Shtojca për Kulturë

Ne, njerëzit e luftës!

Në marshimet që organizohen në sheshe të mëdha, ku drejtohen apele të hapura, ushtarët këndojnë: “Ne do të marshojmë drejt Kievit”. Unë jam një njeri që kam përjetuar vitet ‘90. I përkas gjeneratës së Gorbaçovit. 25 vjet me radhë ne jetonim me shpresën se Rusia do të bëhej një vend më i mirë, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Rusia jeton në një marrëzi revanshiste

Lufta e Rusisë kundër Perëndimit ka shpërthyer. Askush nuk do ta marrë përnjëmend, as në Rusi e as në Perëndim, mirëpo Rusia tashmë është shndërruar në një tjetër vend. Prej nga erdhi ky militarizëm primitiv, kjo prapambetje, ky regres? Këto janë pyetjet që bëjmë përditë. Ndoshta edhe Evropa po e pyet veten.

I shoh fytyrat e njerëzve në rrugë. Bashkë me këta njerëz dikur, në vitet ’90, shkoja nëpër demonstrata, ishim me mijëra. Thërrisnim: “Liri, Liri!”

Çfarë ka bërë vaki me ta? Tani ata thërrasin: “Putin! Putin!” Miqtë e mi janë të hutuar, të gjithë lexojnë libra mbi ngritjen e fashizmit në Gjermani dhe në Itali. Rreth fillimit të Revolucionit në vitin 1917. Ne po lëvizim drejt së panjohurës. Për ku?

“Inteligjenca” ruse është mbyllur në një ishull të vogël e lënë në errësirë dhe s’po gjen dot asnjë përgjigje: Përse populli hoqi dorë kaq kollaj nga liria e tij?

Në fund të shkurtit, në muret e Kremlinit, fare pranë Sheshit të Kuq, ku çdo hap mbikëqyret vazhdimisht me kamera dhe kontrollohet nga policia, u vra opozitari më i rëndësishëm rus, Boris Nemcov. Bashkë me shoqen e vet ai po dilte nga një restorant.

U qëllua pas shpine. Njëri nga gjashtë plumbat e preku në zemër. Një vrasje të tillë politike kaq spektakolare nuk është parë në Rusi tash e 100 vjet.

Për dy ditë me radhë në Moskë u organizua një marshim opozitar në pranverën e hershme. Nemcov kishte paralajmëruar një fjalim: “Putini dhe Lufta”. Rreth kësaj teme ai nuk kishte folur me zë të lartë, pasi kishte frikë se mos përgjohej, përmbajtjen e fjalimit të tij e kishte shkruar me miq e shokë të bindjeve të njëjta vetëm në një letër, të cilën ata pas vrasjes e zhdukën.

E para gjë që konfiskoi FSB-ja gjatë bastisjes së shtëpisë, pas vrasjes së opozitarit, ishin një sërë materialesh që lidheshin me këtë fjalim.

Për vrasjen e tij po qarkullojnë me dhjetëra hipoteza. Ka shumë hamendësime, por askush nuk dyshon rreth një aksioni të shërbimeve sekrete. Si në rastin e vrasjes së Aleksander Litvinenkos dhe të Ana Politkovskajas. S’ka rëndësi se çfarë zgjidhjeje do të sjellin në fund hetuesit; atyre nuk do t’u besojë askush.

Rusia, për një vit e gjysmë është shndërruar në një vend tjetër që po e çon atë drejt një diktature dhe një lufte civile. Imazhet dhe bustet e Putinit po prodhohen në masë dhe po shiten nga shumëkush. Jo rrallë në rrugët e Moskës sheh makina me ndonjë pankartë ngjitur, ku shkruhet: “Të dhj….. Obamën”.

Para pak kohësh urrejtja e tyre u drejtua kundër oligarkëve, më pas ndaj emigrantëve, kundër homoseksualëve, e tashmë urrehet Amerika. Në marshimet që organizohen në sheshe të mëdha, ku drejtohen apele të hapura, ushtarët këndojnë: “Ne do të marshojmë drejt Kievit”.

Unë jam një njeri që kam përjetuar vitet ‘90. I përkas gjeneratës së Gorbaçovit. 25 vjet me radhë ne jetonim me shpresën se Rusia do të bëhej një vend më i mirë, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Rusia jeton në një marrëzi revanshiste. Sipas një sondazhi të bërë publik pak kohë më parë, del se nëse Putini do të kandidonte sërish në zgjedhjet e reja presidenciale, do të fitonte 80 për qind të votave.

“Rusia është Putini, pa Putinin s’ka Rusi”. Këtë e besojnë shumë veta. Të gjithë kanë nisur t’ia mbushin mendjen vetes se ne jemi njerëz të luftës, pasi nuk kemi njohur ndonjë gjë tjetër pos saj. Gjithnjë ne ose kemi marrë pjesë në një luftë, ose na kanë përgatitur për një të tillë. Te ne mbizotëron një kult i luftës.

Në një raport të ministrit të Luftës, Kuropatkin, për Car Nikollën II, thuhej: “Madhëria juaj perandorake! Në vazhdën e shekujve XVIII e XIX, Rusia ka kryer në 128 vjet luftëra, nga të cilat vetëm në 72 vjet ka mbizotëruar paqja. Nga 128 luftërat, vetëm 5 prej tyre kanë qenë luftëra mbrojtëse, të tjerat kanë qenë fushata pushtuese”.

As shekulli XX nuk duket fort më i mirë: Njeriu rus nuk është mësuar me jetën në paqe. Ai ka jetuar në luftë, për shtetin, asnjëherë për vetveten. Ai ka një marrëdhënie të veçantë me vdekjen.

Me bekimin e Kremlinit lindi një video militante “unë jam një pushtues rus”. Brenda pak muajve, atë e panë në internet tre milionë njerëz. Pati qindra komente njerëzish të ekzaltuar: “Ne pushtuam Siberinë dhe tani kemi naftë dhe gaz”. – “Ne pushtuam Ukrainën, Baltikun dhe Kazakistanin dhe ishim vendi më i madh në botë”.

MST: Një vend lufte, një psikologji lufte

Ndërkaq në Tomsk dhe në qytete të tjera, të shtunave e të dielave pensionistëve u shpërndahen falas bukë-franxholla. Po shtypen ndërkaq triska ushqimore. Po kursehet për të pasur ca para në rast lufte. Dhe mendoni pak ju lutem, dikush që del në rrugë për të protestuar? Jo. Unë dëgjoj shpesh të flitet përreth meje: “Për këtë arsye Krimeja tashmë na përket neve. Duhet të durojmë”.

Kur nga Donbasi vijnë arkivole, të vdekurit varrosen fshehtazi, në varre pa emër: “Këtë duhet ta durojmë. Ne duhet të heshtim. Në Donbas nuk po luftojnë rusët. Nëse është e nevojshme për një gjë të shenjtë, ne të gjithë do të gënjejmë, i mbarë vendi”. Dhe po gënjehet.

Gënjeshtra është bërë tashmë një ritual. Thuajse askush nuk thotë të vërtetën. Vetëm ndonjë individ. Sikurse bëri edhe ushtari tankist me plagë të thella djegieje, foton e të cilit unë e pashë në internet: “Atje luftojnë njerëz që kanë marrë kredi ose hipoteka. Për para. Edhe njerëzit të cilëve u është caktuar një dënim nga gjykata”.

Po, dhe propaganda natyrisht se ka bërë punën e vet. Unë kam besuar se ne do të luftonim kundër fashistëve. Ne i vumë shpatullat në rresht dhe iu futëm bojë targave e automjeteve tona. Putini është i zgjuar: “Nuk ka asnjë trupë ruse në Ukrainë”, na thotë edhe neve: “Hajt, Hajt! Lëvizni, më shpejt!”

Një vend lufte, një psikologji lufte. Në shoqëri mbizotëron një mosbesim i pabesueshëm. Të gjithë ia kanë mësyrë të zënë spiunë. Nëse më parë si spiunë shiheshin vetëm shkencëtarët, sot mund të jetë gjithkush: Marinarë, shtëpiake …

Pak më parë, edhe Svetlana Davidova nga Vjazma, një nënë me shtatë fëmijë, u arrestua. Ajo, për shkak të tradhtisë ndaj shtetit, duhej të nxirrej para një gjykate, nga e cila rezultoi se ajo duhej të kalonte 10 deri në 15 vjet në një koloni riedukimi.

Krimi i saj: ajo telefonoi në Ambasadën ukrainase dhe raportoi se pjesë trupash nga Vjazma po niseshin drejt Donbasit, pasi ajo kishte dëgjuar oficerë të flisnin për këtë gjë. Nga u mor vesh thirrja e Davidovës në ambasadë? E kishin denoncuar fqinjët. Tekefundit është luftë.

Disa organizata joqeveritare, madje edhe vullnetarë, shihen si agjentë nëse mbështeten me fonde nga Perëndimi. Përse i duhet vendit një listë agjentësh të huaj? Për t’i ngritur qytetarët kundër njëri-tjetrit? Çfarë është këtu ndryshe nga një luftë civile?

Në Dumën Shtetërore Ruse, deputetët po mendojnë seriozisht të ndalojnë posedimin e dollarëve amerikanë dhe mësimin e gjuhëve të huaja, pasi kështu shumë të rinj e të reja po na ikin nga vendi … Së shpejti, do të jetë e vështirë të flasësh edhe me të huajt. Një ligj i miratuar së fundmi nga Parlamenti ua ndalon dhënien e lejes së shoferit homoseksualëve e trans-seksualëve.

Njerëzit për shkak të një selfie pushohen nga puna, për shkak të një tweet-i futen në arrest, për shkak të një like-u u bastisen shtëpitë.

Vendi sapo festoi 70-vjetorin e fitores. Dhe në qytetet ruse aplikohet hapur për rekrutime vullnetarësh për në frontin ukrainas. Ky është terreni ku ne jetojmë - lufta. Bota e vetme, në të cilën ne jemi në shtëpi. Këtë mund ta bëjmë, këtë e njohim mirë.

A mos vallë duhet të mrekullohemi që një opozitar vritet mu në mes të Sheshit të Kuq? Që Gorbaçovi të nxirret para gjyqit? Dhe megjithatë: në paradën më të madhe ushtarake në historinë e Rusisë me më shumë se 16.000 ushtarë, më 9 maj udhëtuan shumë shefa shtetesh e qeverish drejt Moskës, ndër ta edhe Aleksis Cipras dhe Xi Jinping.

Ky shkrim është botuar në të përjavshmen gjermane “Die Zeit” në fund të majit të 2015-s, kur u botua edhe në Shtojcën për Kulturë të “Kohës Ditore”, pak ditë pasi shkrimtarja bjelloruse Svetlana Alexievich u shpall laureate e “Nobelit” për letërsi