Me 4 mars të këtij viti, në Damask, në moshën 91 vjeçe, mbylli sytë Abdulatif Arnauti, një shqiptar nga Dobërlluka e Vuçiternës. Abdulatifi, Ibn Kosova – i biri i Kosovës, siç i nënshkruante disa herë poezitë e tij në gjuhën arabe, u lind në Damask, më 13 janar 1931 nga prindërit e shpërngulur me dhunë nga Kosova dhe që kishin zënë vend në Sham-Siri.
U rrit në lagjen e shqiptarëve, në Damask, në hijen e atdhedashurisë për Kosovën, i rrethuar me shumë arnautë që kanë lënë emër në letërsinë dhe kulturën arabe dhe kanë luajtur rolin e urës ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit arab.
Familja e tij Arnauti ka dhënë një varg emrash autoritativë në letërsinë, artin dhe kulturën arabe: Ajshja, Abdulkadri, Rexha, më tej edhe Bereketlatif Latif al- Arnauti e të tjerë.
Abdulatifi shkoi fizikisht, por ka lënë pas vetes një shtyllë të fortë e dritare të denjë për respekt, që po bart barrën e lidhjeve kulturore shqiptare - arabe: akademikun, dr. Muhamed Mufakun.
Abdulatif Arnautin e njeh lexuesi shqiptar qysh prej vitit 1977 me rrëfimet e tij për fëmijë që botoheshin në faqet e shtypit ditor e periodik në Kosovë dhe në Shqipëri.
Edhe
Abdulatif Arnauti – zëri i letërsisë shqipe në arabisht, sinonim i shqiptarëve në Siri
Me vdekjen e doajenit të kulturës shqiptare-arabe, Abdulatif Arnautit, humbja ndihet edhe më e madhe, sepse me këtë bie një shtyllë e urave shqiptare-arabe.
Ky, bashkë me Imam Vehbi Ismailin, (25 nëntor 1919 – 20 maj, 2008) në vitet e pesëdhjeta të shekullit njëzet, vunë gurët e themelit të urës shqiptaro-arabe dhe hapën dritaret nëpërmjet të cilave depërtonte letërsia shqipe në botën arabe.
I përcollën lexuesit arabë artin letrar të Qamil Guranjakut, Ernest Koliqit, Ndre Mjedës, Dritëro Agollit, Jakup Cerajës, Ismail Kadaresë, Adem Gashit, Fahredin Gungës, Afërdita Skenderajt e të tjera. Rrugën e Abdulatif Arnautit e ka vazhduar me shumë sukses nxënësi i tij Muhamed Mufaku, i cili i ka ofruar lexuesit arab disa vepra nga fusha e historisë dhe letërsisë që i përktheu nga gjuha shqipe në arabishte, si “Sami Frashëri në filologjinë dhe letërsinë turke”, “Dr. Ibrahim Temoja – themelues i komitetit “Ittihad ve Terakki”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Era dhe Lisi”, e të tjera.
Abdulatifi e mbylli këtë faqe të historisë, por “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Baballarët”, e të tjera, do të vazhdojnë jetën me lexuesit arabë, sikur që do të vazhdojnë jetën me lexuesit shqiptarë, “Përtej maleve përtej deteve”, “Princi i vogël”, “Samiri dhe motra e tij”, e të tjera. Edhe Krojet e Dobërllukës në gjuhën arabe do të vazhdojnë rrjedhën e të ruajnë kujtesën për atdheun e të parëve të Abdulatif Arnautit.
Do ta kujtoj me respekt edhe Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ku mori pjesë disa herë dhe jo vetëm personalisht. Abdulatifi, një shkrimtar i vlerësuar nga qarqet letrare arabe dhe si anëtar i Unionit të Shkrimtarëve Arabë (Ittihadu-l-kuttabi-l-arab,) me seli në Damask, solli në Seminar edhe shkrimtarin arab, Adil Abu Shanab – autor i romanit “Trëndafilja e mëngjesit”, Ali Hulukin, Abdulkadr Arnautin dhe dashamirë të tjerë të kulturës shqiptare.
Mungesa fizike e Abdulatif Arnautit do të ndihet edhe në revistat “Studime Orientale”, “Hikmet”, “Univers”, “Ura”, etj., ku ishte anëtar dhe këshilltar aktiv, kurse autori i këtyre rreshtave, do ta ruajë për jetë në kujtimet e tij nga viti 1974.
Edhe
Arnautët e Damaskut zotohen për riaktivizimin e Shoqërisë së parë shqiptare të 1947-s
Montreal, 10 mars, 2022