Pra, kur Elton Johni të ketë zbritur përgjithmonë nga skena, shyqyr Zotit që muzika e tij është ende gjallë
Mendoj se do të shkojë shumë, shumë kohë e gjatë derisa të shohim një kantautor dhe performues si Elton Johni.
Duke e mbështjellë karrierën 50 e përpjetë vjeçare me turneun lamtumirës, pianisti dhe vokalisti britanik ka krijuar muzikë për mbamendje dhe që nuk tretet kurrë në historinë e pop-rockut. Këngë të rrënjosura në ADN-në kolektive të njerëzimit.
Këngët mund të jenë krejt të thjeshta si ajo me katër akorde “Crocodile Rock” apo më komplekset si mangum opusi 11-minutash “Funeral For A Friend/ Love Lies Bleeding”.
Ama tash është në fund dhe shpresoj të mos ma merrni për të madhe që po shkruaj ca rreshta se sa e mrekullueshme ka qenë të dëgjonim Elton Johnin nëpër radiot dhe veshët tanë që prej fundit të viteve ‘60.
Artisti i lindur para 75 vjetësh me emrin Reginald Kenneth Dwight nisi koncertin e fundit në turneun lamtumirës nëpër Amerikën Veriore të premten mbrëma në Citizens Bank Park, shtëpi e klubit të bejsbollit Philadelphia Phillies. Hë po, ndjeu dashuri atë mbrëmje.
“Amerika më bëri të famshëm dhe nuk mund të falënderoj mjaftueshëm këtë vend”, iu drejtua audiencës. “Faleminderit për besnikërinë, dashurinë dhe mirësinë që e treguat ndaj meje!”.
Ka shitur më shumë se 300 milionë incizime anembanë botës, ka luajtur mbi 4 mijë koncerte në 80 shtete dhe ka incizuar një prej këngëve më të suksesshme të krejt kohërave, ripërpunimin e vitit 1997 “Candle In the Wind” për ta çuar në qiell Princes Dianan. U shitën 33 milionë kopje të kësaj kënge.
Sir Elton (mori titullin kalorësiak në vitin 1998), ka siguruar më shumë se 70 top 40 hitet, përfshirë nëntë herë pozitën e parë, ka publikuar shtatë albume të pozitave të para brenda 3 vjetësh e gjysmë prej vitit 1972 deri më 1975, shpejtësi vetëm e dyta pas “Beatles”. Ka pesë çmime “Grammy”, si dhe një “Tony” për “Aida”-n. Kurorëzimi i tij i “Can You Feel The Love Tonight” në filmin vizatimor “The Lion King” ka qenë serenatë e miliona fëmijëve dhe do të vazhdojë të argëtojë gjeneratat e reja të më të vegjëlve.
Kostumet e veçanta
Kostumet e jashtëzakonshme dhe syzet e mëdha për të cilat njihej që prej fillimeve të tij në vitet ’70 tashmë janë harruar (është veshur si Donald Duck, Pac-Man, Statuja e Lirisë, Minnie Mouse dhe bejsbollisti i Los Agneles Dodgers, me shumë kostume të tjera). Dhe teksa ky burrë nuk ka lënë xingla apo pendla pa i adhuruar, stili i tij i veshjes (sipas standardeve të Eltonit) disi është lënë anash këtyre ditëve.
U ngjit në skenë me kostum të bardhë me jaka të zeza dhe syze vjollce shkëlqyese. Ecte disi si nëpër qiell drejt pianos së tij të zezë për të lëshuar në ajër akordet e njohura të “Bennie and the Jets”.
Tjetra ishte “Philadelphia Freedom”, të cilën ia dedikoi turmës nikoqire si një prej “qyteteve më të mira në të cilat kam luajtur ndonjëherë”. Ishte koncerti i 52-të në City of Brotherly Love.
Gjatë gjithë mbrëmjes John luajti sërë hitesh mahnitëse që përfshinin stile dhe zhanre të ndryshme muzikore. Frazat dhe kadencat që ndikuan fort në punën e tij të hershme ishin të dukshme në “Border Song “dhe “Take Me To The Pilot”. Madje edhe elementet e radios në “Levon” morën fund gjallërues takimi.
Këndoi edhe baladën prototip të fuqisë, “Don’t Let The Sun Go Down On Me”, me kushërirën e saj të afërt “Someone Save My Life Tonight”.
Rocku i Eltonit
Dhe kur kitaristi i tij i kamotshëm Davey Johnstone vuri përpara kitarën në formën e shkronjës V fluturuese, ishte koha për akordet e rockerëve, përfshirë këngën më të vështirë rcok të Eltonit, “Saturday Night’s Alright For Fighntin” dhe himnin e guximshëm deri në palcë, “The Bitch Is Back”.
Eltoni i shmangej shpesh falsettos së tij të famshëm; ka ende për t’i mbajtur 100 koncerte në turneun botëror të lamtumirës. Këto koncerte do të vazhdojnë deri në vitin e ardhshëm, mirëpo ai gjatë viteve ka mësuar se si ta ruajë zërin pa sakrifikuar stilin dhe origjinalitetin e tij.
Bash nuk ka lidhje: turma i ndihmoi me pjesë të falsettos për të, përfshirë këndimin në masë “la-la-la” të “Crocodile Rock”.
U kthye edhe një herë për këngë të thellë, “Have Mercy on the Criminal”, që shpërfaq kitarën blues të Johnstonet, duke e përzier mes dhjetëra hiteve të tjera.
Dhe i shmangu këngët e lotëve si “Sorry Seems To Be The Hardest Word” dhe atyre gërvishtëse “The Last Song” për lamtumirën mes babait dhe të birit që po vdiste nga AIDS-i. Këto i la anash për këngët më festive dhe më me ritëm.
“All The Girls Love Alice”, një prej këngëve më të hershme të zhanrit rock që përqendrohej në marrëdhëniet lesbike në fillim të viteve ’70, ishte elementi kryesor i koncertit, ashtu siç dilte direkt nga zemra kënga “Your Song”.
Para trukut përmbyllës “Goodbye Yellow Brick Road”, Eltoni shikonte drejt vijës së finishit të turneut të tij final.
“Njëmend mezi pres të kaloj pjesën e mbetur të jetës me fëmijët e mi dhe bashkëshortin”, tha Eltoni. “Jeni të mirë me veten. Dojeni njëri-tjetrin”.
Si shoumen i përsosur deri në fund, Eltoni përfundoi këngën dhe u ngrit në qiell me ashensorin hidraulik teksa një vrimë hapej në murin me tulla sipër skenës. E mori atë dhe u mbyll përsëri.
Pra, kur Elton Johni të ketë zbritur përgjithmonë nga skena, shyqyr Zotit që muzika e tij është ende gjallë.
Marrë nga “Associated Press”. Përktheu: Gent Mehmeti