Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Ndikimi i gjuhës në mendime e bindje sociale

Kualiteti dhe vlera e bindjeve të një shoqërie varen konsiderueshëm nga standardet diskursive që vihen nga shumica, e jo vetëm disa individë, sepse me t’u përhapur, arrijnë të shihen si “ligje të pashkruara e diskrete”, në të cilat duhet të besosh për t’iu përmbajtur “bindjeve të përbashkëta” të një kulture, kombi ose etnie dhe për të qenë pjesë e tyre. Mendimet e një shoqërie, të shprehura gjuhësisht, i caktojnë modelet për imazhin “e mirë apo të keq” për dikë ose diçka, e ushqejnë vetëdijen kolektive, e gjithashtu vëllimin leksiko-semantik të një gjuhe. E meta e kësaj është se ato mund të mos jenë mjaftueshëm të barasvlershme me parakushtet e shpërfaqura si vlera, në të cilat pretendon se mbështetet ajo

Shumë studiues ndajnë bindjen se mungesa e gjuhës rezulton me mungesë të mendimit e të potencialit për t’i kategorizuar fenomenet abstrakte (meqë s’do të kishte opsion referues), sepse pa të s’mund të konceptualizohen idetë dhe të reflektohet zhvillimi kognitiv i individit. Filozofi Ludwig Wittgenstein, më 1922 shkruan: “kufijtë e gjuhës janë kufij të botës sime”; Edward Sapiri në librin e tij “Gjuha” e koncepton gjuhën si burim social dhe shprehës për botën e jashtme dhe thotë se bota e vërtetë, në një masë të madhe pavetëdijshëm, është e ndërtuar nga shprehitë gjuhësore; e gjuhëtari revolucionar, Noam Chomsky, e sheh atë si “pasqyrë të mendjes”.

E ka të tjerë që fjalët i shohin “të gjeneralizuara gramatikisht”, të mbështetura në kontekst dhe pa mundësi që të diferencohen më vete pa e përfshirë të menduarit. Për shembull ndajfoljet, deiksat lokativë e temporalë: këtu, atje, dje, nesër kanë kuptim vetëm brenda kontekstit, dhe pa u menduar ai, si fjalë, janë të padeshifrueshme.

Sidoqoftë, ne lindim pa opinione, pa paragjykime e identitet shoqëror si dhe nuk e kemi të determinuar gjenetikisht gjuhën që do ta nxëmë, e aq më pak dijen kulturore, e cila mësohet në vendin ku rritemi dhe na orienton kah sjelljet dhe gjuha “e pranueshme” për t’u konsideruar i/e denjë për ndërveprim verbal në atë rreth dhe për të hyrë në marrëdhënie pune e pushteti. Mënyra e përdorimit të gjuhës si një produkt shoqëror, përcaktohet nga vetë folësit dhe pikërisht ajo është ndër faktorët primarë në formësimin, ngjizjen dhe balancimin e bindjeve, sjelljeve tona si konventa, dhe në arritjen e konstatimeve të ngjashme të anëtarëve të një grupi gjatë interpretimit të sjelljes së tjetrit.

Tani, në vend se të shtrohet pyetja e njohur nëse ndikon mendimi dhe kultura në gjuhë apo gjuha në kulturë e mendim, si pikënisje dhe kusht parësor për të mos u kufizuar në nivel komenti, është i nevojshëm përqendrimi te diskursi - përdorimi konkret gjuhësor, ku shënjohet objektivisht kjo lidhje. Me anë të shfrytëzimit të potencialit të tij poetik e retorik, mendja arrin të legjitimojë sisteme idesh e bindjesh që ndonjëherë janë në kontradiktë me barazinë e demokracinë, si vlera integrale për një shoqëri, dhe që ato të merren të mirëqena e reale. Megjithëse këto bindje nuk janë statike e uniforme përgjithmonë, përqeshja dhe rebelimi i menjëhershëm ndaj tyre mund të konsistojë me përjashtim, për shkak të “shkeljes së strukturave të kornizuara dhe të normuara nga komuniteti”.

Për shembull a ndikon gjuha aktive seksiste në konceptimin e vajzave/grave si të paafta për pozita institucionale e udhëheqëse? Apo diskursi i ashpër për ndonjë politikan si “kriminel”, e ndonjë artist si “narkoman” për t’u konsideruar si i tillë pa u mbështetur në prova të mjaftueshme?

Duke u përhapur cilësimet “e dobët, e butë, e urtë” për gjininë femërore, fillon të kristalizohet mendimi dhe i jepet rrugë ideologjisë se ato janë të pazonja për t’u përballur me sfida, e rrjedhimisht, janë të padenja për të marrë vendime. E kush i kundërvihet një diskursi të tillë, në një shoqëri patriarkale, është “injorant” e “ndryshe nga të tjerët” – që do të thotë se gjuha, me raste, e ka fuqinë për ta përcaktuar mendimin. Ndërkaq, politikanët arrijnë që duke ua përmendur dështimet të tjerëve, e me premtime që s’i përmbushin dot, t’i detyrojnë qytetarët që t’i votojnë e t’i përkrahin ata, përkundër mosveprimeve konform fjalëve për vite me radhë. Edhe racizmi e vlerësimi moral i dikujt sipas nacionalitetit rrënjët i kanë në diskursin e ashpër fyes ndaj një grupi njerëzish, qoftë për shkak të luftërave të mëparshme, ngjyrës së lëkurës etj. Kështu, fuqia e këtij diskursi, përmes kognicionit, i dikton bindjet, sjelljet dhe veprimet tona karshi personave e dukurive të caktuara.

Në lidhjen e anasjelltë gjuhë-mendim, kontribut të pashoq kanë dhënë linguisti antropolog, Edward Sapiri dhe studenti i tij, Benjamin Whorfi, të cilët pas punës së gjerë për gjuhët e indianëve të Amerikës, në hipotezën e determinizmit gjuhësor, që paraqet rezultatet e punës së tyre shumëvjeçare, dalin në përfundimin se gjuha është çelës për njohjen e botës dhe se ne jetojmë nën mëshirën e saj.

Whorfi më 1940 shkruan se: sistemi gjuhësor është programi dhe guida e veprimtarive mendore dhe e sintezës së objekteve mentale. Ai thotë se formulimi i ideve ndryshon sipas gramatikash të veçanta dhe natyra klasifikohet vetëm brenda bashkësish gjuhësore. D.m.th. pikërisht kjo është arsyeja pse njerëzit nga kultura të ndryshme mendojnë ndryshe nga njëri-tjetri.

Hipoteza e relativitetit gjuhësor e Sapir-Whorfit shkon larg, sepse e mbivlerëson rolin e gjuhës, duke e parë krejtësisht determinuese në botëkuptimin e kognicionin e njeriut, për ç’arsye është kritikuar. Mangësi është parë vënia e gjuhës mbi tërë bashkësinë kulturore dhe pohimi se nuk ekzistojnë gjuhë që e përfaqësojnë të njëjtin realitet shoqëror – e nëse do të ishte kështu, s’do të ekzistonte bilinguizmi – njohja e më shumë gjuhëve nga i njëjti individ dhe huazimet kulturore. Po ashtu, edhe pse gjuha është pa diskutim e lidhur dendur me sistemin konceptual, mendimi pa gjuhë mund të ekzistojë, meqë kafshët arrijnë të mbajnë në mend vendet, pronarët e tyre, por ai është i cekët, nuk e arrin abstraksionin. Me gjithë kritikat, Sapiri dhe Whorfi kanë siguruar burim të vlefshëm metodologjik dhe mundësi për t’i hequr kufizimet e ndarjes së prerë mes sistemit gjuhësor në njërën anë, dhe faktorëve kognitivë në anën tjetër.

Gama e larmishme e të menduarit nga njerëz kulturash të dalluara reflektohet edhe në vështirësitë e përkthimeve nga gjuha në gjuhë, ku koncepte ose zakone të veçanta nuk ekzistojnë në kulturën tjetër, dhe është e vështirë t’u gjenden korrespondueset. Linguisti John Lyons, vëren se fjalët angleze: brown “ngjyrë kafe”, monkey “majmun”, chair “karrige” etj. janë gati të papërkthyeshme në frëngjishte, sepse asnjë fjalë frënge nuk e shpreh saktësisht kuptimin e tyre. Gjithashtu, gjuhë ameriindiane posedojnë fjalë vetëm për dy-tri ngjyra: të bardhën, të zezën, të kuqen, sepse aq u duhen në të shprehur, e jo pse nuk i dallojnë ngjyrat e spektrit. Eskimezët vetëm për borën kanë mbi dhjetë emërtime, sepse ashtu u nevojitet. Pastaj, derisa në shqipe ka fjalë të veçanta: dajë, xhaxha, teze, hallë, në anglishte dy të parat shprehen me një fjalë: uncle, dy të tjerat me një fjalë tjetër: aunt. Kjo mospërputhje në fushat leksikore nuk i bën ata me deficit konceptual, thjesht pasqyron përbërësit gjuhësorë të (pa)nevojshëm për folësit e një gjuhe.

Lidhja dhe bashkëpunimi gjuhë - mendim - kulturë konsiston si burim për gjenerim kuptimesh dhe kornizash komunikuese. Njësia gjuhësore nuk përbën thjesht ndërthurje veçorish fonologjike, morfo-sintaksore e kuptimore, por ka inferenca mjaft komplekse jashtëgjuhësore, që u jep fjalëve forcë shumëdimenisionale, qoftë në definimin e “realitetit” objektiv e subjektiv, ose si pikë drejtuese e kontrolluese në formësimin/realizimin e veprimeve.

Artikuj të ngjashëm