetim. Shkruar në gjysmën e dytë të dekadës së muajit të respektuar të Rexhep, të vitit 989 (11 -20 gusht 1581). Dëshmitarë të aktit janë Ajazi i biri i Hysenit, Ahmedi i biri Sylejmanit, Balia i biri Abdullahut dhe të tjerët”,  ka dëshmuar kadiu i Prishtinës, Ebubekiri në verën e vitit 1581. 

Ndërsa në fillim të viteve të tridhjetë të shekullit XVII, një pamje më të plotë të qytetit të Kratovës e kemi falë udhëpërshkruesit Evliyâ Çelebia, alias Derviş Mehmed Zilli (1611-1683). 

“Qyteti i numëron tetëqind shtëpi përdhesë dhe në kate. Shtëpitë janë të ndërtuara prej materialit të fortë dhe të mbuluara me tjegulla të kuqërremta, të rrethuara me kopshte, e të pasura me ujë të pijshëm. Për shkak të minierës së argjendit, fisnikët e qytetit janë të pasur dhe të lumtur. Kratova i ka njëzet xhami. Më e bukura është ‘Xhamia e Çarshisë’. Pranë saj ndodhen medreseja, teqeja, disa shkolla fillore dhe shumë çezma e sebile. Këtu ekzistojnë edhe dy hamame dhe njëri prej tyre është aq i madh saqë një të tillë nuk e kam parë në tërë Rumelinë. Në Kratovë janë treqindepesëdhjetë dyqane, në të cilat janë të përfaqësuara të gjitha esnafet. Në veçanti është e bukur ‘Çarshia e kazanxhinjëve’. Enët e bakrit, që prodhohen në Kratovë, nuk punohen as në Sarajevë”, ka shkruar Çelebia, pas qëndrimit në këtë qytet.

Kratova më 1926

Congregatio de propaganda fide si shpresë e ardhmërisë

Bazuar në shkrimet e mëhershme, Papa Gregori XV (1621-1623) themeloi  Congregatio de propaganda fide (Kongeracionin për propagandimin e fesë) më 22 qershor të vitit 1622. Në rrjedhën e organizimit dhe të veprimtarisë në territoret që tashmë ndodheshin nën sundimin osman, Kongregacioni u orientua më së tepërmi në përhapjen e ndikimit të Kishës Perëndimore mbi Kishën Ortodokse. Mirëpo, kardinalët autoritativë misionarë, që vepronin brenda territoreve osmane, përfshirë edhe ato ballkanike, i udhëzuan që ata në asnjë rrethanë të mos ndërhynin “në punët politike të shtetit, në të cilin do të vepronin, as me punë e as me fjalë”. Vetëm tre muaj e gjysmë më vonë nga themelimi i Kongregacionit, gjegjësisht më 17 tetor të vitit 1622, në krye të Ipeshkvisë së Prizrenit, që atëbotë shtrinte autoritetin në territor shumë të gjerë, u emërua Pjetër Mazreku. Mazreku ishte prizrenas i lindur dhe qysh në pranverën e vitit 1623, ai e ndërmori një udhëtim drejt Ballkanit. Ndër qarqet kishtare të Vatikanit, Mazreku njihej si i përgatitur, i shkathët dhe sidomos i aftë në kontakt me osmanët”. 

“Tue kthye nga lindja, nja pesëdhetë mile, asht Kratova, ku mund të jenë 40 zjarre katolikësh. Këta mbajnë një famullitar, i cili jeton me një copë vneshtë dhe me lëmoshët e të krishtenëve t’atjeshëm. Ky vend, me sa mbajnë mend katolikët, kurrë nuk pau ndonjë ipeshkëv përveç Katiqit në vjetët e kalueme, i cili krezmoi burra e gra në moshë të shtyme... Ky asht një vend shumë i kandshëm, i vendosun midis malesh, dhe i banuem prej turqish të randësishëm, prej serbianësh dhe prej 160 frymësh katolike, dhe ndoshta ma shumë”, është njëri ndër raportet e para të Pjetër Mazrekut për “Kongeracionin për propagandimin e fesë” në të cilën përshkruhej edhe gjendja e katolikëve shqiptarë në qytetin e Kratovës. Në vijim Mazreku shkurtimisht ka folur edhe për të kaluarën, por edhe për gjendjen që e ka hasur në këtë qytetin e Kratovës. 

“Në kohë të tjera, bile tridhetë vjet ma parë, të gjitha këto vende ishin plot me miniera ari dhe argjanti si dhe metale të tjera; dhe për këtë shkak katolikët e këtushëm gjenden midis serbianëve, sepse disa nga Shqipnia, disa nga Bosnja, të tjerë nga vende të tjera vinin te këto miniera, që ishin aso kohe shumë të pasuna me ar e argjant, dhe qëndruen e ndërtuen kishët dhe i pajisën me sendet. N’anë të lindjes asht Kratova, larg prej këndej një ditë-rrugë të gjatë, e cila në kohën e kalueme ka qenë e rrahun, sepse kishte minierat, që nxirrnin ar shumë të kulluet. Tash ka mbetë pa këto pasuni, si të gjitha vendet…”. 

Ndonëse në raportet e mëvonshme thuhet se kratovasit “flasin shqip e sllavisht” vlen të theksohet se këtë qendër mbase nuk duhet llogaritur si zonën më lindore arbanase, pasi ekzistojnë dëshmitë se edhe rreth njëqindetridhjetë kilometra më në lindje, ka ekzistuar edhe njëra prej minierave, që së paku ka funksionuar që nga koha romake dhe në afërsi të saj besohet se ka ekzistuar vendbanimi që edhe është quajtur Arbanas, por që më vonë nga autorë joshqiptarë është “reduktuar” në vetëm si “Mëhalla Arbanas”.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë